Ujku dhe qengji dehen në rrjedhën e ujit të turbullt politik

Është thënë dhe thuhet se jetojmë midis vlerave dhe jo vlerave, madje jemi edhe të përmbytur pa dashje nëpër këto gërmadha të kohës së kiçit e shundit kulturor. Mbase jetojmë në këtë etapë të çuditshme ka edhe ndryshime të mëdha rrethanash jetësore e politike, të cilat katapultojnë papandehur nëpër vetëdijet tona si perceptime apo si konspiracione të veçanta. Reaksioni im për rindërtimin e emocioneve të mia shqetësuese, apostrofohet, detyrimisht, mu në një kohë atipike e të paralizuar nga sëmundja globale e planetit tonë. Kjo frymë më vjen nga vetëdija dhe vëzhgimi i përqendruar drejtë nëpër ridimenzionimin e fenomeneve ekzistuese, të atyre fenomeneve makiaveliane të zbatuara nga klanet e fshehta të interesit. Të gjithë ne që i vërejmë këto  probleme dhe përgjegjësi shoqërore i kërkojmë jashtë vetes, nuk i pranojmë si shkaqe e faje tona. Ne kemi këtë bindje praktike vlerësuese, sepse për nga natyra e reakcionit qenia njerëzore është e papërgjegjshme dhe egoiste.

Tani motiv i këtij inspirimi akut, në këto ditë ngujimi, më bëhet refren dëgjimi politika aktuale e Kosovës dhe pasiguria e epidemisë së Covid 19, që kanë shkaktuar një huti të madhe në spontanitetin jetësor të njerëzve. Janë ngjarje të hidhura dhe të paparashikuara që do ta mbajnë gjatë kohë peng ambientin tonë shoqëror të keqtrajtuar. Fenomenet e shëmtuara na prekin keq neve të gjithëve në ndjenja dhe nga dita në ditë, si të shqetësuar e të pa kënaqur do të mbetemi të alivanosur një kohë të gjatë. Këto fakte të hidhura e reale na bartin nga ndodhia në ndodhi, madje duke na përplasur drejt e pa kujtuar në një shqetësimi edhe më të madh nëpër sistemimin tonë shoqëror të hidhur. Ndaj sot jemi të detyruar dhe të vëmendshëm t’u japim këtyre fenomeneve atakuese dhe çrregulluese zbërthime të drejta dhe deshifrime të qarta, që dimensionet e tyre të dukshme, keqbërëse,të kuptohen dhe të kapin në opinion trajtime dhe vlerësime reale. Këtyre hedhurinave politike keqbërëse duhet tua ndalojmë kundërmimin e keq të tyre, vetëm me barriera të mirëfillta vlerash të reja, kryesisht për të krijuar standard më të mirë në mirëqenien njerëzore të kësaj shoqërie.

Kjo shtytje shpirtërore e mendore që vjen spontanisht në ne, tanimë bëhet energji konfrontuese e përditshme dhe aktive, kundrejt të shëmtuarës së dukshme. Kjo vetëdije njerëzore ngrihet vendosmërisht sa për të ndryshuar veten me kujdes e maturi nëpër këtë ambient të ngarkuar rëndë me kulturë e arkitekturë të shëmtuar qeverisëse. Pasi këtu në këtë ngarkesë shpërfilljesh shoqërore të shumta, përfshihet dukshëm më se njëzet vite një ndërtim i ngutshëm politik i fenomeneve të liga, të kaosit sistemor, por të bartura e të përjetuar keq dhe drejtpërdrejtë nga qytetarët në kohë dhe hapësirë reale. Ato tani shfaqet me përmasa egzagjeruese të nënshtrimit të keq individual nga përditshmëria e rëndë e sistemimit njerëzor. Pikërisht në këtë segment të vetëdijesimit duhet transparencë që të krijohen mekanizma të shëndosha arsimuese brenda nesh, dhe posaçërisht ndërgjegjësim shoqëror për përgjegjësi reciproke në të gjitha lëmit e jetës.

Tashmë, ne gjendemi të strehuar fizikisht në këtë poligon të hapur rrethanash kohore shqetësuese, bile jemi edhe të zënë ngushtë e rëndë mu në këtë rreth të vrazhdë të nënçatisë së Pensionit politik, e cila është e anashkaluar dhe ngarkuar keq nga servisimi i artit dhe kulturës së fisit dhe i politikës së mëhallës, pa pasur distancën higjienike personale të lakmisë, si e keqe e përgjithshme individuale e shoqërore. Posaçërisht kjo e keqe na mbërthen vazhdueshëm në vendin ku jetojmë e veprojmë dimenzionalisht e sistematikisht të çrregulluar nga oportunizmi intelektual, gjoja për të përfituar nga heshtja dhe neutraliteti. Kjo atmosferë na imponohet për çdo ditë bashkë edhe me atë pamundësinë tonë të burgosur e të nënshtruar pa hiri në sistem, ndaj edhe vepron kjo situatë me ndikim të keq nëpër rrethana imponuese të shëmtuara, të politikës ditore. Pasi, sot, këto trende të reja kulturor, të shfaqura në këtë mënyrë, pengohen dhe nuk mund të avancohen pozitivisht, pa këmbëngulësi dhe pa bindje vepruese serioze nga të gjithë ata vizionar dhe individ të përgatitur që e duan frymën e re politike dhe ndryshimin e gjendjes ekzistuese për të mirën e përgjithshme shoqërore.

