Bota pas virusit korona!

Përktheu dhe përshtati nga Stadkultur.de, Nagip Zendeli.

Kohëve të fundit shpesh më bëhet pyetja se: Kur “do të marrë fund” pandemia korona dhe kur do të kthehet çdo gjë në normalitet?  Përgjigja ime është: kurrë. Ka momente historike kur e ardhmja e ndryshon drejtimin, fenomeni i ashtuquajtur bifurkacion, ose kriza të thella. Këto momente jemi duke i përjetuar tani. Bota siç e njohim është në shpërbërje. Sidoqoftë pas saj vjen një botë e re, formimin e së cilës të paktën mund ta imagjinojmë. Të bëjmë hipotetikisht një prognozë ose më qartë një re-gnozë. Për dallim nga prognoza, sipas teknologjisë së regnozës nuk e shohim ,,të ardhmen“, por nga e ardhmja kthehemi deri sot.

Tingëllon çmendurisht? Por le ta provojmë. Regnoza: Bota jonë në vjeshtë të vitit 2020, le të imagjinojmë një situatë në vjeshtë, le të themi në shtator 2020. Ne jemi ulur në një kafene rruge në një qytet të madh, është  ngrohtë dhe njerëzit po lëvizin përsëri në rrugë. A lëvizin ata ndryshe? A është gjithçka njësoj si më parë? A ka shije vera, kokteji, kafeja njësoj si dikur? Si para korona-s? Ndoshta edhe më mirë? Për çfarë do të befasohemi duke shikuar prapa? Do të befasohemi, se heqja dorë nga jeta sociale që duhej të bënim, rrallë na sollën vetminë. Përkundrazi. Pas një tronditje të fortë fillestare, shumë prej tyre u ndjenë madje të lehtësuar që rendjet e shumta, bisedat, komunikimet nëpërmjet kanaleve të shumta papritmas ndaluan. Të heqësh dorë nuk do të thotë domosdoshmërish humbje, madje kjo edhe mund të hap mundësi të reja.

Disa tashmë e kanë provuar këtë, për shembull duke provuar agjërimin në intervale të caktuara dhe që papritmas ushqimi u shijonte përsëri. Paradoksalisht, distanca fizike që e shkaktoi virusi prodhoi edhe afërsi të reja. Ne njohëm njerëz që nuk do të kishim njohur kurrë. Ne filluam të kontaktojmë prap miqtë e vjetër, forcuam lidhjet që kishin humbur ose dobësuar. Familjet, fqinjët, miqtë janë afruar dhe ndonjëherë madje kanë zgjidhur konflikte të fshehura. Mirësjellja shoqërore që më parë gjithnjë e më shumë na mungonte u rrit. Tani në vjeshtën e vitit 2020 në stadiumet sportive sundon një atmosferë krejtësisht tjetër nga ajo në pranverë kur kishte  tërbime masive. Ne mahnitemi  pse kjo është kështu.

Ne do të mahnitemi se sa shpejt teknologjitë kulturore digjitale papritmas e provuan dhe dëshmuan veten në praktikë. Telekonferencat dhe video konferencat, të cilave shumica prej nesh u kishin rezistuar dhe kundërshtuar gjithmonë rezultoi të ishin mjaft praktike dhe produktive. Mësuesit mësuan shumë rreth mësimit në internet. ,,Zyra“ në shtëpi u bë një çështje e natyrshme për shumë njerëz. Në të njëjtën kohë, teknologjitë kulturore që dukeshin të vjetruara pësuan një rilindje.

