Kosovë, Veç fjalë të mira

Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës thanë edhe një herë fjalë të mira për Ramush Haradinajn, po nuk i dhanë një përgjigje rreth kërkesës për koalicion.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, foli për bashkëpunim me krejt spektrin politik. Zyrtarë të AAK-së ndërkaq rikonfirmuan gatishmërinë për bashkëqeverisje me Hashim Thaçin.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tashmë i ka dorëzuar ofertën kreut të PDK-së, Hashim Thaçit, me kërkesën për t’u bërë kryeministër. Në një intervistë për “Express” Haradinaj ka lënë të kuptohet se Thaçi do të lëvizte në postin e presidentit me rastin e këtij rikonfigurimi të skenës politike.

Thaçi tani është duke e shqyrtuar këtë ofertë derisa një vonesë për çështjen e koalicionit mund ta nxisin zgjedhjet e brendshme të PDK-së, shkruan “Express”.

Kërkesën e Haradinajt zyrtarët e PDK-së e kanë quajtur të vështirë për t’u realizuar derisa në Presidencë kanë bërë të ditur se Jahjaga mund ta lëshojë postin vetëm pasi vendi të mbajë zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale.

Pavarësisht këtyre PDK dhe AAK po i dërgojnë mesazhe të buta njëra –tjetrës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili më 2009 kishte akuzuar Hradinajn për përfshirje në reket, haraç si dhe krim të organizuar me kriminelët në veri, i ka harruar të gjitha këto derisa ka folur në një konferencë për medie.

“Interesi është aty që ne duhet të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike, të cilat punojnë për të mirën e vendit, ne duhet të bashkëpunojmë dhe t’i vlerësojmë të gjithë ata individë apo përfaqësues të grupeve politike të cilët kanë ndërtuar dhe fituar besimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Kosovës…”, tha Grabovci.

Sipas tij, edhe koalicioni aktual është stabil, por proceset në të cilat po kalon Kosova kërkojnë bashkëpunim më të gjerë politik.

Pavarësisht se ka adresuar kritika në adresë të Qeverisë, i bindur se AAK do të arrijë planin për pushtet, të hënën është shfaqur edhe sekretari i përgjithshëm i saj, Burim Ramadani.

Në një konferencë për medie, Ramadani ka thënë se partia e tij po synon ta marrë udhëheqjen e Qeverisë, qoftë para apo pas zgjedhjeve të reja nacionale.

“Besoj se elementet janë krejt të qarta, ne po prezantojmë një vizion tonin për qeverisje dhe nuk ka asnjë lloj lidhje me qeverisjen aktuale, vizioni ynë, ky është një vizion i AAK, prandaj ju mund ta përshkruani si të doni, por ky është vizioni i Aleancës për qeverisjen Haradinaj”, tha sekretari i AAK-së.

Sipas Ramadanit, Qeveria aktuale nuk ka shënuar asnjë përparim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjë që sipas tij rrit nevojën për qeverisjen që po e prezanton AAK-ja./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button