Me frekuencë të zvogëluar të automjeteve në rrugë, të ardhurat nga tarifat gjithashtu do të ulen

Epidemia e koronavirusit në vendin tonë dhe të gjitha kufizimet në lëvizjet e qytetarëve që janë aplikuar deri më tani, kanë rezultuar me frekuencë të zvogëluar të automjeteve nëpër rrugë, prandaj ka të ngjarë që do të ketë një rënie të të ardhurave nga arkëtimi i taksës rrugore. Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore për “Meta.mk” thekson se është shumë herët për të bërë vlerësime se sa do të zvogëlohen të ardhurat nga kompensimi për përdorimin e autostradave në këtë kohë të koronavirusit, transmeton Meta, përcjell Portalb.mk.

“Shërbimi i tarifave në NPRrSh, pavarësisht situatës së re me Kovid-19, funksionon normalisht dhe pa vonesa dhe ndryshim të ritmit të punës. Punonjësit në kabinat për arkëtim të taksës rrugore janë të mbrojtur në vendin e punës, përkatësisht NPRrSh ka siguruar sasi të mjaftueshme të maskave, dorezave dhe mjeteve antibakteriale”, theksojnë nga NP për rrugë shtetërore.

Programi vjetor i punës së kësaj ndërmarrjeje publike për vitin 2020 parashikon të ardhura prej rreth 48.7 milionë euro nga taksat, si një lloj rekordi të veçantë në mbledhjen e këtij kompensimi ndër vite. Sidoqoftë, kohëzgjatja e krizës së koronës dhe mungesa e një parashikimi të saktë për atë se deri kur do të zgjasin kufizimet në lëvizjen e qytetarëve i vënë në dyshim vlerësimet e të ardhurave të bëra para fillimit të epidemisë.

“Duam të theksojmë se qëllimet tona ende mbesin të larta, por duke pasur parasysh situatën aktuale me koronavirusin dhe nga kjo distancë kohore në të cilën fundi i kësaj situate është akoma i paparashikueshëm, nuk jemi në gjendje të themi se cilat do të jenë të ardhurat. dhe nëse në përputhje me rrethanat do të arrihen qëllimet e përcaktuara në pjesën e arkëtimit për vitin 2020”, thonë nga Ndërmarrja Publike për rrugë shtetërore.

Përkundër pritjeve që do të ketë ulje të të ardhurave nga taksa rrugore për muajin e kaluar dhe për tremujorin e dytë të ardhshëm, në infrastrukturën rrugore nuk do të ketë ndryshime në aspekt të realizimit të projekteve infrastrukturore. Nga fillimi i vitit e deri më tani janë publikuar prokurimet për ndërtimin, rehabilitimin dhe rindërtimin e rrugëve, urave dhe rrëshqitjeve të tokës në vlerë prej 45.74 milionë euro. Edhe në periudhën në vijim, do të pasojnë tenderët për ndërtimin e projekteve me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ose nga vetë buxheti i Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore.

Në pjesën e ekzekutimit të projekteve që kanë filluar tashmë, kompania thekson që aktivitetet e punës në terren kryhen në përputhje me planet dinamike të punës. Projektet e infrastrukturës nuk janë ndalur dhe po realizohen në kushte të situatës së shpallur në vend, por askush nuk mund të japë parashikime se si do të zhvillohet situata në periudhën tjetër, theksojnë nga NP për rrugë shtetërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button