Papritur gjatë thirrjeve në telefonin shtëpiak ju morët jo vetëm  ,,sekretaren automatike“, por njerëz të vërtetë. Virusi solli një kulturë të re të thirrjeve të gjata telefonike pa një ekran të dytë. Vetë “mesazhet” papritmas morën një kuptim të ri. Ne komunikonim përsëri së vërteti. Askush nuk lejohej të tallej më. Askush nuk përmbahej më. Kështu u krijua një kulturë të re e arritshmërisë, komunikimit, lidhshmërisë. Njerëzit, që për shkak të ritmit të përshpejtuar kurrë nuk gjenin qetësi, madje edhe të rinj, papritmas bënin shëtitje të gjata. Leximi i librave papritmas u bë një kult. ,,Reality Shows“ befas ndikonin sikletshëm në mos edhe turpshëm, të gjitha thashethemet, mbeturinat e pafundme shpirtërore që  transmetoheshin nëpër të gjitha kanalet, nuk u zhdukën plotësisht. Por ato humbën shpejt vlerën. A i kujtohen dikujt  konfliktet politike ,,të drejta“? Numri i pafund i luftërave kulturore rreth … për çfarë bëhej fjalë në të vërtetë? Krizat veprojnë mbi të gjitha duke tretur fenomene të vjetra, duke i bërë të tepërta … Cinizëm, kjo mënyrë tinëzare e mbajtjes së botës nga zhvlerësimi i dashurisë, papritmas ishte mjaftueshëm OUT.

Histeria e frikës së ekzagjeruar në media pas një shpërthimi të parë  qëndroi në kufij. Për më tepër, numri i pafund i serialeve të krimit mizor arriti kulmin. Ne do të mahnitemi që gjatë verës u gjetën ilaçet që rritën shkallën e mbijetesës. Me këtë u ul shkalla e vdekjeve dhe korona u bë një virus me të cilin duhet thjesht të pajtohemi, ashtu si gripi dhe shumë sëmundje të tjera. Përparimi mjekësor ndihmoi. Por ne  gjithashtu mësuam se: nuk ishte teknologjia, por ndryshimi në sjelljen shoqërore ishte vendimmarrëse. Faktori vendimtar ishte që njerëzit, pavarësisht kufizimeve radikale ngelën solidarë dhe konstruktiv. Inteligjenca humane-socialo-shoqërore ndihmoi. Inteligjenca Artificiale e shumë adhuruar, e cila, siç thuhet, mund të zgjidhë gjithçka, ka pasur vetëm një ndikim të kufizuar në çështjen Korona.

Kjo ka zhvendosur marrëdhëniet midis teknologjisë dhe kulturës. Para krizës, teknologjia dukej se ishte ilaçi, bartësi i të gjitha utopive. Sot askush – ose vetëm disa njerëz të zellshëm – ende besojnë në shërbimin e madh digjital. Festa e madhe e teknologjisë ka mbaruar. Ne e kthejmë përsëri vëmendjen te pyetjet më shumë humane:  ç`është njeriu? çfarë jemi ne për njëri-tjetrin?

Ne mahnitemi kur shohim se sa humor dhe raporte ndër njerëzore realisht u shfaqën në ditët e virusit. Ne do të mahnitemi se deri ku mund të tkurret ekonomia, duke mos ndodhë diçka si “kolapsi”, i cili më përpara përflitej në çdo rritje të vogël të taksave dhe çdo ndërhyrje të qeverive. Edhe pse pati një “Prill të Zi”, një rënie të thellë ekonomike dhe një rënie prej 50 përqind të bursës, edhe pse shumë kompani falimentuan, u tkurrën ose u transformuan në krejtësisht diçka tjetër, ajo kurrë nuk arriti në pikën zero. Sikur ekonomia të ishte një frymë e gjallë që mund të bëjë dremitje ose gjumë dhe madje edhe të ëndërronte. Sot në vjeshtë, kemi përsëri një ekonomi globale. Por, prodhimi global vetëm në kohë, me zinxhirë të mëdha krijues vlerash të degëzuara, ku me miliona pjesë individuale transportohen në të gjithë planetin, ka mbijetuar. Ajo tani çmontohet dhe  është duke u rikonfiguruar. Gjithkund në prodhim dhe në objektet e shërbimeve krijohen  depozita të përkohshme, depot dhe rezervat. Gjithandej prodhimet lulëzojnë, rrjetet po lokalizohen dhe artizanalet përjetojnë një rilindje. Sistemi global po shkon drejt G-lokalizimit: lokalizimi i globales.

Ne do të mahnitemi që edhe humbja e pasurive për shkak të rënies së bursës nuk është e dhimbshme ashtu siç u ndje në fillim. Në botën e re, pasuria befas nuk luan më rolin vendimtar. Fqinjët e mirë dhe një kopsht me perime të lulëzuara janë më të rëndësishme. A ka mundësi që virusi të ketë ndryshuar jetën tonë në një drejtim që ajo do të donte të ndryshonte gjithsesi? RE-Gnose: Përballja me të tashmen përmes një hapi në të ardhmen. Pse ndikon ky lloj “i paraskenarit” në mënyrë acaruese aq më ndryshe se një prognozë klasike? Kjo lidhet me vetitë specifike të sensit tonë për të ardhmen.

