Pendarovski falënderoi Erdoganin për pajisjet mjekësore për COVID-19

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot ka realizuar bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, të cilin e ka falënderuar atë për donacionin turk për përballjen me COVID-19, njofton Portalb.mk.

“Njëkohësisht, presidenti Pendarovski shprehu solidaritet dhe mbështetje për Turqinë në përpjekjet e saj për të trajtuar COVID-19, duke pasur parasysh se Turqia është ndër dhjetë vendet më të prekura me afro 40.000 të infektuar dhe më shumë se 800 të vdekur. Në këtë kontekst, ai shprehu ngushëllimet e tij për personat që humbën jetën dhe uroi shërim të shpejtë për pacientët me COVID-19”, thuhet në kumtesë.

Presidenti Pendarovski gjithashtu ka informuar presidentin Erdoğan për gjendjen në Maqedoninë e Veriut dhe përpjekjet për ballafaqimit me koronavirusin, duke theksuar se gjendja është stabile dhe se Maqedonia e Veriut ishte ndër vendet e para në rajon që filloi aktivitetet për ballafaqim me pandeminë.

Nga kabineti i Pendarovskit informojnë se dy presidentët u shprehën të kënaqur për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe.

Pendarovski  ka falënderuar Erdoğanin edhe për mbështetjen afatgjate dhe të konsiderueshme të Turqisë për arritjen e një prej qëllimeve strategjike të vendit, anëtarësimin në NATO.

Ndërkaq, dje, një avioni i dërguar me porosi të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në Maqedoninë e Veriut solli pajisje mjekësore të dhuruara, të cilat përfshijnë maska, kostume mbrojtëse dhe sete për diagnostikim të shpejtë.

Përpos Maqedonisë së Veriut, ndihma të ngjashme u dërguan edhe për katër vende të tjera të Ballkanit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button