Ulcera dhe gastriti në stomak, këshilla për ushqimin dhe ilaçet

Problemet gastrointenstinale prekin një përqindje relativisht të lartë të popullatës, jo vetëm në Shqipëri por dhe në botë. Për sa i përket sëmundjeve të aparatit tretës, kryesisht stomakut, përqindjen më të lartë e zënë gastritet, më pas vijnë ulçera e stomakut, ulçera e duodenit, refluksi gastroezofagial dhe tumoret e stomakut.

Valdete Malajgastrohepatologe, shëndeti.com.al

Si shkak kryesor për këto sëmundje mund të përmendim teorinë acido – peptike. Vetë stomaku prodhon acid klorhidrik, pepsinë, njëkohësisht prodhon dhe mukus për ta mbrojtur mukozën e stomakut nga acidi klorhidrik dhe pepsina. Balancimi i prodhimit të mukusit dhe prodhimit të acidit klorhidrik e pepsinës ruan një pehash dhe mukozë normale të stomakut. Por në rrethana të caktuara ndodh prishja e kësaj balance, me mbizotërim të faktorëve agresivë siç janë: acidi klorhidrik dhe pepsina që çon deri në krijimin e gastriteve dhe ulçerës. Faktor tjetër është helikobakter pilori, që është një bakter që rritet në stomak dhe është shkaktar për gastritin, ulçerën e deri dhe në kancer të stomakut. Ndër shkaqe të tjera për krijimin e problemeve të stomakut është dhe përdorimi i aspirinës dhe anti – inflamatorëve jo – steroidë ose siç quhen ndryshe preparate anti – reumatizmale. Këto mund të krijojnë probleme gastrit – erozive, ulçeracione e deri në hemorragji vdekjeprurëse, sidomos në moshën e tretë.

Doktoresha, cilat shenja duhet të na shqetësojnë në mënyrë që të paraqitemi tek mjeku gastrohepatolog?

Simptomat mund të jenë nga më të thjeshtat, si përshembull një ndjenjë parehatie në stomak pas të ngrënit apo fryrje barku, e deri tek simptomat më të rënda si dhimbja. Në përgjithësi, në eksperiencën tonë si mjekë, është pikërisht dhimbja që i detyron pacientët që të vijnë të vizitohen. Shenjat e tjera më të lehta mendohen si diçka që do kalojnë dhe neglizhohen. Por, është mirë që pacienti të paraqitet tek mjeku që me shenjat e para sepse si të gjitha sëmundjet e tjera edhe ato të stomakut, duke u kapur sa më herët, mund të trajtohen më mirë.

Po fëmijët e vegjël mund të kenë probleme me stomakun?

Po, që në periudhën e paslindjes mund të vihen re anomali të lindura të stomakut. Problematika më e shpeshtë që vihet re është refluksi gastroezofagial. Kjo kuptohet nëse direkt pas ushqyerjes fëmija ka të vjella. Në këto raste nënat duhet të konsultohen tek mjekët përkatës për të marrë këshillat e duhura. Zakonisht me kalimin e moshës, këto probleme edhe zhduken.

.

Po gratë shtatzëna a mund të vuajnë nga shqetësimet me stomakun? Çfarë duhet të bëjnë kujdes?

Nëse këto gra kanë pasur probleme me stomakun para shtatzënisë, ato probleme rishfaqen në një intensitet akoma më të lartë. Kjo për shkak të shtimit të acidit klorhidrik. Gjithashtu tipike te gratë shtatzëna, është dhe shfaqja e shenjave të refluksit. Vetë rritja e përmasave të abdomenit ngre lart diafragmën dhe stomakun, gjë që shkakton refluksin. Pas lindje çdo gjë normalizohet.

Duke qenë dhe në këtë periudhën e ndërrimit të stinëve, temperaturat ndryshojnë, ulen, a mund të kemi probleme me stomakun, çfarë mund të bëjmë për ta evituar këtë?

Në periudhën e vjeshtës dhe atë të dimrit pacientëve që kanë probleme me aparatin gastrointestinal ju fillojnë shqetësimet apo riakutizimet. Kjo ndodh për shkak të faktorëve klimaterikë:  ndryshimit të temperaturave dhe shtimit të lagështirës. Aparati tretës është shumë i ndjeshëm ndaj ndryshimit të temperaturave, të ftohtit. Gjithashtu në periudhën e dimrit njerëzit bëjnë një jetë më sedentare, më pasive dhe konsumojnë më shumë ushqime. Këto sjellje ndikojnë negativisht në aparatin tretës.

.