Kur shikojmë “në të ardhmen”, ne shohim kryesisht rreziqet dhe problemet “që vijnë drejtë nesh” që grumbullohen deri në barriera të pakapërcyeshme. Si një lokomotivë nga tuneli që na shkel përsipër. Kjo ‘’pengesë’’ frike na ndan nga e ardhmja. Andaj e ardhmja e tmerrshme është gjithmonë më e lehta për t’u paraqitur. Re-gnozat nga ana tjetër formojnë një mori njohurish, në të cilën ne vetë ndryshojmë unin tonë të brendshëm, ku përfshijmë veten në llogaritjen e së ardhshmes. Ne lidhemi nga brenda me të ardhmen, dhe kjo krijon një urë lidhëse midis sot dhe nesër. Krijohet një »Mendje e ardhshme« vetëdije për të ardhmen.

Nëse këtë arrimë ta bëjmë mirë, krijohet diçka si inteligjenca e ardhshme. Ne jemi në gjendje të parashikojmë jo vetëm “ngjarjet” e jashtme, por edhe adaptimet e brendshme përmes së cilave reagojmë ndaj një bote të ndryshuar. Kjo ndjehet shumë ndryshe nga një prognozë, që në karakterin e saj pa mëdyshje gjithmonë ka diçka të vdekur, sterile. Ne e lëmë ngurtësinë e frikës dhe kthehemi në gjallërinë që i takon çdo të ardhme të vërtetë. Ne të gjithë e dimë ndjenjën e kapërcimit me sukses të ankthit. Kur shkojmë te dentisti për trajtim, ne paraprakisht shqetësohemi. Ne në karrigen e dentistit e humbasim kontrollin dhe dhimbjen, fare para se të kemi dhimbje. Në parashikimin e kësaj ndjenje, ne depërtojmë në vet frikën që mund të na mposhtë plotësisht. Sidoqoftë, nëse kemi arritur të mbijetojmë këtë procedurë, vjen deri tek e ashtuquajtura ndjenjë përballuese: Bota duket përsëri e re dhe e freskët dhe ne befas jemi plot me zell për veprim. Përballja do të thotë: tejkalim. Neurobiologjikisht, adrenalina nga frika zëvendësohet nga dopamina, një lloj ilaçi endogjen i së ardhmes. Përderisa adrenalina na udhëzon të ikim ose të luftojmë (e cila nuk është me të vërtetë produktive në karrigen e dentistit, as në luftën kundër koronas), dopamina i hap sinapset tona të trurit: ne jemi të ngazëllyer për atë që do të vijë, kurioz, parashikues. Kur kemi një nivel të shëndetshëm dopamine, ne bëjmë plane, kemi vizione që na çojnë drejtë veprimit përpara.

Çuditërisht, në krizën e koronas shumë nga ne e përjetojnë pikërisht këtë. Një humbje masive e kontrollit befas shndërrohet në një dehje të vërtetë pozitiviteti. Pas një periudhe hutimi dhe frike, lind një forcë e brendshme. Bota “mbaron”, por me përvojën që ne jemi akoma aty, krijohet një art i të qenit i ri në brendësi.

Në mes të Shut-Down të civilizimit, ne vrapojmë nëpër pyje ose parqe, ose nëpër hapësira pothuajse boshe. Por kjo nuk është një apokalips, por një fillim i ri. Kështu rezulton: Ndryshimi fillon si një model i ndryshuar i pritjeve, perceptimeve dhe lidhjeve botërore. Ndonjëherë është pikërisht thyerja nga rutina, të zakonshmet, që nxisin përsëri ndjenjën tonë për të ardhmen. Ideja dhe bindja se gjithçka mund të ishte krejtësisht e ndryshme – madje edhe për të mirë. Ne madje mund të jemi të befasuar që Trump do të humb zgjedhjet në nëntor. Edhe AFD tregon përplasje serioze sepse një politikë dashakeqe, përçarëse nuk i shkon për shtati një bote me korona. Kriza e koronas e bëri të qartë se ata që duan të nxisin njerëzit kundër njëri-tjetrit nuk kanë çfarë të kontribuojnë në çeshtjet konkrete për të ardhmen. Kur gjërat bëhen serioze, bëhet e qartë se destruktiviteti jeton në populizëm.

