Këshilla për ata që punojnë nga shtëpia me fëmijët ‘nëpër këmbë’

Të punosh nga shtëpia është e lehtë të thuhet, por jo gjithnjë e thjeshtë për t’u bërë – për të gjithë ata që kanë ndryshuar papritur zakonet e të punuarit – muret e shtëpisë janë shndërruar në një zyrë, por edhe në një shkollë, nëse kanë fëmijë të vegjët, për të cilët duhet të kujdesen, shkruan revista Class.

Në këtë periudhë bashkëjetese familjare të detyruar është e vështirë të keni një vend ku mund të punoni të qetë e të izoluar, me orare fikse dhe një disiplinë të hekurt. Për më shumë, duke qenë se në pjesën më të madhe të familjeve, ngarkesa mendore dhe ajo e punëve të shtëpisë bie kryesisht te gratë, puna nga shtëpia bëhet sfilitëse.

Sipas një sondazhi, një në tre gra po punon më shumë se më parë dhe e ka të vështirë të ruajë një ekuilibër mes punës dhe detyrimeve familjare. I kryer te 1300 burra dhe gra që punojnë nga shtëpia, sondazhi nxjerr në pah nevojën për ndarjen e punëve në shtëpi mes dy partnerëve. Por, në fund të fundit, kjo nuk është diçka e re.

Më poshtë janë disa strategji të vogla për t’i vënë në praktikë nëse punoni nga shtëpia me fëmijët ‘nëpër këmbë’

1. Tregohuni të sinqertë me shefin tuaj. Bëjini të ditur se cilat janë për ju oraret më të përshtatshme për mbledhje, videokonferenca apo për dërgime email0esh. Përpiquni të organizoni mbledhje kur fëmijët kanë zakonisht orarin e gjjumit. Nëse fëmijët kanë më shumë nevojë për ju në mëngjes, njoftojeni se ju do të nisni punën rreth mesditës, Nëse tregoheni të drejtpërdrejtë me shefin tuaj, do të fitoni pikë dhe do të jeni më produktivë.

2. Përcaktoni turne me partnerin/partneren tuaj. Ndajeni ditën me turne në varësi të punës së përditshme, në mënyrë që të shmangni diskutimet e zënkat. Puna e ndarë, për shembull dy orë njëri e pastaj tre orë tjetri; tre orë njëri e dy orë tjetri mund të jetë pak stresuese, por në fund do t’ju krijojë mundësinë të izoloheni dhe të përqendroheni tek puna, dhe nuk do të jeni të detyruar të kujdeseni në mënyrë të vazhdueshme për fëmijët.

3. Përpiquni të organizoni ditën. Mundohuni të ruani rutinën që kishit më parë. Në momentet kur nuk ka video-mësime, e mbi të gjitha për fëmijët më të vegjël – përpiquni t’i mbani të zënë, duke u organizuar lojëra, të cilat nuk kanë nevojë për mbikëqyrje të tepërt – për shembull me vizatime apo lojëra me konstruksione. Nëse bëni një plan të përditshëm apo javor aktivitetesh – i ndihmoni edhe fëmijët ta përballojnë situatën me më pak stres.

4. Menaxhoni qëndrimin para ekranit të TV në mënyrë të shëndetshme. Edhe pse deri më sot e kemi shmangur sa më shumë të ishte e mundur që televizori të bënte babysitterin, po jetojmë në një situatë të paprecedentë dhe të gjithë jemi në një modalitet mbijetese. Në këto kohëra, duke mos e ekzagjeruar dhe duke përzgjedhur programet, ju mund të bëni disa tolerime dhe t’u jepni mundësinë fëmijëve të shohin më shumë filma dokumentarë, filma për moshën e tyre, programe shkencore ose krijuese. Pa u ndier në faj.

5. Shfrytëzoni situatën për të krijuar diçka të veçantë. Ju mund ta bëni të veçantë kohën e “burgosjes” në shtëpi duke bërë një pushim prej 15 minutash e të luani së bashku, apo të provoni të gatuani diçka të re së bashku me ta. Duke u kushtuar kohë, ata do të bëjnë më pak teka dhe do të ndiejnë se janë në qendër të vëmendjes dhe dashurinë tuaj.

6. Bëni paqe me faktin se nuk jeni të përsosura. Kur punoni me fëmijët në shtëpi nuk mund të jeni produktivë gjithnjë 100 për qind. Me siguri do të humbni shpejtësinë dhe përqendrimin. Ju mund ta ndani këtë peshë me partnerin tuaj, por shpërqendrimi është aty pranë. Ju nuk mund të pretendoni të keni të njëjtin efikasitet me kolegët tuaj që nuk kanë fëmijë. Në disa raste, ndoshta nuk do t’i respektoni afatet e në të tjerat, po. Megjithatë është e rëndësishme të çoni në fund të gjithë detyrat që ju kanë ngarkuar, me kujdesin e nevojshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button