Zeqiri: Gabim i madh i BDI dhe PDSH që morën pjesë në seancë

Gabimi më i madh që e kanë bërë dy partitë shqiptare, njëra në pozitë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe tjetra në opozitë Partia Demokratike Shqiptare është se morën pjesë në seancën skandaloze ku u votua buxheti anti-shqiptar.

Në këtë mënyrë janë vendosur në shërbim të VMRO-së e cila u bën dëm shqiptarëve, njëra duke votuar për dhe tjetra kundër Buxhetit të vitit 2013. Kështu është shprehur deputeti i Rilindjes Demokratike Kombëtare për portalin Ina.

“Nuk e kam të qartë se si mundet një parti e cila quhet Bashkimi Demokratik për Integrim të mbrojë dhe përqafojë një procedurë që rrënon vetë themelet e demokracisë dhe vështirëson skajshmërish, për të mos thënë pamundëson plotësisht integrimin e vendit në botën perëndimore që është një nga arsyetimit kryesore më të cilat kjo parti arsyeton ekzistimin e saj në skenën politike” ka thënë deputeti Izet Zeqiri.

”Gjithashtu mbetet një enigmë e pa-sqarueshme se pse një parti që quhet Partia Demokratike Shqiptare, me pjesëmarrjen e saj në këtë seancë parlamentare mbrojti sjelljen skajshmërish antidemokratike, mohuese dhe nënçmuese të partnerit maqedonas në Qeveri dhe bëhet pjesë e një luftë mjaft antishqiptare në vend që buron para se gjithash nga numrat e shënuara në buxhetin e vendit. Së fundi, do doja që këto parti të tregojnë se çka do të bëjnë nëse VMRO vendos që në këtë stil dhe qasje ta kalojë edhe Ligjin për “branitellat”?

Një hadith potencon se çdokush që vëren se bëhet diçka jo e drejtë, duhet që ta kundërshtojë me vepra, në qoftë se nuk mundet me vepra, atëherë ta kundërshtojë me fjalë e në qoftë se nuk mundet me fjalë atëherë duhet ta kundërshtojë me ndjenja. Në këtë drejtim dëshiroj të potencoj që në bazë të përfaqësimit që e kanë në parlament dy partitë tjera shqiptare, pra BDI dhe PDSH kishin mundësi që me vepra ta ndalojnë miratimin e kësaj të keqeje të madhe për shqiptarët, por këtë nuk e bënë “

RDK është partia e vetme shqiptare parlamentare në Maqedoni që nuk mori pjesë në seancën e dhunshme të së hënës sepse sipas tyre është bërë shkejle e procedurave dhe se nga kjo parti besojnë se nuk duhej legjitimuar ky proces nga ana e asnjë partie opozitare e në veçanti nga partitë shqiptare në opozitë.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button