Ibrahimoviç me rekorde në Francë

Zlatan Ibrahimoviç pa diskutim që është ylli i Paris Saint-Germain. Sulmuesi suedez ka shënuar 18 gola në 19 ndeshjet e deritashme në Ligue 1. Dhe, për të gjetur dikë në lartësinë e tij duhet të kthehemi 27 vjet prapa. 

Përveç golave, Ibrahimoviç ka arritur të bëjë edhe 12 asiste të efektshme. Me golin që realizoi të premten në fitoren 3-0 ndaj Brest, ylli i Paris Saint-Germain, Zlatan Ibrahimoviç, arriti në kuotën e 18 golave, duke u konfirmuar si golashënuesi më i mirë në elitën e futbollit francez. 

Për të gjetur një futbollist i cili ka shënuar kaq shumë brenda fazës së parë të sezonit në Ligue 1 duhet të kthehemi prapa në edicionin 1984-85 kur Vahid Halilhodziç, në atë kohë sulmues i Nantes, kishte shënuar 18 gola. 

Për më tepër, ylli suedez ka shënuar 46 gola në 48 ndeshjet e fundit zyrtare mes Ligue 1 dhe Serie A në fanellën e Milanit. Shifra të një fenomeni, dhe rekordmeni. PSG kryeson në Ligue 1 me 38 pikë, falë golaverazhit më të mirë se Olympique Lyon

Lajme të ngjashme

Back to top button