“Reporterët pa kufij” kërkon mbrojtje të mediave gjatë pandemisë

“Reporterët pa kufij” (RSF) u ka bërë thirrje institucioneve kombëtare dhe evropiane të mbrojnë median derisa këto e përmbushin misionin e tyre publik në kushte të rrezikshme të pandemisë Kovid-19, kur gazetarët bëhen viktima kolaterale të sulmeve nga armiqtë e ndryshëm të lirisë së shtypit – përfshirë edhe disa qeveri, për të cilat thuhet se po e përdorin gjendjen e jashtëzakonshme për t’u qëruar hesapet me kritikët e tyre, transmeton Meta, përcjell Portalb.mk.

Në një deklaratë, RSF citoi shembullin e gazetares serbe Ana Laliq, e cila ka shkruar për mungesën e pajisjeve mbrojtëse për punonjësit shëndetësorë në spitalin në Novi Sad me ç’rast ajo është arrestuar ndërsa ia konfiskuan laptopin dhe telefonin e saj zyrtar. Laliq ka refuzuar të zbulojë burimet e saj të informacionit, prandaj RSF deklaron se identiteti i tyre mund të zbulohej nga pajisjet e punës të konfiskuara. Reporterët pa kufij kujtojnë se gazetarja u lirua mëngjesin tjetër pasi kryeministrja Ana Brnabic e tërhoqi vendimin e qeverisë se vetëm shtabi i krizave mund të jep informacione për koronavirusin. Sidoqoftë, Lalic mund të dënohet me burg deri në pesë vjet dhe gjobë.

RSF e interpreton këtë rast si shembull të një “tendence më të gjerë në Ballkan dhe në pjesën lindore të Bashkimit Evropian, pasi raporti tregon se ligjet represive për të luftuar Kovid-19 po përdoren për të shtypur lirinë e shtypit.”

Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, platforma e gazetarisë hulumtuese IRL është përballur me kërcënime pasi publikoi një raport me titull “Përfitim Pandemik ose kujdes për komunitetin: Ana tjetër e storjes për Kovid-19”. “Acibadem Sistina”, spitali i lidhur me oligarkun Orce Kamçev e ka fyer gazetarët dhe ka kërkuar tërheqjen e tekstit, venë në pah Reporterët pa kufij.

RSF gjithashtu kujton se qeveria hungareze ka rritur kompetencat e kryeministrit Viktor Orban për një periudhë të papërcaktuar. Ligji i Hungarisë për gjendje të jashtëzakonshme për shkak të Koronavirus ka përfshirë vendos dënime deri në pesë vjet burg për përhapjen e lajmeve të rreme, ndërsa në praktikë është qeveria ajo ë vendos se çfarë është e saktë. Kjo erdhi pas sulmeve dhe kërcënimeve të koordinuara kundër mediave të pavarura të akuzuara për dezinformim, megjithëse ata raportuan për Kovid-19 më me përgjegjësi sesa mediat pro-qeveritare.

RSF raporton se qeveria polake ka miratuar ligje të ashpra, ashtu që pasi u akuzua për shkelje të rregullave sanitare, gazetari i pavarur Wlogjimerzh Cieka kaloi dy orë në një stacion policie për shkak se kishte filmuar një protestë nga katër persona para shtëpisë së presidentit të partisë në pushtet. Protesta u nxit nga një vendim për të mos shtyrë zgjedhjet presidenciale të 10 majit për të siguruar fitoren e Presidentit në detyrë Andrzej Duda. Duke refuzuar shtyrjen e zgjedhjeve për shkak të koronavirusit, partia në pushtet miratoi një ligj që lejonte votimin me postë, duke shkaktuar frikë midis opozitës dhe OJQ-ve se Kushtetuta, demokracia dhe pavarësia e mediave janë komprometuar.

Në Bullgari, e cila, sipas RSF, është vendi e renditur më së keqi në BE për Indeksin e Lirisë së Medias dhe vendin 111 në botë, qeveria ka miratuar një ligj me të cilin dënohet përhapja e lajmeve të rreme me deri në tre vjet burg dhe gjobë prej 5.000 euro. Presidenti më vonë vuri veton ndaj ligjit.

Në Rumani, me dekretin e fundit presidencial dhe rregullat e qeverisë lejojnë bllokimin arbitrar të faqeve të mediave. Dy portale, të akuzuara për përhapjen e lajmeve të rreme, janë mbyllur deri më tani, vendime kundër të cilave nuk ka asnjë ilaç juridik.

Në Republikën Srpska, në BiH me dekretin e ri lejon dënim për përhapje të lajmeve të rreme.

Në Slloveni, qeveria e Janez Janshës, një aleat i Presidentit Hungarez Viktor Orban, është përfshirë në një fushatë të hapur kundër gazetarëve menjëherë pas marrjes së detyrës në mes të marsit. RSF thotë se menjëherë pas kësaj kishin filluar shqetësime kibernetike, madje ed0he sulme fizike ndaj gazetarëve.

Gazetari hulumtues i Radio Evropa e Lirë, Bllazh Zgaga është përballur me një numër kërcënimesh në internet, përfshirë thirrjet për t’u vrarë, pasi dërgoi një kërkesë për qasje të lirë në informacione në Shtabin e  Krizave Covid-19. Në vend që t’i përgjigjej kërkesës, Shtai i krizave në Twitter e quajti Zgagën, intelektualin Slavoj вZhizhek dhe dy kritikë të tjerë, “pacientë psikiatrikë që kanë ikur nga karantina.” Media pro-qeveritare publikoi artikuj në kontekst të ngjashëm.

Reporterët pa kufij kujtojnë se Jansha ka bërë sulm verbal ndaj shërbimin publik RTV Sllovenia, gazetarët e të cilit e kritikuan rritjen e mundshme të pagave të ministrave. Ai i akuzoi ata për “përhapjen e gënjeshtrave” dhe se ishin “të tepërta” dhe kërcënoi se do të shkurtojë fondet për atë shtëpi mediatike.

RSF përmendi edhe shembullin e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili u dërgoi një mesazh qytetarëve përmes operatorit Vodafone. “Lani duart tuaja, mos lini shtëpitë tuaja për kënaqësi, hapni dritaret aq sa dëshironi dhe mbroni veten nga media.”

“Ky është vetëm një ilustrim i zymtë i faktit se derisa gazetarët kontribuojnë në luftën kundër Kovid-19, ata vetë bëhen viktima kolaterale, duke u përballur me sulme nga armiqtë e ndryshëm të lirisë së shtypit – përfshirë, për fat të keq, disa qeveri – të cilat e shfrytëzojnë situatën për të ndjekur penalisht e tyre”, ka konkluduar organizata Reporterët pa kufij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button