RMV, koronavirusi ka goditur ekonominë, mijëra largime nga puna

Ekonomia e Maqedonisë së Veriut është goditur rëndë nga koronavirusi, që ka shkaktuar pasoja në të gjithë sektorët e ekonomisë, në veçanti në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, shumë prej të cilave kanë ndërprerë aktivitetet e tyre.

Ministrja e Financave, Nina Angellovska, thotë se buxheti në dy muajt e parë të vitit kishte nisur të realizohet sipas parashikimeve, por nga mesi i marsit filloi rënia ekonomike si pasojë e virusit që ka goditur të gjithë sektorët në vend, transmeton REL.

“Që nga 20 marsi, kur nisëm masat shëndetësore për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, nisi të ndjehet kriza ekonomike, pra të kemi rënie të madhe të të ardhurave nga taksat, edhe atë për rreth 25 për qind mesatarisht, në bazë ditore. Kjo çoi në një rënie totale të të ardhurave nga taksat në mars prej 11 për qind në krahasim me një vit më parë, kryesisht për shkak të rënies së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, rënies së akcizave dhe rënies së tatimit mbi fitimin”, ka deklaruar Angellovska.

Për shkak të uljes së aktiviteteve ekonomike, humbjet buxhetore pritet të sillen ndërmjet 700 milionë dhe 1.3 miliard euro.

Mbulimi i këtij boshllëku pritet të bëhet me borxhe nga institucionet financiare ndërkombëtare edhe atë prej rreth 800 milionë euro dhe masave tjera. Qeveria në seancës e premtes ka miratuar edhe rishikimin e buxhetit, duke shkurtuar fondet e shumë ministrive në vlerë prej rreth 120 milionë euro. Me këto para pritet të mbulohen sektorë të tjerë, në veçanti masat për mbrojtje shëndetësore si dhe bizneset.

Por, organizatat sindikaliste raportojnë për mijëra largime nga puna dhe masa joefikase nga qeveria. Sipas tyre, vetëm gjatë muajit mars nga Enti i Punësimit janë shlyer rreth 20 mijë punëtorë, ndërsa kjo shifër mund të rritet nëse nuk ndërmerren masa serioze. Nga Shoqata për hotelieri dhe turizëm pranë odës ekonomike, kanë refuzuar ndihmën e qeverisë prej 14,500 denarë apo rreth 230 euro për çdo punëtorë, pasi e njëjta pas krizës duhet t’i kthejnë, ndërkohë që siç thonë nëse këtë e pranojnë atëherë u merret e drejta të aplikojnë për ndonjë projekt tjerë të ndihmës.

“Është shumë me rëndësi që publiku të dijë se të gjitha masat që janë propozuar dhe miratuar aktualisht, nëse i përdorim ato, do të na fusin në borxh të mëdha pas krizës, gjë që nuk e dimë kur do të përfundojë”, tha Martin Angelovski nga Shoqata për hotelieri dhe turizëm.

Nga Agjencia e Punësimit kanë thënë se informacionet për largime nga puna nuk mund të konsiderohen të sakta, pasi bëhet fjalë për një procedurë të pranishme edhe para pandemisë dhe se bëhet fjalë për lëshime, por edhe pranime në punë.

“Informacionet nuk janë të vërteta pasi te ne në qendrat e punësimit as janë bërë ç’lajmërime nga sigurimi i obligueshëm social, e as që për momentin kemi paralajmërime masive për teprica teknologjike për numër të madh të personave”, thotë Biljana Jovanovska, drejtore e Agjencisë së Punësimit.

Masat e qeverisë janë komentuar edhe nga opozita, e cila i ka quajtur si joefikase ndërsa ka akuzuar për shpenzim të parave shtetërore sikur të mos kishte gjendje të jashtëzakonshme, siç thotë Trajko Sllavevski nga VMRO-DPMNE-ja. Kjo parti kërkon shkurtimin e buxheteve të të gjitha institucioneve dhe rritjen e ndihmës për bizneset që janë në gjendje të rendë.

“Secili institucion në sektorin publik individualisht duhet të shkurtojë fondet joproduktive dhe publikisht t’i njoftojë ato në mënyrë që të konfirmojë ose jo synimet e sinqerta të kësaj qeverie për sa i përket kursimeve të buxhetit. Ne rekomandojmë një rishpërndarje urgjente të fondeve në buxhetin e shtetit, më shumë fonde për kujdesin shëndetësor dhe bizneset dhe më pak për shpenzime joproduktive”, ka deklaruar Sllavevski.

Nga masat e qeverisë nuk janë përshirë punonjësit e administratës, të cilët edhe pse nuk punojnë vazhdojnë të marrin pagat e njëjta sikur edhe para krizës ekonomike. Kjo ka nxitur reagime të shumta në veçanti të bizneset e goditura nga kriza. Qeveria më 14 mars në kuadër të masave ndaloi punë e të gjitha hoteleve, kafeneve, restoranteve, bareve, lojërave të fatit e bastoreve sportive, që sipas vlerësimeve kanë edhe numrin më të madh të të punësuarve në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button