36 raste të reja me Covid-19 në Kosovë, pesë të shëruar

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka konfirmuar se në Kosovë janë 36 raste të reja me Covid-19, derisa pesë persona të tjerë janë shëruar.

“Sot më 15 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 173 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, pozitivë sot janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e gjashtë (36) raste”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se rastet pozitive janë raste kontakti, nëntë (9) raste nga komuna e Ferizajt (sipas vendbanimit: katër (4) raste Ferizaj, katër (4) raste Talinovc dhe një (1) rast Mirash), tetë (8) raste nga komuna e Kamenicës (sipas vendbanimit: katër (4) raste Topanicë, katër (4) raste Hodonovc), pesë (5) raste nga komuna e Prizrenit (sipas vendbanimit: katër (4) raste Prizren dhe një(1) rast Skorobishte), tre (3) raste me vendbanim në Gjakovë, dy (2) raste me vendbanim në Prishtinë, dy (2) raste me vendbanim në Mitrovicë e veriut dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Suharekë, Lipjan, Ramjan-Viti, Banjë-Malishevë, Studenicë-Istog, Lëbushë-Deçan dhe Zveçan.

Sot më 15 prill 2020, janë shëruar edhe pesë (5) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej shtatëdhjetë e një (71).

E gjithashtu sot është shënuar edhe një viktimë.

“Më datë 15 prill 2020, nga Klinika Infektive është raportuar edhe një rast i vdekjes, i gjinisë mashkull me moshë 69 vjeç nga Semetisht-Suharekë, i konfirmuar me COVID-19 me datë 11.04.2020. Pacienti është hospitalizuar në gjendje të rëndë me datë 10.04.2020 dhe ka pasur sëmundje shoqëruese kardiake”, thuhet në komunikatë.

Nga data 08 shkurt deri më 15 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.720 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej katërqind e njëzet e tre (423) me 9 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 5.279 kontakte të rasteve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button