Idlib, afër 110.000 persona kthehen në shtëpitë e tyre pas armëpushimit

Afër 110.000 civilë të zhvendosur nga vendet e tyre si pasojë e sulmeve të regjimit të Bashar al-Assadit dhe mbështetësve të tij, kthehen në shtëpitë e tyre pas armëpushimit të 6 marsit, ndërsa ata tokat e të cilëve kanë mbetur në rajonin e kontrolluar nga regjimi, preferojnë të qëndrojnë në kufirin Siri-Turqi.

Muhammed Hallaj, drejtor i Grupit të Koordinimit dhe Reagimit në Siri i cili merret me shpërnguljet e civilëve, në deklaratën për Anadolu Agency (AA) tha se si pasojë e ndalimit të operacioneve ushtarake të regjimit dhe mbështetësve të tij si dhe armëpushimit, një pjesë e civilëve të migruar më parë janë kthyer në shtëpitë e tyre.

“Që nga tetori i vitit të kaluar mbi 1 milion civilë ishin zhvendosur nga vendet. Pas rreth 40 ditëve nga armëpushimi, 109.714 civilë, prej të cilëve rreth 19.500 familje janë kthyer në vendbanimet e tyre në provincën e Idlibit dhe vendet rurale si dhe në vendet rurale të Halepit”, tha ai.

Ai gjithashtu tha se qindra mijëra civilë nuk dëshirojnë të kthehen në rajonet e kontrolluara nga regjimi, duke preferuar të qëndrojnë në kampet në linjën kufitare Siri-Turqi.

– Gjendja në Idlib

Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana, u shpallën 4 zona të deeskalimit, përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij në (Latakia, Hama dhe Halep), pjesa veriore e qytetit Homs, Guta Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.

Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë duke shkelur armëpushimin, përveç Idlibit morën nën kontroll zonat tjera të mbetura nga 4 rajonet për të cilët ishte vendosur që të ruhej situata e tyre.

Pasi forcat e regjimit përshpejtuan grumbullimin ushtarak në shtator 2018, Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën një marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin. Regjimi pas një kohe të shkurtër rifilloi sërish sulmet që kishte ndërprerë, dhe në maj 2019 filloi operacionin tokësor për të marrë nën kontroll të gjithë rajonin.

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, në një deklaratë më 10 maj 2019, tërhoqi vëmendjen duke njoftuar se sulmet dhe provokimet në rritje të elementëve të regjimit në jug të Idlibit janë shndërruar në operacion tokësor që nga 6 maji.

Regjimi dhe mbështetësit e tij që nga kjo periudhë si rezultat i sulmeve intensive artilerike dhe sulmeve ajrore, krahas rajoneve të mëdha si Kafranbuda, Khan Shaykun, Maarat al-Numan, Saraqib morën nën kontroll edhe pjesën jugore dhe juglindore të Idlibit, pjesën veriore dhe periferinë lindore në Hama, pjesën jugore dhe periferinë perëndimore të Halepit si dhe shumë vendbanime të tjera.

Që nga Marrëveshja e Soçit më 17 shtator 2018 e deri më tani në sulmet e ndërmarrë në Idlib nga regjimi dhe mbështetësit e tij kanë humbur jetën rreth 2.000 civilë. Ndërsa numri i të zhvendosurve që nga janari 2019 e deri më tani ka arritur në 2 milionë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button