RDK dënon dhunën, kërkon qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme

Ka reaguar edhe Rilindja Demokratike Kombëtare për mënyrën e sjelljes së buxhetit dhe dhunës së ushtruar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Partia e Rufi Osmanit ka dënuar dhunën duke konsideruar se institucioni më i lartë ligjvënës tani më është delegjitimuar.

“Precedencat juridike gjatë miratimit të buxhetit të vitit 2013 në Parlamentin e vendit të shoqëruara më brutalitetin dhe konflikualitetin ekstrem në mes të dy partive më të mëdha politike maqedonase, kanë krijuar pasoja shkatërrimtare për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në vend. Dhuna institucionale dhe qërimi fizik e hesapeve politike është epilog i pritur i një atmosfere shumë negative të krijuar për një periudhë të gjatë kohore në vend. Rilindja Demokratike Kombëtare dënon ashpër këto veprime antidemokratike që delegjitimuan rëndë Parlamentin e vendit si institucioni më i lartë juridik dhe demokratik” – thuhet në kumtesën e RDK-së.

Përgjegjësinë për ndodhitë e së hënës në Kuvend RDK e sheh te partnerët e koalicionit qeverisës.
 
“Përgjegjësia kryesore për këtë skandal të rëndë politik dhe juridik, i takon kryesisht qeverisë aktuale sepse është pikërisht kjo qeveri që i dha pretekstin e bllokimit të Parlamentit opozitës nëpërmjet skenarit për miratimin e Ligjit për forcat e sigurimit. Thyerja e procedurave parlamentare në rastin e miratimit “antidemokratik” të buxhetit të vendit demaskoi rëndë koalicionin qeveritar VMRO-BDI dhe nxori në sipërfaqe zbatimin asimetrik të procedurave të njëjta juridike për ligje të propozuara nga pozita dhe opozita politike në vend” – qëndron në kumtesë.

RDK ka pyetur publikisht VMRO-në dhe BDI-në, nëse do të zbatojnë mënyrën e njëjtë për zhbllokimit edhe të Propozim Ligjit për branitellat, i cili mbetet i bllokuar në Komisionin për Punë dhe Politikë Sociale.

Për tejkalimin e krizës politike në vend, RDK propozon formimin e një qeverie gjithpërfshirëse teknike, deri në mars, ndërsa në mars të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button