Do të shkulet pllaka përkujtimore e Nenës Terezë në Shkup

Në lokacionin atraktiv në qendër të Shkupit, mes përmendoreve të Aleksandrit të Madh dhe Portës Triumfale, në vendin ku gjenden themelet e shtëpisë së Nënës Terezë, do të ndërtohet një objekt për qëllime komerciale dhe afariste. Në këtë vend, tre pishat, të cilat ajo i mbolli në vitin 1980, kur ajo u shpall qytetare nderi e Shkupit, do të përfundojnë në bërllok.
Këtë vendim e morën këshilltarët e komunës Qendër, pas miratimit të ndryshimeve të planit detajor urbanistik “Mall ring”.

Në këtë lokacion, fillimisht u planifikua që të ndërtohet kishë, pastaj godina administrative e Bankës Popullore të Maqedonisë, e lartë 40 metra, por para do kohe autoritetet sërish u bënë pishman, ndaj sipas ndryshimeve të fundit të planit urbanistik, do të ndërtohet objekt komercial i lartë 16 metra, gjegjësisht tre kate me përdhese.

Në këtë lokacion, ku së shpejti do të shndërrohet në fushë ndërtimi, krahas asaj se dikur gjendej shtëpia e Nënës Terezë, qëndrojnë edhe tre pishat, të cilat nobelistja i mbolli në vitin 1980, kur u shpall qytetare nderi e Shkupit.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës Qendrës Vlladimir Todoroviq, pohoi se në vendin ku do të ndërtojnë, tani ka vetëm asfalt.

“Ndërtuam shtëpinë-përkujtimore, ndërsa së shpejti do të vendosim edhe monument. Në vendin e paraparë për objektin e ri, tani ka vetëm asfalt, sepse tërmeti ka shkatërruar shtëpinë”, thekson kryetari Todoroviq.

Përmendorja e Nënës Terezë është paraparë të vendoset në rrugën e cila shpie nga MEPSO drejt sheshit, ndërsa me madhësinë e saj prej 32 metrave do ta vë në hije madje edhe Ushtarin në Kalë prej 28 metrave. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button