Micksoki dhe Zaev u deklaruan pasi u futën në vetëizolim

Liderët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski u deklaruan pasi që janë futur në vetëizolim.

Zaev përmes profilit të tij në Fejsbuk konfirmoi se është në vetizolim për shkak të kontaktit me një pacient me koronavirus, ndjehet mirë dhe se është duke pritur për rezultatin e testit që i është bërë sot.

Dëshiroj t’ju informoj se gjatë javës së kaluar kam pasur një intervistë në TV me një gazetar, për të cilin kohët e fundit u vërtetua se ishte pozitiv në Kovid-19. Megjithëse gjatë intervistës kemi marrë të gjitha masat mbrojtëse siç është shmangia e kontaktit dhe ruajtja e distancës, sipas të gjitha protokolleve, që nga sot jam në vetizolim në shtëpinë time në Strumicë. Nuk kam simptoma, sot jam testuar për praninë e virusit dhe i presim rezultatet gjatë ditës – pas çka do të përcaktohen hapat e ardhshëm”, ka shkruar Zaev.

Mickoski, konfirmoi sot në profilin e tij në Fejsbuk se është në vetizolim, edhe pse rezultatet e testit që është bërë janë negative.

“Të dashur bashkëqytetarë, në lidhje me informacionet që dolën për gjendjen time shëndetësore, dëshiroj t’ju informoj se deri më tani jam në gjendje të shkëlqyeshme shëndetësore dhe fizike. Gjatë ditës së djeshme, pasi mora informacionin se shëndeti i gazetarit me të cilin pata një intervistë saktësisht një javë më parë ka probleme shëndetësore dhe e njëjta është e ndërlidhur me pandeminë, bëra një test, rezultatet e të cilit janë negative. Sidoqoftë, unë do të respektoj rekomandimet e profesionistëve të shëndetit dhe në periudhën e ardhshme prej disa ditëve do të qëndroj në izolim. Shpresoj për shërimin e shpejtë të gazetarit dhe kthimin e tij të shpejtë në vendin e punës”, shkruan Mickoski.

Vazhdoj, shton ai, nga shtëpia ime ta përcjellë situatën aktuale.

Ndryshe, sot ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe në konferencë të jashtëzakonshme për shtyp lajmëroi se dy liderët e partive maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski nga sot janë në vetizolim të detyrueshëm, njofton Portalb.mk.

“Liderët e dy partive më të mëdha në vend, Zaev dhe Mickoski nga sot janë në izolim shtëpiak të detyrueshëm pas informacioneve që i mori ministria e Shëndetësisë se një gazetar me COVID-19 gjatë javës së kaluar ka realizuar intervista televizive me të dy liderët.” tha Filipçe.

Pas kësaj, janë testuar të dy liderët, rezultati i Mickoskit ka dalë negativ, por ai do të mbetet në vet-izolim të detyrueshëm për 14 ditë.

“Rezultati i Zoran Zaevit pritet të del gjatë ditës së sotme. Por ai pas marrjes së informatës është vendosur në karantinë shtëpiake në Strumicë”, tha Filipçe.

Gazetari është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po mjekohet në Spitalin “8 Shtatori”. Gjatë mëngjesit do të bëhen anketa epidemiologjike me numrin e saktë të personave që do të shkojnë në vetëizolim.

Përndryshe, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dje informoi se janë regjistruar 46 raste të reja të të infektuarve me virusin korona. Me këtë numri i përgjithshëm i të infektuarve në RMV është 663 persona. 

Për informata më të detajuara për situatën me virusin korona, klikoni në këtë link: http://gdi.mk/corona/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button