Virusi korona, dita e dytë me radhë me 0 raste në Komunën e Tetovës, por nuk dihet numri i të testuarve

Sot është dita e dytë me radhë ku në territorin e Komunës së Tetovës nuk është evidentuar asnjë person me virusin korona, kështu që numri i të infektuarve në këtë komunë aktualisht është 29. Vlen të theksohet se numri i personave të testuar në këtë komunë nuk bëhet publik, njofton Portalb.mk.

Edhe pse në nivel nacional numri i të infektuarve me virusin korona vazhdimisht është në rritje, lajme të mira vijnë nga Komuna e Tetovës ku dy ditët e fundit nuk është evidentuar asnjë rast i ri si pozitiv me virusin korona të ri.

Edhe pse kontaktuam me drejtorin e Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë, nuk arritëm të marrim numrin e personave të testuar ditën e sotme, apo numrin e përgjithshëm të të testuarve në territorin e kësaj komune. Kurse nga fillimi i pandemisë deri sot janë testuar gjithsej 6,230 persona.

Nga ana tjetër, në periudhën prej ora 07:00 më datë 8 prill deri me 8 prill, në rajonin e Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë asnjë person nuk e ka shkelur vendimin e Qeverisë për përkufizimin e lëvizjes.

Ndërsa numri i përgjithshëm i personave të cilët gjenden në karantinë shtetërore në rajonin e Pollogut është 428 persona, edhe atë 208 në Tetovë kurse 220 në Gostivar, kurse me deklaratë të nënshkruar për vetë-izolim gjenden 20 persona edhe atë 12 në Tetovë kurse 8 në Gostivar. Përveç këtyre, janë të regjistruar edhe 207 persona, në Tetovë 160 kurse në Gostivar 47 me vendim për kontroll dhe mbikëqyrje nga Inspektorati Shtetëror Sanitar.

Në hotelet e Kodrës së Diellit që shërbejnë si kapacitete për karantinë shtetërore, respektivisht në hotelet Arena Teteks, Kodra e e Diellit dhe Slavija janë të vendosur gjithsej 210 persona. Këto kapacitete posedojnë edhe me ekipe kujdestare mjekësore nga Spitali Klinik i Tetovës për të vëzhguar gjendjen e personave të karantinuar.

Ndryshe, në 24 orët e fundit pozitiv në nivel nacional nga gjithsej 351 persona të testuar, me virusin korona kanë rezultuar gjithsej 19 persona, me këtë numri i të infektuarve në gjithë shtetin ka arritur në 617 kurse të shëruar janë gjithsej 35 persona, si pasojë e virusit korona gjithsej 29 persona kanë ndërruar jetë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button