Ka ardhur koha e ndryshimeve të reja dhe vendimeve politike pragmatike, që shoqëria të shkoj përpara. Nuk durohen më driblingjet manipuluese karrieriste të individëve dhe grupeve të caktuara që kanë zhvatur shoqërinë në mënyrë brutale. Në Kosovë ka demokraci, por pengesë e kësaj demokracie të dukshme janë klanet dhe të gjithë ata individët të karvanit të vjetër që kanë mbetur ende pa e zhvatur edhe më shoqërinë e këtillë. Mund të themi se nëpër të gjitha partitë ekziston një frymë e re e qasjes dhe të politikanëve që thonë se do ta luftojnë korrupsionin, nepotizmin dhe kriminalitetin, bile disa edhe më fortë trumbetojnë në ç’kapjen e shtetit nga e keqja e përgjithshme. Por si do bëhet kjo ç’kapje që ka përgjakur deri më tani ekonominë keq?  Në skenën politike, siç shihet nga performancat e shfaqura, disa udhëheqës të partive e kanë më të madh sherrin se dijen, ndaj edhe kërkojnë ose manipulojnë me të gjitha mjetet për ekzistencën e tyre në skenën politike. Ata edhe më tej e duan këtë refren jetese të turbullt. Këtë frymë e përkrah edhe ajo pjesë e turmës që është edukuar e zhvilluar me këtë frymë të kollajshme të manipulimit dhe zhvillimit. Ata miopë të kësaj kulture ulët, një gjë duhet ta dinë dhe ta kenë të qartë se për t’u shëruar Kosova nga ky virus i shkapërderdhur dhe jo efektiv politik, duhet të bëjnë një riformatim tërësor të partive të tyre, të vjetra, ngase koha nuk duron më manipulime e keqtrajtime të këtilla, sepse populli nuk është dele kah e çon ogiçi i pa ditur. Koha nuk duron politikan që luajnë ‘’çyçek’’ kënaqësie personale në dëm të qytetarit që mezi mbanë ekzistencën e vet me paga minimale. Shoqëria kosovare është e hapur dhe të gjithë e dinë njëri- tjetrin se sa vlejnë brenda vetes. Madje cilat janë vlerat dhe jo vlerat e tyre poseduese. Një pjesë e madhe e popullatës jetojnë e punojnë në perëndim. (Vetëm në Zvicër jetojnë mbi 50,000 familje apo më shumë se 145 mijë kosovarë, pa numëruar edhe viset tjera të perëndimit, që numri mund të mbërrij deri më 500,000).  Ata shumë mirë e dinë si funksion një shtet funksional dhe si vlerësohet qytetari dhe punëtori atje. Kjo frymë e përvojës jetësore e politike gradualisht është bartur edhe në Kosovë, prandaj është e kotë loja me manipulime e keqtrajtime.

