Mjekët ndërpresin grevën pas një muaj e gjysmë

Ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov dhe Sindikata e pavarur e Qendrës klinike në Shkup arritën marrëveshje në bisedimet të cilat u zhvilluan gjatë javës së fundit në lidhje me ndërprerjen e grevës së mjekëve e cila zgjati një muaj e gjysmë. 

Që nga dita e nesërme, mjekët specialistë do të kthehen në vendet e tyre të punës me orar të plotë, ambulantet sërish do të jenë të hapura dhe pacientëve do t’u ofrohet mbrojtje e plotë shëndetësore.

Si kusht për ndërprerjen e grevës, mjekët kërkuan rritjen e rrogave, largimin e reklamave të Qeverisë në lidhje me modelin, si dhe eliminimin e gjobave të cilat i parasheh ky model. Për të gjitha këto çështje u arrit marrëveshje e cila gjatë ditëve të ardhshme do të  duhet të nënshkruhet dhe e cila do të shoqërohet me një aneks të marrëveshjes kolektive me qëllim që të jetë edhe ligjërisht e përcaktuar.

“U arrit marrëveshje në lidhje me shumicën e kërkesave tona, u pajtuam edhe në lidhje me atë se në çfarë forme do të rrjedhë modeli. Gjithashtu, arritëm marrëveshje edhe në lidhje me rrogën e dhjetorit dhe reklamat e Qeverisë, për çka  vendosëm që të ndalojmë me grevën”, u shpreh Dejan Stavriq, kryetar i Sindikatës së pavarur të Qendrës klinike./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button