Jo vetëm nga policia dhe ushtria, tani qytetarët do të mbikëqyren edhe nga dronet

Përveç forcave të policisë dhe të ushtrisë në terren të Shqipërisë, për të monitoruar nëse qytetarët shqiptarë po e respektojnë karantinën dhe fashat orare që lejohen për të dalë, në ajër do të qarkullojnë edhe drone, shkruan Top Channel.

Policia e Shtetit prezantoi sot dronet për monitorimin e situatës. Janë 50 drone që do të jenë në patrullim në disa nga zonat kryesore, ndërkohë që në vendet ku ka grumbullime njerëzish, droni me një audio do t’u bëjë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të respektojnë rregullat e distancimit social. Dronet janë të pajisur me kamera dhe altoparlant.

“Për policinë zgjerimi i fashës orare do të thotë më shumë punë, më shumë angazhim. Zgjerimi i fashës orare do të thotë për policinë më shumë kontroll. Edhe qytetarët duhet ta kuptojnë se thjesht krijohet më shumë mundësi për ata që duhet të shkojnë në punë dhe për ata që duhet të shkojnë për të blerë. Përndryshe gjithë të tjerët që gjenden jashtë këtyre kushteve do të ndëshkohen. Në funksion të rritjes së kontrollit janë marrë edhe një sasi e caktuar dronësh inteligjentë, që mundësojnë identifikim dhe ndjekje të personave që thyejnë karantinën. Ftoj qytetarët për bashkëpunim siç kanë bërë deri më tani, dhe për mirëkuptim dhe moskeqkuptim të fashës orare që synon mosgrumbullimin. Sot kemi pasur kontrolle të forta në tregje”, -tha ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj.

Ministri ka shtuar se vëmendja do të përqëndrohet në tregjet kryesore të vendit. Nga sot kanë filluar kontrolle të forta në tregjet e Tiranës dhe Shkodës, dhe do të vazhdojë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button