Lot dhe përqafime, surpriza e spitalit për çiftin që i ndau koronavirusi pas 50 viteve martesë

Asgjë nuk mund të ndajë dy shpirtra të dashuruar. 50 vite martesë për çiftin italian, Giorgio 77 vjeç dhe Rosa 74 vjeçe, u diagnostikuan me COVID-19, transmeton OraNews.

Fillimisht ishte Giorgio i cili u shtrua në një spital në Cremona më 17 mars, me simptoma të rënda të virusit. Koordinatorja e spitalit, Manuela Denti shprehet se ai ishte një njeri shumë i dashur dhe vetëm në pak kohë 77 vjeçari e bëri të gjithë stafin mjekësor për vete.

“Gjatë kësaj periudhe ne mësuam për historinë e dashurisë 50 vjeçare të Giorgios dhe Rosas. Ne krijuam një lidhje të veçantë me të. Pavarësisht se ai kishte simptoma të rënda Giorgio kurrë nuk ankohej, madje gjithmonë na lavdëronte për punën tonë” – shprehet Manuela.

Vetëm pak kohë më vonë edhe e shoqja, Rosa u diagnostikua me COVID-19 dhe u shtrua në të njëjtin spital, por në pavion tjetër pasi simptomat e saj ishin më pak serioze.

Për shkak të gjendjes së saj në përmirësim, ajo u largua më shpejt nga spitali se bashkëshorti i saj.

“Kur morëm vesh për këtë koincidencë unë sëbashku me kryekirurgen Carla Garello vendosëm të organizonim një takim surprizë për çiftin përpara se Rosa të largohej” – shprehet Manuela.

Rosa u dërgua në dhomën ku qëndronte Giorgio ku u takuan. Për stafin mjekësor ishte një takim shumë magjik dhe prekës.

“Ata u përqafuan për 10 minuta të tëra. Ishte e pamundur për mua dhe pjesën tjetër të stafit që t’i mbanim lotët. Kjo është pikërisht ajo për të cilët ne mjekët po luftojmë. Takime të tilla i mbushin njerëzit me shpresë dhe gëzim. Ne po punojmë fort që edhe Giorgio të dalë sa më shpejt nga spitali dhe të bashkohet sërish me bashkëshorten e tij” – përfundon koordinatorja e spitalit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button