Si mund ta bëjmë diferencimin mes gastritit dhe ulçerës, ka shenja dalluese?

Zakonisht gastriti ka shenja të një diskomforti, fryrje epigastrike pas ushqimit, disa ushqime nuk i pranon, ka dhe gromësitje. Ajo që e diferencon nga ulçera, por jo gjithmonë, është prania e dhimbjes. Dhimbja është karakteristike për ulçerën dhe ndodh zakonisht pas ushqimit. Kohëzgjatja e dhimbjes ka të bëjë me lokalizimin e ulçerës sepse ulçera mund të jetë në stomak apo në bulbin e duodenit. Dhimbjet e ulçerës së lokalizuar në stomak fillojnë rreth gjysmë ore pas ushqyerjes, ndërsa ato të ulçerës së bulbit të duodenit 1 – 2 orë pas konsumimit të ushqimit. Gjithashtu personat me ulçer kanë dhimbje edhe natën, rreth orës 4 – 5 të mëngjesit i zgjon nga gjumi. Në këto raste ne dyshojmë që pacienti ka ulçer. Ne bëjmë ekzaminimin për helikobakter pilorin dhe ekzaminimin gastro – skopik apo siç njihet ndryshe sonda e stomakut. Pas këtyre ekzaminimeve vendoset diagnoza dhe mënyra e mjekimit.

Disa këshilla për personat që vuajnë nga gastriti dhe ulçera?

Tek pacientët  që kanë gastrite ose ulçer është me shumë rëndësi ekzaminimi i saktë, korrekt  dhe trajtimi në varësi të llojit të sëmundjes. Krahas trajtimit me medikamente, për të cilin ka protokolle të caktuara kur këto gastrite ose ulçera kanë të pranishëm dhe helikobakter pilorin, e rëndësishme është kufizimi apo dhe mospërdorimi i i aspirinës, medikamenteve anti – inflamatore.

Gjithashtu duhet të tregohet kujdes me të ftohtin. Nëse qëndrohet në të ftohtë aparati tretës reagon me tkurrje dhe shtim të aciditetit, që çojnë në dhimbje.

Kujdes duhet të tregohet dhe me ushqimet. Ushqimet pikante, të skuqura, turshi mund të bëhen shkaktarë për riakutizim, ndikojnë në mukozën e stomakut dhe mund të sjellin shfaqjen shenjave të gastritit dhe ulçerës. Por duhet të kemi parasysh që ushqimet ndikojnë në mënyra të ndryshme në njerëz të ndryshëm, prandaj secili prej nesh duhet të kuptojë se cilat ushqime i bëjnë mirë dhe cilat e dëmtojnë.

Ngrënie ngadalë, nga pak dhe shpesh. Ngrënia e shpejtë e ushqimit dhe përtypja jo e mirë e tij i shton punën stomakut, duke sjellë probleme në sistemin tretës. Përveç ngrënies së mëngjesit, drekës dhe darkës rekomandohet dhe ngrënia e ndonjë ushqimi mes këtyre vakteve për të absorbuar lëngjet që prodhon stomaku.

Diçka tjetër që këshillohet  është dhe lënia e duhanit tek personat që e pijnë atë. Duhani nxit në mënyrë të jashtëzakonshme prodhimin e acidit të stomakut, që futet tek faktorët dëmtues të stomakut, duke krijuar një habitat të përshtatshëm për shumëzimine helikobakter pilorit

Mjekimi i stresit është shumë i rëndësishëm. Në ditët e sotme vihet re një tendencë goxha e madhe e shtimit të stresit, që ndikon në krijimin e gastritit dhe ulçerës. Kështu konsultimi me psikologun, psikiatrin dhe trajtimi i stresit ndihmon në uljen e mundësisë për të zhvilluar gastritin dhe ulçerën.

Ata që kanë prindër apo të afërm me probleme të aparatit tretës duhet të paraqiten te mjeku që në momentin e parë që u shfaqen shenja dhe simptoma të gastritit apo ulçerës. Qofshin këto shenja të lehta si fryrje, gazra, gromësitje apo dhimbje e lehtë ose më të rënda si mostretje, të përziera dhe të vjella, parregullsi në jashtëqitje, me gjak dhe me ngjyrë të errët etj.

Tek personat që përdorin ilaçe të ndryshme, sidomos ata në moshën e trëtë duhet të marrin ilaçe mbrojtëse të stomakut. Kjo sepse ka raste kur këto ilaçet të shumta mund të çojnë deri në hemorragji, sidomos aspirina dhe holluesit e gjakut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button