Politika në kuptimin e saj fillestar si formësim i përgjegjësive shoqërore mori në këtë krizë një besueshmëri të re, një legjitimitet të ri. Pikërisht për shkak se duhej të vepronte në mënyrë “autoritare”, politika krijoi besim në shoqëri. Shkenca gjithashtu përjetoi një rilindje të habitshme në krizën e provës. Virologët dhe epidemiologët u bënë yje të medieve, por edhe filozofë “futuristë”, sociologë, psikologë, antropologë, të cilët më parë ishin në margjinat e debateve të polarizuara, rifituan zërin dhe peshën e tyre. Lajmet e rreme, nga ana tjetër, e humbën shpejt vlerën e tregut. Teoritë e komplotit gjithashtu papritmas dukeshin si ,,mall i prishur”, edhe pse u ofruan si birra e thartë. Një virus si katalizator i evolucionit. Mbi të gjitha, krizat e thella tregojnë për një parim tjetër themelor të ndryshimit: sinteza trend-kundërtrend. Bota e re pas koronas – ose më mirë me korona – lind nga prishja e lidhjes mega-trend. Politikisht dhe ekonomikisht, ky fenomen quhet edhe “globalizim”. Ndërprerja e lidhjes – përmes mbylljes së kufijve, ndarjeve, izolimeve, karantinave – nuk çon në shfuqizimin e lidhjeve.

Por për të riorganizuar lidhjet që mbajnë botën tonë së bashku dhe do ta mbajnë atë në të ardhmen. Ekziston një zhvendosje etape në sistemet socio-ekonomike. Bota që do të vijë do ta vlerësojë përsëri distancën – dhe kjo do ta bëjë lidhjen më cilësore. Autonomia dhe varësia, hapja dhe mbyllja, ribalancohen. Kjo mund ta bëjë botën më komplekse, por edhe më të qëndrueshme. Ky transformim është kryesisht një proces i verbër evolucionar – sepse nëse njëri dështon, mbizotëron ajo e reja, e aftë për të mbijetuar. Kjo në fillim ju bën hamendas, por më pastaj e dëshmon kuptimin e saj të brendshëm: e aftë për të ardhmen është ajo, që  paradokset i lidh në një nivel të ri. Ky proces i kompleksitetit – për të mos u ngatërruar me komplicitetin – mund gjithashtu me vetëdije të dizajnohet nga njerëzit.

Ata të cilët flasin gjuhën e kompleksitetit të ardhshëm, do të jenë udhëheqësit e së nesërmes. Bartësit e ardhshëm të shpresës, shpëtimtarët që vijnë. “Përmes koronas do të përshtatim tërë qëndrimin tonë kundrejt jetës – në kuptimin e ekzistencës sonë si qenie të gjalla në mes të formave të tjera të jetës”. Slavo Zizek në kulmin e krizës së koronas në mes të marsit, në krizën e thellë lë një histori, një rrëfim që na dërgon shumë larg në të ardhmen. Një nga vizionet më të forta të mbetura nga virusi korona janë italianët që bëjnë muzikë në ballkone. Vizioni i dytë na dërgohet nga imazhe satelitore që papritmas tregojnë zonat industriale të Kinës dhe Italisë pa smog. Në vitin 2020, emetimet e CO2 nga njerëzimi do të bien për herë të parë. Ky fakt do të na bëjë diçka. Nëse virusi mund ta bëjë këtë – a mund ta bëjmë edhe ne gjithashtu? Ndoshta virusi ishte thjesht një i dërguar nga e ardhmja. Mesazhi i tij drastik është: Qytetërimi njerëzor është bërë shumë i dendur, tepër i shpejtë, i stërngrohur. Ai është duke garuar në një drejtim të caktuar në të cilën nuk ka të ardhme. Por ai mund të rinjohë vetveten.

System reset. Cool down! Muzikë në ballkone! Kështu funksionon e ardhmja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button