Illyricum Libertas: Kërkojmë gjykim të drejtë!

Jemi të sigurt që në këtë rast, jo vetëm që nuk ka asnjë element të veprës penale që na ngarkohet, por përkundrazi në gjithë këto aktivitete qytetarët, kalimtarët e rastit dhe vetë qyteti kanë përfituar disa moment gëzimi, relaksi në këto kohëra të rënda në të cilat jetojmë gjithë bashkë. Me këto organizime ne i kemi kontribuar jo ndarjes dhe urrejtjes, por përkundrazi konfidencës dhe kohezionit nacional e qytetar si dhe uljes së tensioneve ndëretnike që si një mallkim ndjekin nga pas shoqërinë tonë dyetnike. Kështu thotë kryetari i shoqatës Illyricum Libertas, Valon Kurtishi për gjykimin e nesërm ndaj anëtarëve të kësaj shoqate, në një letër të hapur dërguar Portalb.

Në vijim është letra e prezantuar në mënyrë integrale:

Sh.m.a.i.k ILLYRICUM LIBERTAS – Tetovë, shpreh keqardhje të thellë që ndodhet në bankën e të akuzuarve dhe në një sallë ku zakonisht, drejtësia është e detyruar të zgjidhë mosmarrëveshje ose shkelje ligjore të ndryshme të individëve apo grupeve që përbëjnë rrezik për një shoqëri të emancipuar e moderne. Por njëkohësisht me këtë ndjenjë të hidhur, ndjehemi më të sigurt pasi jemi në një Gjykatore ku ndahet drejtësi.

Dhe ne besojmë fuqishëm se kemi të drejtë dhe si rrjedhojë do të lirohemi nga akuza që na ngarkohet tërësisht me të padrejtë. Nxitja e urrejtjes etnike, fetare e racore, ndarja dhe mosdurimi është një vepër e rëndë, e pamoralshme dhe e rrezikshme për marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe për të ardhmen e çdo vendi.

Një vepër e tillë e rëndë mer një rëndësi të veçantë dhe akoma më specifike në shoqëritë shumetnike, të cilat shansin e vetëm të mbijetesës e kanë në respektin ndaj kulturave tjera, tolerancën dhe bashkëpunimin shoqëror.

Deri këtu jemi të gjithë të një mendje, në refuzimin e prerë dhe të fuqishëm që gjithe bashkë duhet tu bëjmë elementëve të paarsyeshëm që i shkaktojnë këto dukuri të rrezikshme për gjithë ne. Për më tepër, ne kërkojmë nga autoritetet shtetërore kompetente që të jenë vigjilentë dhe të ndërmarrin masa të rrepta kundër gjithë atyre që në një mënyrë ose në tjetrën janë shkaktarë të urejtjes ndërgrupore me motive të ndryshme.

Në këtë drejtim, me lejoni që të paraqes pikëpamjen tonë në lidhje me arsyeshmërinë ose paarsyeshmërinë dhe me të vërtetat e veprës që na ngarkohet. Së pari, 28 nëntori është festa e flamurit të komunitetit tonë, i cili festohet kudo ku jetojnë pjesëtarët e tij. Festimet mund të jenë të natyrave të ndryshme, në formë të organizuar ose jo.

Së dyti, Ne si grup i shokëve dhe si Shoqatë civile kulturore në mënyrë shumë publike dhe në katër evente të ndryshme e kemi shënuar këtë ditë të rëndësishme të kulturës sonë kombëtare.

 E përsërisim edhe njëherë që të gjitha veprimtaritë si grafiti, zbukurime me flamuj, ekspozitë me piktura në Pallatin e Kulturës dhe organizimi i një Koncerti para Pallatit të Kulturës, kanë qenë të gjitha të organizuara në pajtim me Ligjet në fuqi.

Pjesëmarrja e qytetarëve, dashamirësve të artit, të rinjve të entuziazmuar me muzikën ka qenë e madhe. Gjithë kjo ka kaluar në mënyrë festive, të qetë e të kulturuar pa as më të voglën vërejtje apo incident. Nga ana tjetër, në koncertin me muzikë Rock, në mesin e shumë të rinjve kam vërejtur edhe dashamirës të këtij zhanri artistik të përkatësisë etnike maqedonase. Së treti, vizatimi i grafitit artistik ka qenë publik dhe është bërë gjatë ditës. Kjo tregon se aty nuk ka pasur asnjë për të bërë diçka joligjore, sekrete, asnjë qëllim për të fyer, nënçmuar apo sulmuar grupe të caktuara shoqërore.

Ata individë jonormalë që kryejnë vepra penale i bëjnë zakonisht gjatë orëve të vona në fshehtësi nga organet shtetërore. Kjo tregon edhe njëherë qëllimin tonë të vetëm, e ai është festimi me kulturë e qytetari i një feste popullore.

Për më tepër, shprehja e lirë e ideve, mendimeve, dëshirave pa mos fyer e kërcënuar të tjerët është një e drejtë e garantuar kushtetuese e për më tepër natyrore e cila duhet respektuar për çdo anëtar të shoqërisë sonë. Së katërti, në vetë veprën artistike në fjalë, nuk ka asnjë fjalë, asnjë rresht, simbol, asnjë gjë që mund të fyejë tjerët.

Kemi të bëjmë me një hartë historike artistike ku përfshihen qytete në të cilat komuniteti e feston 28 nëntorin; kemi të bëjmë me simbolin e komunitetit shqiptar i cili është pjesë e kulturës së vendit tonë. Së pesti, Paralelisht me këtë vepër arti, gjendet një parullë e madhe e shkruar me shkronja cirilike, me titull “Makedonija”.

Ajo vazhdon të qëndrojë aty e paprekshme. Në murin përballë qëndron gjithashtu një Hartë e madhe historike që tregon qytete të Maqedonisë së dikurshme gjeografike. Edhe ajo nuk është prekur dhe qëndron e pastër aty ku ka qenë më parë. Pra, të nderuar të pranishëm, kjo tregon edhe njëherë se qëllimi ynë nuk ka qenë assesi dhe kurrsesi që të fyhen tjerët, por thjesht të festohet dhe vetëm të festohet.

Si përfundim, ne jemi të sigurt që në këtë rast, jo vetëm që nuk ka asnjë element të veprës penale që na ngarkohet, por përkundrazi në gjithë këto aktivitete qytetarët, kalimtarët e rastit dhe vetë qyteti kanë përfituar disa moment gëzimi, relaksi në këto kohëra të rënda në të cilat jetojmë gjithë bashkë.

Me këto organizime ne i kemi kontribuar jo ndarjes dhe urrejtjes, por përkundrazi konfidencës dhe kohezionit nacional e qytetar si dhe uljes së tensioneve ndëretnike që si një mallkim ndjekin nga pas shoqërinë tonë dyetnike. Për fund, më lejoni të shpreh edhe njëherë, që ne besojmë që sistemi gjyqësor i këtij vendi ka akoma burra dhe gra të ndershëm, profesionistë që Ligjin e kanë mbi të gjitha dhe gjithçka.

Ne presim dhe jemi të sigurt se Gjyqi duke peshuar faktet dhe argumentet do të vendosë me paanësi, duke u bazuar në të drejtën, dhe do të marrë vendimin e vetëm të mundshëm të drejtë, e ai është lirimi nga akuza i të gjithë ne./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button