fbpx

Shqiptarët në ‘falimentim’ me shkencat teknike

Vendet e zbrazëta në Fakultetet e shkencave teknike në vendin tonë mbushen për çdo vit, por për fat të keq jo me studentë shqiptarë. Në fakt, të rinjtë shqiptarë janë koncentruar në fakultetet e juridikut dhe shkencave ekonomike të cilët e vërshuan dhe e kanë paralizuar tregun e punës në këto sfera, thonë ekspertët.

Mungesa për kuadro shqiptare ka filluar të bëhet problem i ndjeshëm , pasi që ligjëruesit shqiptar në shkollat e mesme teknike dhe po ashtu në Universitete nuk ka kush ti zëvendëson pasi që ata dalin në pension. Madje edhe këto të tanishmit duhet të udhëtojnë prej një qyteti në tjetër që të ligjërojnë nëpër shkollat e mesme dhe fakultetet.

Për Portalb, këtë e pohoi zëvendës drejtori i shkollës së mesme teknike të autotrafikut dhe drejtim të komunikacionit  Zekir Zekiri, i cili po ashtu është ligjërues në Fakultetin e Shkencave të zbatuara në USHT.

“Ne nuk mund t’i plotësojmë zbrazëtirat për ligjërues sepse kemi mungesë të kuadrove. Vijnë profesor nga qytetet tjera për të ligjëruar në lëndët e drejtimeve të komunikacionit, të makinerisë e kështu me radhë. Gjithsej i kemi diku 17 Inxhinierë të cilët ligjërojnë në të gjitha drejtimet, si në Makineri , Elektroteknikë, Komunikacion etj.”, tha Zekiri.

Ai shtoi se edhe fakultetin e Shkencave të Zbatuara, interesimi i të rinjve për të studiuar është shumë i vogël.

“Unë ligjëroj në USHT në fakultetin e shkencave të zbatuara në drejtimin e Mekatronikës dhe Inxhinierisë Ekonomike. Interesimi i të rinjve dhe numri i studentëve është skajshmërish i vogël, ku numri i tyre është 10 studentë në grup. Këto janë drejtime të reja dhe ky proces është në fillim dhe ndoshta kjo mund të jetë arsyeja e interesimit të vogël, ndoshta në të ardhmen do të kemi më shumë studentë”, tha ai.

Nga fakulteti i elektroteknikës dhe teknologjive informative në Universitetin Shën Qirili me Metodij në Shkup,  studentja shqiptare Blerta Haxhijaha, për Portalb tregon se cili është numri i studentëve shqiptar në atë drejtim.

“Në fillim kishte afërsisht 500 studentë, mirëpo me kalimin e kohës ai numër zvogëlohet dukshëm ngase siç thonë studentët u duket rëndë dhe më pas largohen. Sidoqoftë nga ai numër i madh i studentëve në gjeneratën time, jemi diku 6-7 studentë shqiptarë, mirëpo në gjeneratat tjera ka shumë më pak”, tha ajo.

Ajo më pas shtoi se në fakultetin e tyre nuk ka ligjërues , asistentë e as demonstrator shqiptar.
Ka kaluar një vit kur Ministri i Arsimit të Maqedonisë Pançe Kralev mbajti ligjërata nëpër shkollat e mesme të Shkupit duke shprehur shqetësimin për kuadrot, me qëllim që t’i stimulojë nxënësit të studiojnë shkencat teknike./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button