Patate të shtruara me qepë në furrë, receta me shije fantastike

Patatet të përgatitura në tavë janë një gatim shumë i shpeshtë, por që nuk mbetet kurrë jashtë tavolinës. Me gjithë shijen e mirë dhe thjeshtësinë në përgatitje që i karakterizon, numërojnë me mijëra kombinime recetash.

Një ndër to e gjeni të shpjeguar edhe në shkrimin e sotëm nga AgroWeb.org, të cilën e ndiqni më poshtë.

Recetat me patate qepë dhe djathë nuk mund të jenë kurrë jo të shijshme.

Për të gjithë ju që pëlqeni shijen e butë dhe delikate që këta tre përbërës kanë, receta e sotme do të t’ju kënaqë.

Ndiqeni më poshtë mënyrën e saktë të përgatitjes së saj në vetëm pak minuta.

Përbërësit

680 gr patate mesatare

160 gr djathë i grirë kaçkavall

80 ml krem qumështi ose pana

80 ml qumësht

1 qepë e verdhë

1 lugë gjelle gjalpë pa kripë

2 luge çaji trumzë ose rozmarinë

gjysmë luge çaji piper i bardhë

gjysmë luge çaji arrë moskat

kripë

Përgatitja

Për të filluar me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të ndizni furrën në temperaturën 200 gradë C.

Më pas qëroni dhe prisni në rrathë të barabartë deri në 5-6 cm të gjithë patatet.

Futini ato të ziejnë për 4 minuta në ujë me kripë, hidhni 1 lugë gjelle kripë për çdo 1 litër ujë.

Kur të jenë zier, nxirrni nga uji dhe lërini mënjanë në një enë të thatë.

Më pas në një tigan, shkrini gjalpin në nxehtësi mesatare dhe hidhni qepën e grirë hollë, bashkë me pak trumzë ose rozmarinë.

Mund të zgjidhni edhe lloje të tjera erëzash sipas preferencave tuaja.

Skuqini qepët për të paktën 5 minuta, derisa të kenë marrë ngjyrë dhe të jenë zbutur.

Në fund shtoni sërish pak kripë dhe hiqini nga zjarri.

Në këtë pikë zgjidhni një tavë mesatare pjekje, lyejeni pak me vaj ose gjalpë dhe shtroni gjysmën e patateve njëra pas tjetrës.

Hidhini atyre sipër pak djathë të grirë, qepët e skuqura, pak arrë moskat, rozmarinë apo trumzë, kripë dhe piper të bardhë.

Shtoni dhe pak djathë sipër qepëve dhe vazhdoni të shtroni patatet tuaja.

Kini kujdes që pjesën tjetër të mbetur të patateve ta vendosni sipër tavës, duke mbuluar të gjithë mbushjen që hodhët më parë.

Ndërkohë bëni një përzierje të shpejtë të qumështit dhe kremit të qumështit (panës) dhe hidhjani të gjithë sipër patateve.

Nëse ju ka mbetur dhe pak djathë i grirë, shtojani sërish sipër tavës.

Për pjekjen

Më pas mund të zgjidhni që tavën ta ruani të mbyllur në frigorifer për 24 orë ose ta gatuani menjëherë.

Futeni në furrë në temperaturën 200 gradë C dhe lëreni të piqet për 20-25 minuta.

Apo derisa sipërfaqja e qumështit të trashet dhe patatet të piqen mirë.

Nxirreni nga furra kur të jetë gati dhe shërbejeni të ngrohtë në copa të vogla

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button