Kur koha tepron

Disave prej nesh koha nuk u tepron as kur janë në izolim. Ka aq shumë punë për të bërë, veçanërisht në kushte kur orari i punës bëhet befas ende më fleksibil se sa që ishte më herët. Në fakt, për ata që punojnë në arsim, në cilindo qoftë cikël të arsimit, koha e lirë është luks që rrallë e kanë, edhe pse shpesh në opinion mendohet e kundërta. Kështu, ekzistojnë stereotipe se mësuesit e profesorët punojnë vetëm gjatë orëve të ligjërimit para nxënësve apo studentëve. Janë të shumtë ata që mendojnë se mësuesit e profesorët universitarë kanë orar pune prej katër orësh në ditë, bile kanë edhe ditë të lira brenda javës kur nuk kanë mësim.

Fatkeqësisht, të paktë janë ata që e kuptojnë se për mësimdhënësit koha e ligjërimit është vetëm maja e ajsbergut, një e teta e gjithë masës së atij ajsbergu shumica e së cilës ndodhet ndër sipërfaqen e ujit e që për mësimdhënësin paraqet orë të tëra përgatitjeje, netër pa gjumë të kaluara në lexim dhe studim që nuk merr fund asnjëherë, ditë e javë të ndjekjes së trendëve të reja në fushën e ligjërimit, dhe muaj të tëra të kërrusur mbi kompjuter duke përpiluar punime shkencore aq të rëndësishme gjatë promovimit në tituj më të lartë.

Prandaj, orari i punës së mësimdhënësit serioz nuk është asnjëherë 4 apo 5 orë në ditë, është shumë më shumë se kaq. Dhe për më tepër ky orar është gjithmonë fleksibil, sepse pjesa më e madhe  e këtyre punëve bëhen kur të tjerët pushojnë, bëhen në mes të natës apo herët në mëngjes, bëhen të shtunave, të dielave, gjatë pushimeve verore e dimërore, bëhen gjatë izolimit dhe karantinës. Pra mësimdhënësit vazhdojnë të jenë në punë edhe gjatë izolimit, sepse puna e tyre mund të kryhet edhe nga shtëpia, prandaj obligimet e tyre ditore nuk janë pakësuar gjatë kësaj periudhe izolimi por bile janë shumëfishuar.

E megjithatë, për shumë njerëz jeta gjatë këtyre javëve të izolimit është ngadalësuar. Me masat e reja sipas të cilave qytetarëve u ndalohet lëvizja pas orës 16:00 si dhe gjatë tërë fundjavës, është e qartë që shumë njerëzve kjo fillon t’u vijë tepër vështirë. E megjithatë, a është vërtet kaq e vështirë të rrish në shtëpi? Në ditët e sotme, me gjithë këtë teknologji të avancuar, me gjithë këto mundësi të krijuara, njeriut i vjen ndonjëherë të lutet për pak më shumë kohë për të qëndruar në shtëpi. Ja shumica e atyre që tani ankohen, ditët e punës i kalonin duke u lutur që fundjava të vijë më shpejtë, e tani kur e gjithë java është fundjavë, pikërisht ata nuk rrinë dot të qetë, por papritmas duan të dalin nga shtëpia, të merren me aktivitete me të cilat asnjëherë në jetë nuk janë marrë, ose të pinë kafe gjithë ditën edhe me ata me të cilët deri dje nuk flisnin.

Në këto kohëra me teknologji kaq të avancuar është e pakuptimtë ta kesh të vështirë qëndrimin në shtëpi. Televizioni kablovik me qindra kanale, interneti pa kufi, rrjetet sociale të komunikimit e mbajnë komunikimin virtual të mundur në çdo orë. Mos harroni se deri sa nuk ishte ora policore të gjithë dilnin në kafene së bashku e sërish vazhdonin të shikonin në ekranet e telefonave të tyre. Cila është arsyeja që tani komunikimi nuk mund të bëhet virtualisht, kur gjatë gjithë kohëve të fundit ky komunikim ka qenë ekskluzivisht virtual?!

Jo vetëm që mësimi formal është online, po universitetet më të njohura botërore i kanë hapur dyert virtuale dhe kanë dhënë mundësinë e ndjekjes së kurseve të panumërta të ligjëruara nga profesorë më eminentë në botë. As kjo nuk mjafton?

Bibliotekat virtuale janë në kulm të furnizimit për të gjithë, ndërsa libraritë vendase dërgojnë libra deri tek shtëpitë e lexuesve, neve na mbetet vetëm të fillojmë t’i lexojmë ato libra që i kemi blerë qëmoti ose që mund ti blejmë tani e ti lexojmë se kemi gjithë jetën që ankohemi se nuk kemi sa duhet kohë për të lexuar.

Opera dhe baleti shfaqin shfaqjet më të njohura artistike në kanalet e tyre në internet. Pra nga komoditeti i dhomës suaj mund ta shihni për shembull “Liqenin e mjellmave” ose “Arrathyesen” e Çajkovskit.

Nëse nuk jeni adhurues të zjarrtë të leximit ose artit, është gjithmonë mundësia të merreni me fëmijët tuaj, me shtëpinë tuaj, me oborrin nëse e keni. Gjithmonë ankohemi se nuk kemi kohë sa duhet për t’u marrë më fëmijët tanë, me gatime, me pastrimin e shtëpisë. Gjithmonë ankohemi se nuk kemi një pasdite kur thjesht nuk do bënim asgjë por vetëm do e vështronim natyrën nga dritarja. E tani që e kemi këtë kohë, pse na rri mendja në rrugë? Pse kur mund ta pimë një kafe për qejfin tonë por mendjen e kemi tek kafeja që kafeteria e mëhallës e shërben në mënyrë klandestine me safa plastike?

Njeriu është gjithmonë një qenie skajshmërish e pakënaqur. Kur nuk kemi kohë, pse nuk kemi kohë. Kur koha na tepron, pse kemi shumë kohë dhe duhet të rrimë mbyllur. Më falni po ku rrimë mbyllur? Në shtëpitë tona. Për këtë duhet t’i vijë keq dikujt, duhet t’i dhimbsemi dikujt?

Sa e çuditshme! Dikur gjendja e orës policore ka asocuar në gjendje lufte, në gjendje mobilizimi, në humbje jetësh në luftime. Sot gjendja e jashtëzakonshme asocon në të ndenjur në shtëpi duke penguar në këtë mënyrë që virusi të përhapet. E ne megjithatë nuk e bëjmë dot as këtë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button