Transporti i mallrave me tren në mars ka rënë për rreth 20 përqind, nuk ka vonesa në dorëzimin e mallrave

Hekurudhat e RMV-Transporti në mars 2020 ka regjistruar rënie të vëllimit të mallrave të transportuar me rreth 20 përqind në trafikun hekurudhor të mallrave, krahasuar me marsin e vitit 2019. Këta janë treguesit fillestarë, ndërsa të dhënat përfundimtare janë ende duke u përpunuar. Megjithatë, epidemia e koronavirusit në vendin tonë nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e trafikut hekurudhor të mallrave. Ekonomia kineze dhe transporti i kontejnerëve nga dhe në këtë vend gjatë kësaj periudhe përcaktohen më shumë nga rënia ose rritja e vëllimit të mallrave të transportuara me trena nëpër territorin tonë, transmeton Meta, përcjell Portalb.mk.

“Kjo është për shkak të zvogëlimit të numrit të trenave me kontejnerë që nga RP e Kinës, përmes portit të Pireut në Greqi, kanë transportuar drejt Bashkimit Evropian. Në gjysmën e dytë të muajit mars, është shënuar normalizim i transportit të mallrave, madje edhe një rritje e vogël, por nuk mund të konstatohet se kjo është për shkak të shfaqjes së virusit korona, por për shkak të marrëveshjet e nënshkruara më parë”, kanë informuar për “Meta.mk” nga Hekurudhat e RMV-së – Transporti.

Kompania e transportit hekurudhor thotë se nuk janë regjistruar kufizime për lëvizjet në vendkalimet kufitare në trafikun hekurudhor të mallrave, ndërsa korona virusi nuk ka shkaktuar vonesa në dorëzimin e mallrave.

Ajo që bie në sy, sipas ndërmarrjes hekurudhore, është një rritje e interesit për transportimin e mallrave nga kompanitë tona gjatë kësaj periudhe. Sidoqoftë, aspekt i rëndësishëm nëse do të ketë përdorim të shtuar të transportit hekurudhor është kostoja e transportit të mallrave.

“Faktor kufizues është se hekurudha jonë nuk është në gjendje të ofrojë çmim total (nga pika fillestare deri në pikën e fundit të transportit të mallrave) për ton, sepse çdo transportues hekurudhor ngarkon në territorin e vet (dhe e përcakton çmimin për territorin e vet), ndërsa në transportin e kamionëve kjo nuk është një faktor kufizues”, theksojnë Hekurudhat e RMV – Transporti.

Kompania e Transportit Hekurudhor informon se 585 vagonë ​​mallrash të llojeve të ndryshme aktualisht janë në dispozicion të kompanive të Maqedonisë, ndërsa flota e përgjithshme i inventarit të Hekurudha e RMV –  Transport është 1,242 vagonë ​​për transport të mallrave.

Kompania informon se përkundër vëllimit të zvogëluar të mallrave të transportuar gjatë marsit 2020, në dy muajt e parë të këtij viti ka pasur një rritje të trafikut hekurudhor të mallrave me rreth 18 përqind në krahasim me vitin 2019.

Për dallim nga transporti me kamion, transporti i mallrave me hekurudhë bëhet duke ndryshuar lokomotivën dhe shoferët e trenave në vendkalimet kufitare midis vendeve, gjë që përjashton mundësinë e transmetimit të mundshëm të virusit të koronës përtej kufirit. Gjithashtu, një tren mallrash mund të transportojë vëllim të mallrave ekuivalent me dhjetëra kamionë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button