Kosovë, komuniteti i Innovation Centre Kosovo për Portalb, si të shfrytëzohet teknologjia në luftën kundër COVID-19

Kriza e shkaktuar nga pandemia globale me korona virusin, ka shkaktuar ndryshime të mëdha në mënyrë e jetës së njerëzve. Nga një rutinë dinamike, e mbushur me aktivitete e obligime të shumta, tani njerëzit janë të detyruar që të qëndrojnë vetëm në shtëpi, të dalin vetëm për ndonjë rast urgjent, ndërsa gjërat e tjera të shkollës dhe punës, t’i kryejnë dhe t’i menaxhojnë prej në shtëpi. Një ndryshim i këtillë drastik, që ka ndodhur në mënyrë të papritur dhe të shpejtë, pa dyshim se ka shkaktuar edhe probleme psikologjike te një pjesë e njerëzve, shkruan Portalb.mk.

E përderisa të gjithë po sfidohen nga virusi korona, e kundërta po ndodh me OJQ-në për inovacione nga Kosova, Innovation Centre Kosovo, e cila nëpërmjet ideve e projekteve kreative, po sfidon krizën korona. Ekipi i kësaj OJQ-je ka shfrytëzuar këtë periudhë për të dizajnuar respirator 3D, ndërsa po përgatit edhe projekte të cilat do të ofrojnë zgjidhje për përballje sa më të lehtë të krizës.

Innovation Centre Kosovo

Nëpërmjet një gare të organizuar dhe menaxhuar tërësisht online në kuadër të projektit ”Hack the Crisis Kosova” ka grumbulluar sektorin te TIK, profesionistë të fushave të ndryshme, studentë, kompani private, institucione dhe qytetarë, me qëllim të gjetjes dhe dizajnimit të zgjidhjeve digjitale përballë sfidave të shkaktuara nga pandemia COVID19.

Shpend Lila nga kjo OJQ, deklaroi për Portalb.mk, se frymëzimin e kanë gjetur nga nismat e ngjashme në Estoni, Finlandë dhe Suedi. Ai tha se “Hack the Crisis Kosova” është një komunitet i vullnetarëve, të cilët merren me ofrimin e burimeve njerëzore, profesionale, financiare në të mirë të shoqërisë, me qëllim të përballimit sa më të lehtë të sfidave të shkaktuara nga korona virusi, për qytetarin, familjen, biznesin dhe shtetin.

Shpend Lila

Gara është organizuar dhe mbajtur tërësisht online, prej datës 2-5 Prill. Gara ka përfshirë një kontinuitet prej 400 personave, 60 mentorëve, 50 organizata, biznese e institucione partnere. Në garë kanë marrë pjesë 70 ekipe dhe janë realizuar 38 projekte në kategori të ndryshme”, deklaroi Shpend Lila .

Ai tha se në javët në vijim, do të fillojnë të punojnë në projektet që janë përzgjedhur në këtë garë, e që janë nga fusha të ndryshme.

“Në javët e ardhshme do të mundohemi që me ndihmën edhe të partnerëve dhe komunitetit të biznesit, të shtyjmë përpara fillimisht, projektet fituese (5), drejt jetësimit dhe lansimit në një të ardhme të afërt. Projektet fituese përbëhen nga: sisteme për menaxhimin e karantinës, “crowdfunding” për menaxhimin e kërkesave për ndihmë nga sektorë të ndryshëm, shërbime “delivery” si dhe edukim online”, sqaroi Lila.

Ndërkaq, “Formon 3D”, që është pjesë e kësaj OJQ-je, veç më ka dizajnuar respirator 3D, i cili është në fazën e testimit teknik.

Respirator 3D

“Formon është kompani pjesë e komunitetit të Innovation Centre Kosovo, të cilët kanë diplomuar nga inkubatori i ICK-se së fundmi. Kompania merret me prodhimin e printereve 3D “Formon Core”, me të parë gjendjen e krijuar nga pandemia, e sidomos mungesën e respiratorëve, ka vendosur që të dizajnojnë dhe testojnë ventilatorin e frymëmarrjes. Për momentin, ekipi ka arritur të krijojë 10 prototipe, të cilat janë duke kaluar nëpër periudhën e testimit teknik. Gjatë ditëve në vijim, ventilatori do të dorëzohet tek organet e shëndetësisë, nga ku pritet të marrë pëlqimin për fillimin e prodhimit serik. Kompania ka kapacitet të prodhimit të 50-100 njësive në ditë, prej momentit që prototipi miratohet nga ana e institucioneve përgjegjëse”, sqaroi Lila.

Lila porositi që të të shfrytëzohet kjo periudhë, për t’u familjarizuar dhe adaptuar me kanalet digjitale të komunikimit dhe menaxhimit të punës, të ndjekin sa më shumë trajnime dhe certifikime online dhe pa pagesë në platforma të njohura globale, të marrin pjesë në nisma dhe programe, duke ofruar përvojën, dijen dhe kohën për të mirën e përgjithshme, si dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve për qëndrim në shtëpi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button