Bekteshi: Nuk është e vërtetë se hotelierët nuk i shfrytëzojnë masat (VIDEO)

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot deklaroi se nuk janë të vërteta informacionet që dje i ka dhënë Oda hotelierike turistike e Maqedonisë së Veriut se subjektet juridike nga veprimtaria hotelierike nuk do t’i shfrytëzojnë masat për mbështetje, sepse për shkak të interesit të madh, fondi për mjete përmes Bankës për zhvillim është plotësuar me 8 milionë euro, njofton Portalb.mk.

Tani, tha Bekteshi, nuk është koha për shantazhe, por është koha kur secili duhet të marrë nga një pjesë të barrës dhe është koha të jepet kontribut konstruktiv për përmirësimin e masave.

“Jemi të vetëdijshëm se numri i madh i kompanive nga këto sektorë direkt janë të përfshirë me krizën dhe për këto arsye, Qeveria në pakon e dytë të masave të njëjtat, gjegjësisht përmes Bankës për zhvillim ka siguruar mjete shtesë, kredi pa interes, ndërsa për kompanitë të shfrytëzojnë mjete për pagesën e pagës minimale prej 14.500 denarë për të çdo të punësuar. Sugjerimet e hotelierëve se nuk do t’i shfrytëzojnë këto masa mendojmë se nuk janë të sakta, duke i pasur parasysh të dhënat nga Banka për zhvillim ku si Qeveri është dashur ta plotësojmë Fondin me 8 milionë euro shtesë për shkak të interesit të madh të kompanive, pikërisht nga ky sektor”, tha në konferencën e sotme për media, ministri Bekteshi.

Ai potencoi se shumë shpejtë do të jenë edhe raportet për muajin mars nga Enti shtetëror për statistikë, që të bëhen analizat krahasuese për numrin e punëtorëve sipas industrive dhe , siç tha, do të konstatohet se numri prej 15.000 punonjësve të pushuar nga puna në sektorin e hotelierisë është i pasaktë.

“Duhet të potencojmë se masat për ndalesë për kryerje të veprimtarisë në objektet hotelierike janë vendosur më 14 mars, ndërsa në pajtim me të dhënat nga ESHS, muajin janar e përfunduam me numra pozitivë në hotelieri, respektivisht kemi pasur numër të rritur të turistëve për 12 për qind, ndërsa gjatë kësaj jave i presim të dhënat edhe për shkurt. Duke marrë parasysh se ballafaqohemi me problem serioz shëndetësor botëror, të paktën presim qasje korrekte dhe të depolitizuar nga bashkësia e biznesit. Aktivisht së bashku kemi punuar dhe do të vazhdojmë me punë me të gjitha sektoret në gjetjen e masave më të mira për zbutjen e krizës, por pa e rrezikuar punën efikase dhe efektive të institucioneve shtetërore”, tha Bekteshi.

Grupacionet e hotelierëve, sipas tij, duhet përmes odave të tyre amë të propozojnë masa dhe në mënyrë konstruktive të marrin pjesë në miratimin e tyre, pa, siç potencoi, të hyjnë në analiza paushale, të cilat nuk janë bazuar me numra real, e me këtë të përhapin informata jo të sakta në opinion.

Dje në konferencë për shtyp, Oda hotelierike tursitike e Maqedonisë së Veriut, njoftoi se subjektet që i përfaqëson nuk do t’i shfrytëzojnë masat, të cilat, siç thanë, janë të pamjaftueshme dhe selektive. Prej informatave me të cilat disponojnë, potencuan se mbi 60 për qind nga të punësuarit nga këto veprimtari, ose rreth 15.000 punëtorë, tanimë janë pushuar nga puna.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button