SHBA-ja synon rihapjen graduale të ekonomisë

Në Shtetet e Bashkuara, ku kurba e të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi, duket se është duke u rrafshuar, autoritetet paralajmëruan se mund të nisin lehtësimin e masave të izolimit.

Presidenti Donald Trump tha se të martën do të bëjë publike një task-forcë që do të punojë për rihapjen e ekonomisë amerikane.

Duke folur në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se do të njoftojë brenda ditësh se kur dëshiron të rihapë vendin, ndërsa shtoi se kufizimet e udhëtimit me Evropën do të hiqen “në kohën e duhur”.

Mbi 17 milionë njerëz kanë humbur vendet e punës në SHBA gjatë tri javëve të kaluara, për shkak të mbylljes së biznesve, kufizimeve në udhëtim dhe masave të tjera që janë ndërmarrë për luftimin e koronavirusit, transmeton REL.

Deri mbrëmjën e së hënës, numri i viktimave nga koronavirusi në SHBA ka qenë mbi 23,200, ndërsa i të infektuarve mbi 682,000.

Gjashtë qeveri shtetesh në SHBA-në verilindore gjithashtu paralajmëruan se do të formojnë panele rajonale për heqjen graduale të masave të izolimit.

Andrew Cuomo, guvernator i Nju Jorkut – shtetit më të prekur nga koronavirusi – tha se rihapja e bizneseve do të kërkojë një “ekuilibër delikat”.

“Askush nuk ka qenë këtu më parë, askush nuk i ka të gjitha përgjigjet,” tha Cuomo, duke shtuar se “adresimi i shëndetit publik dhe i ekonomisë” janë dy shqetësimet kryesore.

Autoritetet shëndetësore paralajmëruan se heqja e shpejtë e kufizimeve mund të nxisë një valë të re të infektimeve me koronavirus, ndërsa rekomanduan rritjen e numrit të testimeve për të përcaktuar se kush mund të jetë bartës i virusit.

  1. Ato po ashtu kërkojnë nga publiku që të vazhdojë praktikën e distancimit fizik, pastrimit të rregullt të duarve dhe mbajtjes së maskave mbrojtëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button