BDI: Opozita maqedonase të ul tensionet

Përmes një kumtese për media, BDI ka shprehur shqetësimin e saj për zhvillimet e fundit në dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, duke konsideruar se këto ngjarje nuk kontribuojnë në qëllimin e përbashkët të qytetarëve të Maqedonisë. 

“Në këtë drejtim vlerësojmë se dallimet dhe konfrontimet politike në asnjë mënyrë nuk guxojnë të kërcënojnë funksionet themelore të shtetit si dhe mirëqënien dhe rahatin e qytetarëve në vend. Njëkohësishtë, konsiderojmë se miratimi i buxhetit shtetëror është një prej parakushteve bazike për funksionimin e shtetit, andaj, ky dokument asesi nuk duhet të jetë vegël e luftës për përfitimin e pikëve politike” – thuhet në kumtesën e BDI-së.

Nga BDI thonë se zhvillimet e djeshme janë në kundërshtim me proceset eurointegruese dhe rekomandimet e Këshillit të ministrave të BE-së.

“Rrezikimi i funkcioneve themelore të shtetit dhe të institucioneve të sistemit është në kundërshtim të drejtpërdrejt me rekomandimet e qarta të këshillit të ministratve të BE-së që tre mujorshi i parë i vitit 2013 t’i përkushtohet ekskluzivisht dinamizimit të reformave edhe zgjidhjes së kontesteve, e gjithë kjo si parakushtë për hapjen e negociatave për aderrim në BE dhe anëtarësim në NATO” – qëndron në kumtesë.

Partia shqiptare në pushtet i ka bërë thirrje LSDM-së që të ul tensionet në favor të qetësimit të situatës.
  

Lajme të ngjashme

Back to top button