Pas një muaji, përfundoi gjendja e krizës në Dibër dhe Zhupë, 10 ditë nuk ka të infektuar të rinj

Pas 10 ditëve pa asnjë të sëmurë të ri nga koronavirusi dhe 30 ditë të kaluara nga shpallja e gjendjes së krizës, prej dje në territoret e komunave Dibër dhe Qendër Zhupë vlejnë masat e njejta si në mbarë vendin.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sipas propozimit të Shtabit kryesor koordinues të krizës, i hoqi të gjitha masat e parapara për territorin e dy komunave të përmendura të cilat ishin në fuqi sipas planit të aksionit të përgatitur më 13 mars 2020.

Drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Agron Buxhaku tha se nga aspekti epidemiologjik, vendosja e gjendjes së krizës në Dibër dhe Zhupë ka kontribuuar në 10 ditët e fundit, të mos ketë raste të reja të personave të infektuar me koronavirus, transmeton MIA.

“Bilanci i deritanishëm, shpresojmë përfundimtar, është në vijim: nga 49 pacientë të konfirmuar me KOVID-19 – 16 të shëruar, 4 të vdekur, për 8 priten rezultate nga testimi i dytë, 29 pacientë janë në mjekim shtëpiak”, theksoi Buxhaku.

Ai theksoi se personat mjekësorë, si lokal, ashtu edhe ata të ardhur për të ndihmuar nga pjesë të tjera të vendit, e meritojnë falënderimin më të madh për krejt çka bënë dhe po bëjnë për qytetarët e Dibrës dhe Qendrës Zhupë.

Buxhaku iu falënderua edhe pjesëtarëve të MPB-së, Armatës së RMV-së, Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Kryqit të Kuq, organizatave humanitare joqeveritare dhe të gjithë të tjerëve për kontributin e tyre të madh për tejkalimin e gjendjes së krizës. Përgëzimin më të madh, theksoi ai, e meritojnë qytetarët e Dibrës dhe Qendrës Zhupë të cilët maksimalisht iu përmbajtën të gjitha masave të miratuara nga ana e institucioneve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button