Pse nuk duhet ‘të presim’ me fëmijët që kanë vonesë në të folur? Këshilla nga logopedja

“Prit edhe pak se nuk është gati.”

“Djemtë flasin më vonë se vajzat.”

“Kushëriri i tij ka folur me vonesē.”

“Motra flet në vend të tij dhe nuk e lë të flasē.”

Këto janë frazat më të zakonshme që dëgjojnë prindërit e një fëmije me vonesë në të folur kur kërkojnë këshilla nga njerëzit që i rrethojnë. Fëmijët që flasin me vonesë janë ata të cilët kuptojnë mirë, por kanë numër të limituar fjalësh në krahasim me moshën që kanë. Studimet tregojnë se 70-80% e fëmijëve me të folur të vonuar, do arrijnë ta kapërcejnë këtë vështirësi dhe të jenë në të njëjtin nivel me moshatarët. Po 20-30%?! Pjesa tjetër nuk do arrijnë dot në nivelin e moshatarëve të tyre, ata do kenë vështirësi të vazhdueshme në gjuhë, lexim apo shkrim, që do ndikojnë në cilësinë e jetës së tyre.

Qëllimi i drejtimit te një specialist i fushës dhe ndërhyrjes së hershme, është të ndihmojë atë 20-30% të fëmijëve që nuk do e zhvillojnë gjuhën në mënyrë autodidakte. Kur takojmë një fëmijë, ne nuk e dimë nëse ai bën pjesë në 20-30% apo 70-80%. Ja pse rekomandohet terapi logopedike për të gjithë fëmijët që kanë vonesë në të folur. Terapia logopedike nuk ndihmon vetëm fëmijët, por edhe prindërit, duke i trajnuar dhe këshilluar se si të përdorin strategjitë e duhura për të ndihmuar fëmijën e tyre në shtëpi.

Këshilla nga logopedja për të ndihmuar zhvillimin e gjuhës në shtëpi:

.

Minimizoni ose eliminoni “kohën e ekraneve” (TV, celular, tablet etj.)

Pajisjet elektronike janë ASPAK të rekomandueshme për fëmijët nën 2 vjeç. PO, mund të jetë e vështirë të kryeni të gjitha aktivitetet e tjera ndërkohë që fëmija juaj është pranë jush. Nëse ndiheni sikur e keni shumë të vështirë ta eliminoni totalisht “kohën e ekraneve”, atëherë përdoreni vetëm kur e keni të nevojshme, për shembull: 15 minuta ndërkohë që ju gatuani.

P.S.: Edhe shfaqjet edukuese në TV apo aplikacionet, llogariten si “koha e ekraneve”!

Luaj me fëmijën tënd

Kujtoni që ju jeni lodra më e mirë për fëmijën tuaj. Fëmija juaj do mësojë shumë më shumë nga ju sesa nga çdo lodër që ju i vendosni para.

Komunikimi është reciprok

Është shumë e rëndësishme t’i flisni fëmijës tuaj, por është gjithashtu shumë e rëndësishme që fëmija të flasë me ju. Lërini fëmijës mundësinë dhe kohën që i duhet për t’u përfshirë në bashkëbisedim.

Për revistën Class, Aurora Lushej, logopede/terapiste

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button