La Casa de Papel, ja misteret që do t’i jepen përgjigje në sezonin e ardhshëm

Nëse seriali La Casa de Papel ka pasur një shikueshmëri të lartë në Netflix, atëherë në gjendjen e karantinës të shkaktuar nga COVID-19, fansat e kanë parë atë për një kohë shumë të shkurtër, transmeton OraNews.

Sezoni 4 u publikua më datë 3 prill dhe përmbante 8 episode, por pavarësisht kësaj, shumë persona shkruajnë në rrjete sociale se e kanë parë atë brenda 1 dite.

Mënyra se si rrodhën ngjarjet gjatë këtij sezoni e lë të kuptohet që do të ketë edhe një sezon të pestë. Regjisori i serialit është kujdesur që të vendosë çdo ndodhi në mënyrë shumë të llogaritur.

Por duhet pranuar që në sezonin 4 ka pasur shumë skena të ekzagjeruara që dalin jashtë logjikës njerëzore, ndaj kjo i ka bërë fansat shumë konfuz për atë që do të sjellë sezoni tjetër.

Në këtë artikull do të gjeni spoiler për të gjithë seritë ndaj nëse nuk e keni parë ende, ju këshilloj që të mos vijoni me leximin.

Regjisori Alex Pina nuk ka zbuluar ende asnjë detaj nga sezoni i 5, as edhe se kur do të fillojnë xhirimet. Sidomos me situatën e krijuar nga përhapja e pandemisë së COVID-19. Edhe vetë aktorja e Lisbonës, Itziar Ituno është infektuar nga koronavirusi i ri. Ishte vetë ajo që e konfirmoi një gjë të tillë përmes një postimi në Instagram.

Sezoni 4 i ka dhënë përgjigje disa prej pyetjeve të bëra nga fansat në seritë e mëparshme, por gjithashtu ka ngritur disa dilema të tjera.

A është Tatiana e njëjta me Alicia Sierran

Një prej teorive dhe pikëpyetjeve të ngritura nga to është nëse Tatiana, e fejuara e Berlin e cila del në serinë e 6 të sezonit 3, është i njëjti personazh me inspektoren Alicia Sierra. Pavarësisht se mund të duket absurde, shumë persona e mendonin të tillë për shkak të tipareve të ngjashme mes dy aktoreve, tipareve në fytyrë, ngjyra dhe modeli i flokëve. Gjithashtu fëmija që ka Alicia në bark dyshohej se është i Berlin. Dhe se vetë inspektorja është pjesë e bandës dhe është infiltruar në rradhët e policisë. Por këtë sezon kjo pyetje duket se ka marrë përgjigje. Alicia ka qenë e martuar me një persona të quajtur German dhe ka qenë shumë e lumtur me të. Ai ndërroi jetë si pasojë e një sëmundje, një ngjarje që duket se ka pasur një ndikim të madh në personalitetin e Alicias. Tashmë e fejuara e Berlin është zhdukur dhe nuk del më në skenë përveç se në formën e kujtimeve. A do të jetë ajo një personazh protagonist në seri, duke qenë se ajo është në dijeni të planit të grabitjes. Kjo mbetet për tu parë në sezonin e ardhshëm.

Pse duhej Lisbona që të futej sërish në bankë?

Shumë prej ndjekësve të La Casa de Papel janë të mendimit se shpëtimi i Raquel dhe hyrja e saj në bankë ka të bëjë me dashurinë mes saj dhe Profesorit. Është e mundur. Por në të vërtetë ajo mund të jetë dhe çelësi për tu arratisur prej aty. Që pasi Palermo ndihmoi Gandian për tu liruar nga prangat, tensionet mes pjesëtarëve të bandës janë rritur shumë. Raquel me shumë mundësi mund të marrë komandën e operacionit. Ajo di mirë se si operon policia dhe është shumë e aftë në negocim dhe ka një karakter shumë të qetë. Lisbona mundet të kthejë dhe njëherë frymën e bashkëpunimit në grup.

Cili do të jetë ndëshikimi i Palermos?

Palermo, një personash shumë i rëndësishëm në seri, deri diku një kopje e Berlinit, ndoshta tashmë është kthyer dhe në një personazh shumë të urryer. Ishte pikërisht ai që ndihmoi Gandian, shefin e sigurisë së Spanjës që të lirohej nga prangat. Një akt hakmarrës ky pasi pjesëtarët e grupit vendosën që Tokyo të marrë rolin drejtues të grabitjes. Por veprimet e tij patën pasoja të mëdha. Ai mbahej i lidhur, por Profesori urdhëroi lirimin e tij me kusht që se do të dënohej më vonë. Gandia, një vrasës i trajnuar arrin që të vrasë Nairobin, ngjarje që duket se shkaktoi një traumë tek pjesëtarët e tjerë të bandës. Palermo sigurisht ndihet shumë në faj. Tashmë Palermo duket se nuk e do më veten. Prej egocentrizmit të tij, u vra një pjesëtar i grupit. Atëherë cili do të ishte dënimi i tij? Mund të vetësakrifikohet si Berlin për të ndihmuar shokët e tij? Vetëm një teori por mbetet për tu parë në vijim të serialit.

Çfarë do të bëjë Alicia Sierra pasi gjeti Profesorin?

Ky është ndoshta misteri më i madh i këtij sezoni. Alicia Sierra arriti të gjejë vendin ku fshihet Profesori, pas një serie ndjekjesh, një lojë shahu në dukje. Këtu duket të jetë një thikë me dy presje. Nëse Alicia do ta dorëzojë Profesorin në polici pas gjithë atij ekspozimi që ajo i bën eprorëve të saj në serinë e fundit në një konferencë për shtyp. Ajo tregon të gjithë të palarat që janë bërë në rrugë jozyrtare nga ajo dhe autoritetet duke i ekspozuar të gjithë. Shumë fansa presin që ajo të bashkohet me bandën e Profesorit. Do të ishte ndoshta ngjarja më interesante që do ta mbante gjallë sezonin e pestë. Por duke qenë se edhe kjo është një tjetër teori, gjithçka mbetet të shihet në sezonin e ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button