Padurimi i zemrës dhe alkimia e fjalës

Ka libra sikurse “Tragjedia e gjenive” nga Vladimir Stanojeviq apo “Alkimia e fjalës” nga Jan Parandovski që flasin për jetën e gjenive të artit. Autorët “vizatojnë” portrete psikologjike të gjenive, emrat e të cilëve janë shënuar në pllakën e historisë.

Libri “Tragjedia e gjenive” na sugjeron se për artistët duhet të gjykojmë duke u nisur nga veprat dhe jo nga jeta e tyre e trazuar.

Librat e këtillë flasin për tronditjet, sëmundjet dhe manitë e gjenive. Tronditjet shpirtërore lindën vepra të shumta gjeniale. Se sikurse thuhet, nuk mund të krijohen vepra gjeniale nëse imagjinata nuk triumfon mbi realitetin; nëse krijuesi nuk bëhet pjesë e mbretërisë së ëndrrave. Gjeniu nuk është i urtë, por i trazuar, që kaosin e kthen në harmoni. E krijon harmoninë nga magma e botës, siç thotë Kishi. Psikiatri gjerman, Shtekeli, thotë se nervoza është burimi i përparimit. Një vepër artistike krijohet nga padurimi i zemrës, kurse kënaqësia e përgjum gjeniun.

Ka libra ku flitet jo vetëm për gjenitë e artit, por edhe për njerëzit e veprimit. Nëse “çmenduria” e artistëve i fali njerëzimit vepra gjeniale, është problem kur të çmendurit udhëheqin me shtete apo perandori, sepse marrin vendime që shkaktojnë vdekjen e miliona njerëzve.

Ndryshe nga çmenduria e njerëzve të veprimit, “çmenduria” e krijuesve shpiku vepra gjeniale dhe falë atyre kemi njohur përmasa të reja ekzistenciale; falë atyre ndryshoi kimia e intelektit njerëzor. Tjerat gjëra janë informacione argëtuese, janë kuriozitete.

Le të shohim disa profile psikologjike gjenish.

Artur Shopenhaueri ishte superticioz, frikacak, mendjemadh, që vuante nga mania e ndjekjes dhe e madhështisë. Volteri ishte dembel, i rrethuar me armiq për shkak të pikëpamjeve të tij, i dhënë pas botës mondane, i pasionuar pas aventurave të dashurisë, ashtu sikurse Balzaku. Bajroni ishte imponues, i paparashikueshëm, njeri skandalesh, revolucionar, që e quajti të errët politikën angleze dhe u vu në mbrojtje të popujve të robëruar. Gëte vuajti nga depresioni, kishte frikë histerike, ishte i ndjeshëm, i mbyllur, vetjak dhe u vardisej njerëzve prej të cilëve kishte interes. Pushkini, pasardhës i një arabi, ishte vulgar, agresiv, i paparashikueshëm. Edgar Alan Po ishte pervers, i çekuilibruar shpirtërisht, cinik, me përfytyrim të errët për botën. Sharl Bodleri ishte i magjepsur pas parfumeve, qelqthyes dhe vuante nga bezdia e përhershme. Fjodor Dostojevski ishte kumarxhi, një epileptik sadomazohist që vuajtjen e ngriti në kult, që urrente çdo njeri konkret dhe e shihte si armik çdo të afërm. Fridrih Niçe ishte vetmitar, mbiçmues i vetes, përçmues i të tjerëve, që vuante nga mania e ndjekjes. Leon Tolstoi ishte i mbyllur në vetvete, adhurues i kafeneve, tërësisht i paaftë që të bëhej pjesë e ndonjë shoqërie, i dhënë pas origjinalitetit, dyshimtar, nihilist.

Këtë listë mund ta zgjerojmë me autorë të tjerë, po aq të “çmendur”, sikurse janë: Balzaku, Mocarti, Bethoveni. Përse jo edhe me autorë shqiptarë. Përse jo me Lasgushin vetmitar, me Çajupin qejfli, me Mihail Gramenon që ra viktimë e rakisë, me tekanjozin Faik Konicë, me koprracin Fan Noli apo me boemin Mirko Gashi, i cili thoshte: “Ka thënë nëna: kam një djalë të mençur dhe një poet”.

Teket nuk ua cenojnë veprat e tyre letrare. Ata nuk janë njerëz pa të meta njerëzore, nuk janë skofiarë, të përkorë, të zhveshur nga mëkatet njerëzore.

Vlerësimi i veprës së një autori, duke u nisur nga jeta e tij, prodhoi fjali idiote që kanë zënë vend në histori letërsie, si: “të degjeneruar”, “dekadent”, “reaksionar”, madje edhe nga përpilues historish që në rininë e tyre magjepseshin prej Bodlerit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button