COVID-19 është rishfaqur te pacientët e shëruar në Korenë e Jugut

Në një kthesë të papritur të ngjarjeve në Korenë e Jugut, 91 persona për të cilët mendohej se ishin shëruar nga koronavirusi i ri (COVID-19) rezultuan pozitivë në testin e dytë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përkundër këtij trendi shqetësues, Jeong Eun-kyeong, kreu i Qendrave të Koresë për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha se është regjistruar numri më i ulët i rasteve të reja në 24 orët e fundit.

Ai tha se ata që kanë rezultuar pozitivë për të dytën herë përbëjnë rreth 1 për qind nga numri i përgjithshëm i të shëruarve, ka bërë të ditur agjencia e lajmeve Yonhap.

Nga 10.450 rastet e konfirmuara në vend, mbi 7 mijë persona janë shëruar.

Autoritetet shëndetësore të Koresë së Jugut thanë se janë regjistruar vetëm 27 raste të reja, që ndodh për herë të parë që nga 20 shkurti.

Qyteti juglindor Daegu, i cili kishte numrin më të madh të të infektuarve në vend, për herë të parë nuk ka raportuar për raste të reja.

Në ndërkohë, numri i vdekjeve është rritur në 208, me katër vdekje të reja.

Pandemia ka shkaktuar një rënie të prodhimit në industrinë shumë-miliardëshe të prodhimit të automjeteve në Korenë e Jugut.

Në një deklaratë të Shoqatës së Prodhuesve të Automjeteve në Kore thuhet se prodhuesit e automjeteve të vendit dhe firmat e pjesëve të automjeteve do të pësojnë një mungesë të parave prej të paktën 23 miliardë dollarëve, nëse situata e koronavirusit vazhdon për katër muajt e ardhshëm.

Ata thonë se nëse industria e automobilave mbetet e prekur gjatë periudhës prill-korrik, shitjet do të bien për 30 për qind.

Pasi për herë të parë u shfaq në Wuhan të Kinës, virusi është përhapur në mbarë botën me epiqendër të re Evropën, pasi Kina kryesisht ka dalë nga kriza.

Bazuar në të dhënat nga Universiteti “Johns Hopkins” me qendër në SHBA, deri më tani nga virusi kanë vdekur mbi 96 mijë persona dhe janë infektuar mbi 1.6 milionë, ndërkohë janë shëruar mbi 355 mijë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button