Nishani uron Krishtlindjen

“Është një kënaqësi e veçantë, që me rastin e Festës së Krishtlindjes, t’ju shpreh urimet më të mira e të përzemërta kudo ku jetoni dhe punoni! Kjo ditë e shenjtë e kalendarit të krishterë, e cila simbolizon ditën e lindjes së Krishtit dhe të forcimit të besimit në Zot, rilind në zemrat e mbarë besimtarëve përjetime të gëzimit dhe të shpresës për të ardhmen, ku të gjithë, me dëshirë e besim, bashkohemi në qëllimet më fisnike e në vlerat më të larta njerëzore.” 

Kështu nis urimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, drejtuar të gjithë besimtarëve të krishterë. Nishani vë theksin tek toleranca fetare e vendit tonë: “Për Krishtlindjen urojmë sot njëri-tjetrin, familjarët, të afërmit, miqtë dhe ashtu sikundër e kemi trashëguar brez pas brezi ne shqiptarët, kremtojmë të gjithë së bashku në një vatër, në një sofër, në paqe e mirësi. Tradita e vyer historike dhe kulturore e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, pasuri shumëshekullore e brezave të njëpasnjëshëm në këtë vend, na mëson të mbështetemi tek mirëkuptimi, besimi, bashkëpunimi dhe ndjenja e solidaritetit me njëri-tjetrin si mënyra e vetme për të ecur të sigurt drejt prosperitetit, për të ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi parime të lirisë e të së drejtës dhe të denjë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane.”

“Në këtë ditë të Krishtlindjes mendja dhe zemra jonë është tek njerëzit që kanë më shumë nevojë, tek ata që ndihen të vetmuar, ata që kanë humbur shpresën dhe besimin për një të ardhme më të mirë. Këtë Krishtlindje e festojmë në një moment të veçantë për kombin tonë, në 100-vjetorin e Pavarësisë, ndaj le të tejkalojmë çdo pengesë artificiale dhe të bashkojmë të gjitha energjitë për të ecur bashkarisht në rrugën e përparimit dhe begatisë njerëzore. Zoti qoftë me ne shqiptarët në këtë rrugë!”, uroi Nishani./Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button