Kalimi nga socializmi në kapitalizëm brutal ka marrë fund. Ka marrë fund se vendet ku duam ne të shkelim e të integrohemi nuk e durojnë këtë standard të pëlqyer nga individ që jetojnë me ëndrra dhe se do të bëjnë para me manipulime e pa mbulesa fiskale. Në xhunglën e mediokritetit mund të fshihen akoma manipulime të këtilla ëndërrimtare të rënda, por te njeriu i informuar mirë kjo dredhi nuk ka vend komoditeti. Në këtë të keqe të përgjithshme mund  të ketë bijë karrieristësh të mjerë që kanë dalë nga shkollat dhe studimet e improvizuara të prindërve të tyre manipulues, të cilët një kohë të gjatë e kanë përmbytur shoqërinë tonë me pallavra dhe përralla të skaduara njohurish. Apo profesorë universitetesh të kurdisur pa njohur edhe një gjuhë të vetme të huaj. Koha na detyron për ndryshime e standarde të mirëfillta. Të gjithë këta të pa merituarit duhet të futen në karantinë vetëdijesimi individual për ta ndërgjegjësuar dhe kthjelltësuar veten sa s’është vonë. Ata duhet kuruar mirë pakthjelltësinë e kreativitetit të vet vulgar, sepse siç duket tani në këtë formë të qasjes së tyre denigruese, nëpër kuluaret politike janë duke bërë politikë të vjetërsuar dhe jo të kapshme për nevojat e kohës sonë postmoderne. Në llavën e mediokritetit fshihen edhe manipulime të mëdha. Ujqit duan mjegullnajë për ta kapur gjahun e vet, por e turbullojnë rrjedhën ujit të kthjellët kulturor. Pastaj ata bashkë me qengjat dehen ethshëm nëpër derdhjen e rrëkesë së turbullt avansimit politik. Dikush nga jashtë e defaktorizon dhe turbullon pa të drejtë politikën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës, por nuk do të kenë sukses në këto manovrime të njëanshme të këtij shekulli. Por ka edhe politikanë të papërgjegjshëm të vendit që nuk duan të respektojnë kushtetutën dhe ligjet ekzistuese. Ato veprojnë vetëm për interesat e tyre të sëmura karrieriste. Ka deputetët, e që janë zëri elektoratit të vet, nëpër këtë situatë pandemie, në vend të formojnë një strategji të përbashkët kundër Kovid 19, ata pas dhënies së mocionit të mosbesimit të kësaj qeverie, kërkojnë qeveri të re, teknike, me mentalitet të vjetër dhe me shërbim përfitues dhe abuzues si më parë. Por kjo mundësi sa mund të jetë efektive karshi kërkesave qytetare duhet të shihet në praktikë.  Qeveri të kriterit ultë dhe të qeverisjes së saj degraduese, ku keqpërdoren funksionet e individëve grupor e fisnor, nuk e di sa mund të jetë e dëshirueshme nga qytetarët dhe populli. Ky skenar po të pranohet do të mbahet mend në historinë e popullit shqiptar dhe më gjerë. Por ne nuk besojmë se mund të ndodhë një gjë e tillë, ku e keqja të sundojë mbi të mirën dhe qytetari i uritur për reforma ta pranojë kaq lehtë këtë gjellë të skaduar politike.         

Bota është plot enigma e me të papritura të mëdha ditore, që herë janë të zgjidhshme, e herë janë të pazgjidhshme për syrin e mendjen normale të individit. Nëse unë nuk kam të drejtë gjykimi në këto faktoma fenomenesh frenkuentuse e rehlektuese të dukshme të kiçit dhe shundit të jetesës së sotme politike, që tani për tani e trajtojmë enkas për kureshtje e dëshmi reale njerëzore, gjatë këtyre perceptimeve të imponuara ditore e mendore, të themi kështu pa hezituar nëpër këto vrazhdësi nuancash të hidhura kohore, ju që nuk pranoni mendimin ndryshe, mund të më merrni në shënjestër gjykimi, nëse se këto fakte, rrethana kulturore e politike nuk janë dhe nuk pranohen si të vërteta, atëherë duhet kërkuar llogari në kriterin e dijeve të verifikuara të gjithsecilit.  Çdo individ i pa varur duhet të jetë i realë në gjykimin e situatës që ndodh për rreth nesh. Secili është lirë që vlerësimin tim mund ta rishqyrtoj si të dojë vet, madje edhe le ta trajtoj e kuptoj ndryshe, me dëshmi e argumente të verifikuara nga informacionet e mundshme ekzistuese, që të mbeten faktet e situatës politike e kulturore, si dëshmi ndihmëse e gjithëpërfshirëse në suazat e kohës përjetuar.

Ne bashkëjetuesit e kësaj fryme politike duhet pa hezitim ta themi të vërtetën dhe perspektivën e shoqërisë, si qenie të pranishme në këto hapësira ekzistuese, dhe assesi ta anashkalojmë situatë e krijuar dhe ta kalojmë jetën si oportunist të mjerë apo si njerëz të pa përgjegjshëm në hapësirë dhe kohë, kur janë interesat e përgjithshme qytetare e kombëtare. Në këto rrethana politike mund edhe të gjuani e anoni nga të doni me shigjeta fjalësh e ofendimesh për njëri-tjetrin, (siç shihet nëpër shumë komente), por mos i ikni të vërtetës dhe argumentit bindës në të mirë të shoqërisë. Duhet të jemi gati për betejë të drejtë për të vërtetën ekzistuese, mu në fushë të gjerë veprimi, kryesisht duke pasur para sysh gjuhën e argumentit dhe arsyes së verifikuar nga shkenca dhe informacioni baze që kemi, sadopak, për t’i mbrojtur parimet dhe pikëpamjet e bindjes, në mënyrë të argumentuar dhe me dimension alternativ të hapur shoqëror. Pa anuar e pa qenë të ngujuar në dogmatizëm politik, por duke aluduar në kriter zhvillimi dhe në kulturë veprimi të formësuar drejtë. Pikërisht ky përkushtim i sinqertë duhet të na shërbej të gjithëve për mbijetesë veprimi bashkëkohor e sistemor, ndryshe nga ajo monotonia e përcjellë e artit të kulturës konvencionale e qeverisjes, e cila politikisht është stërpërsëritur keq deri më tani, në këto njëzet vitet e fundit të demokracisë, e cila, tanimë, pa dashje mund të përhapet e vazhdoj për të keq dhe në mënyrë virusale edhe më tej kohës sonë.

 Remzi Salihu

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button