Lufta ndaj COVID-19, pasqyra e donacioneve ndërkombëtare dhe diskursi kosovar

Për afro një muaj që kur në Kosovë u shfaqën rastet e para me virusin COVID-19, përpos mobilizimit të brendshëm për parandalimin e përhapjes, nisi edhe mbështetja ndërkombëtare me mjete materiale e shëndetësore.

Duke mos zotëruar kapacitete të mëdha buxhetore e shëndetësore për të përballuar një krizë të shpërthimit masiv të virusit vdekjeprurës, zyrtarët kosovarë kanë mirëpritur ndihmat që janë ndarë nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe shtete të tjera.

Pranimi i fondeve nga qeveria u quajt ndihmë për imunizimin e sistemit shëndetësor derisa javët kritike afrohen.

Megjithatë, nuk munguan debatet mbi atë se kush ndihmoi më shumë dhe nëse Kosova u diskriminua karshi shteteve fqinje për ndihmat e pranuara.

Publiciteti i ndihmave të ofruara po ashtu pati trajtim të ndryshëm nga liderë e institucione të ndryshme.

Ndihma nga BE, ShBA e më gjerë

Afër një muaj nga fillimi i krizës me coronavirus, qeverisë së Kosovës iu ofruan ndihma të ndryshme nga jashtë.

Megjithatë, ende nuk është publikuar një databazë që përmbledh dhe përshkruan saktë se kush dhe çfarë ka dhuruar.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, ka udhëzuar që për të ditur informacionet mbi ndihmat duhet referuar njoftimeve zyrtare të vazhdueshme që janë bërë nga faqja e Ministrisë së Shëndetësisë.

Megjithatë këto të dhëna janë të shpërndara dhe jo të strukturuara. Gjithashtu, shpesh në njoftime zyrtare nuk përshkruhet lloji apo shuma e donacionit veçse përmendet shteti apo organizata dhuruese.

Kryeziu në përgjigjen e tij ka përmendur disa prej këtyre donacioneve.

“…kompletimi i Laboratorit të Mikrobiologjisë molekulare në Klinikëm Infektive, me asistencën e Qeverisë Italiane, pastaj asistenca e shteteve të tjera, mbështetja me donacione nga UN agjensitë për mjete mbrojtëse profesionale (PPE), mbështetja e BE-së me 5 milionë euro për fazën e parë të menaxhimit të pandemisë Covid-19, donacionet prej 3.6 tonelata nga UNICEF-i, asistenca e Qeverisë Zvicerane; Norvegjeze dhe së fundi edhe ajo e Republikës së Turqisë, etj…” thuhet në përgjigjen e tij.

BE 5 milionë euro ndihmë imediate me mjete shëndetësore
ShBA 1.1 milionë euro
UNICEF 3.6 tonelata donacione
Zvicra 500 mijë franga
Norvegji Rreth 500 mijë euro
Turqia Mjete mjekësore
Italia Kompletimi i Laboratorit në Klinikën Infektive

 Kritikat e lëvdatat për donatorët

Më 30 mars të këtij viti, Kosova nënshkroi kontratën për donacionin e parë nga BE lidhur me COVID-19, në vlerë prej 5 milionë euro.

Siç u tha, ky donacion u nda për nevojat imediate të sistemit shëndetësor të Kosovës.

Ndërsa, përveç kësaj shume, më tutje, Zyra e BE-së  në Kosovë ka njoftuar se ka ndarë 68 milionë euro për Kosovën.

Sipas publikimit, 50 milionë euro  do të ndahen për sektorin ekonomik dhe 13 milionë euro për buxhetin e Kosovës.

Pak ditë para kësaj, BE kishte ndarë 7.5 milionë euro për Serbinë, veprim ky që ngjalli reagime.

Fillimisht, ish- Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli e kishte quajtur standard të dyfishtë diskursin e BE-së lidhur me ndihmat ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Pas kësaj, kishte reaguar edhe Artan Behrami, Këshilltari i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai kishte shkruar se BE ka më shumë vepra për Serbinë e më shumë premtime të thata për Kosovën.

“Ambasadorja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, krejt çfarë i ofron Kosovës janë disa lëvdata për Ministrinë e Shëndetësisë. Arben Vitia padyshim që është ministri më i mirë në kabinetin e Kurtit. Por, ambasadore, edhe ne kemi nevojë për mbështetje me pajisje medicionale. Edhe personelit shëndetësor, edhe ekipeve që po ballafaqohen nga afër me këtë pandemi, u nevojiten pajisje mbrojtëse, prandaj përkraheni edhe Kosovën njëjtë si Serbinë. Me vepra, jo me fjalë.”, ka shkruar Behrami.

Megjithëkëtë, pranimi i donacionit 5 milionësh nga BE u prit mirë nga qeveria që organizoi konferencë për këtë ngjarje.

Konferencë u organizua edhe për një donator për Kosovën.

Më 8 prill në Kosovë u bë pritje zyrtare në Aeroportin e Prishtinës për një kontigjent ndihmash që erdhi nga Turqia. Vlera e saktë e këtyre ndihmave nuk është bërë e ditur nga qeveria e Kosovës.

Ndihmës me material shëndetësorë nga Turqia iu falënderua edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi që nuk kishte bërë falënderime të tilla për donacione të tjera.

“Kjo është ndihma e parë nga jashtë që ka arritur në Kosovë. I jemi mirënjohës Presidentit Erdogan, shtetit të Turqisë dhe popullit turk, që na ka dal në ndihmë edhe në këtë kohë të rëndë, të cilën do ta tejkalojmë së bashku”, shkroi Thaçi në Facebook.

Në ndërkohë, Kosova është shprehur e gatshme që t’i ndihmojë Italisë me personel mjekësor.

Autore: Doruntina Baliu

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button