Zyrtare: Qeveria e RMV-së online mori masa të reja në luftën kundër virusit korona, përfshirë Dibrën

Në seancën e 40-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u miratuan ndryshimet për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe masat për qytetarët që vijnë nga vendet me rrezik të lartë, transmeton Portalb.mk.

“Ndalim të qarkullimit për gjithë qytetarët prej orës 16:00 të premten deri në ora 05:00 të marten. Forcim të masave për izolimin e shtetasve të RMV-së që vijnë nga vendet me rezik të lartë për 21 ditë, si dhe të ndërpritet pensionimi i punonjësve mjekësore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme”, njoftojnë nga Qeveria.

Qeveria e autorizoi Ministrinë për punë të brendshme që të rritë kontrollin rreth tempujve fetarë gjatë kohës së festive.

“Në këtë seancë Qeveria konstatoi se ka mbaruar periudha e Gjendjes së Krizës në komunën e Dibrës dhe Qendrën Zhupa, dhe kjo gjendje i ka dhënë rezultatet e pritura në planin shëndetësor”, raportojnë nga Qeveria.

Qeveria miratoi Dekretin për autorizimin e RMV-së te Fondi monetar ndërkombëtar për financimin nga Instrumenti për financimin e shpejtë gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme. Këtë fond prej 176.7 milionë euro, Qeveria e RMV-së theksoi se do ta shfrytëzon për masat shëndetësore dhe stabilizimin e makroekonomisë.

Qeveria e miratoi Informacionin për nevojat e shfrytëzimit të ndihmave makro-financiare të BE-së për vendet joanëtare të BE-së.

Në Seancë u vendos që ambasadorëve dhe konsujve të RMV-së t’i ulet rroga për 20 përqind për muajin prill dhe maj.

Gjithashtu, u konfirmua që nga dita e enjte prej orës 16 deri të martën në orën 05, ndalohet lëvizja në të gjitha vendet për piknik, parqe dhe pyje në gjithë shtetin.

Në fuqi është ndalesa për grupimin e dy apo më shumë personave, përveç për prindërit me fëmijë deri 14 vjet. Më të moshuarve se 67 vjet u lejohet të dalin nga shtëpia prej orës 10 deri në orën 12 , të rinjve deri 18 vjet prej orës 13 deri në orën 15. Pronarët e qenve mund t’i nxjerrin jashtë gjysmë ore, prej orës 20 deri 20:30, dhe të mos jenë më larg se 100 metra nga objekti ku jetojnë.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot informoi se në 24 orët e fundit janë regjistruar 26 raste të reja të të infektuarve me virusin korona. Me këtë, numri i përgjithshëm i të infektuarve në RMV është 854 persona ndërsa raste aktive janë 772. Sipas të dhënave të ministrisë, në Klinikën e sëmundjeve infektive në Shkup kanë ndërruar jetë 4 persona: pacientja nga Shkupi, 79 vjeçare, pacienti nga Velesi, 68 vjeçar, pacienti nga Prilepi, 67 vjeçar dhe një pacient nga Shkupi, 63 vjeçar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button