fbpx

“Skënderbeu” në HD për 100 vjetorin

Digitalb shfaq premierën e filmit “Skënderbeu – Luftëtari i Madh i Shqipërisë”, të përditësuar sipas standardeve më të larta bashkëkohore të teknologjisë me definicion të lartë (HD).

Ky aktivitet, i cili vjen në kuadër të 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, zhvillohet si një prezantim i njëkohshëm në tre kryeqytetet e trojeve shqiptare, në datën 3 dhjetor 2012, ora: 19:30, në: TiranëKinema Imperial – nëHotel Sheraton, PrishtinëKinema ABC, ShkupKinema CinePlexx- në “City Mall”.

Kjo është hera e parë që një film i këtij kalibri, unik në llojin e tij, i risillet publikut shqiptar në një formë të përditësuar, tashmë me ngjyra dhe cilësi të pakrahasueshme vizuale, duke kontribuar në këtë mënyrë, në pasurimin e fondit të produksioneve të kinematografisë shqiptare.

Si bashkëprodhues për realizmin e një dhurate unike për mbarë kombin Shqiptar, Digitalb dhe BunkerFilm ju ftojnë të bëheni pjesë duke ndarë së bashku me ne dhe gjithë shqiptarët, rezultatin e një pune 2-vjeçare.

Ky angazhim ka pasur në qendër të tij, përcjelljen tek çdo shtëpi shqiptare të pjesës më të ndritur dhe domethënëse të historisë sonë në shekuj, në një format bashkëkohor dhe të rigjallëruar me zërat me të dashur të kinematografisë shqiptare.

Filmi, prodhim i vitit 1953, i cili u emërua për 3 çmime në Festivalin e Filmit në Kanë duke fituar 2 prej tyre, vjen pranë publikut në pamje më të gjalla, të realizuara me teknikat më bashkëkohore në fushën e kinematografisë dhe teknologjisë së filmit.

Ngjyrat, zërat e dubluar, gjuha e pastër dhe emocionet e një grupi të përzgjedhur aktorësh, ndër më të mirët në vite të skenës shqiptare do të përcjellin një emocion drithërues si në transmetimin e parë të këtij filmi.

Ndërsa shikuesve në vite do t’u japë emocionin e rikthimit ne sallën e kinemasë jo vetëm të Luftëtarit të Madh, por edhe të një vepre të përcjellë në formatin HD të ngjizur me muzikën e përpunuar aq dashur e të paharruar të këtij filmi që është kthyer në një himn të dytë për publikun shqiptar.

Në Shkup promovimin e filmit “Skënderbeu” do ta hap aktori i mirënjohur Rikard Larja, i cili ka ridubluar zërin e Akaki Khorava, qe luan në version origjinal të filmit, si dhe aktorja Marjeta Larja. Promovimi në Shkup u mundësua nga Komuna e Çairit, Teatri Shqiptar Shkup, si dhe ndërmarrjet Gemak, Renova, Trim dhe Lum, Unioni Financiar Shkup, Iseni Kompani dhe Instalimi, Zajas./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button