A do të mposhtet kriza Korona?   

Epidemia e Koronavirusit që po përhapet me një shpejtësi marramendëse padyshim është një sfidë që e trondit dhe e rrezikon civilizimin shoqëror. Psikologjia shoqërore dhe individuale si duket po merr një trajtë pak më ndryshe nga normalja, dhe na alerton se situata aktuale është shumë serioze. Pasojat  ekonomike të kësaj pasigurie si duket për të satën here do ta testojnë qëndrueshmërinë e institucioneve si dhe profesionalizmin dhe integritetin e tyre.

Se situata aktuale është e brishtë nuk do koment, gjithashtu, pasojat e krizës shëndetësore mbi ekonominë reale do të jenë  më të shprehura ma kalimin e kohës. Ajo që duhet të na shqetësojë në këto momente padyshim është “pasiguria” që buron nga  kohëzgjatja e pandemisë ,si dhe gatishmëria e kapaciteteve institucionale të vendit për t’ju kundër përgjigjur goditjeve  që do t’i përjetoje sektori real ekonomik.

Gjendja e jashtëzakonshme e shoqëruar me ndërprerjen e aktiviteteve afariste të disa sektorëve ekonomike dhe një pjesë të administratës publike me dekret qeveritar, padyshim krijoi një situate shumë emergjente e cila kërkon qasje serioze dhe pro-aktive. Situata në kushte të rënies se kërkesës agregate, rënies së prodhimit, rrezikimit për falimentim të ndërmarrjeve mikro, te vogla dhe të mesme, si dhe informatat jo te favorshme që vijnë nga tregjet rajonale dhe globale, padyshim që I alarmon  autoritet qeveritare për ndërhyrje me vendime të “shpejta dhe të qëlluara”. S’do mend, se vendimet e “shpejta dhe të qëlluara”  nga ana e qeverisë  nuk do ta kishin arritur efektin e dëshiruar në qoftë se gjatë hartimit dhe implementimit te masave nuk do të ishin përfshirë të gjitha grupet e ndryshme të interesit që mund të kenë interesa të kundërta nga njëri tjetri.

Zhvillimet në vijim, do të jene sprove për qëndrueshmërinë e të gjitha grupeve të ndryshme të interesit. Por, si duket prioritet në testimin e qëndrueshmërisë do të kenë kapacitetet institucionale, te cilat me veprimet e veta, bile në kushte normale ngrenë shumë pikëpyetje për transparencën e tyre. Ato që e dallojnë një institucion të mirëfillte nga klisheja jonë institucionale janë procedurat, burimet njerëzore dhe  mekanizmi i forte vendimmarrës. Fakti, që në këtë situatë disa institucione me veprimet e veta pasqyrojnë seriozitet, ngjall pak optimizëm se kriza Korona, sado që  është një krize e pa testuar dhe pa rregulla, duhet te menaxhohet në formën më të mirë të mundshme.

Tezën, se të gjitha institucionet, nuk duhet gjykuar në mënyre serike e vërteton shembulli i Bankës Qendrore te Maqedonisë së Veriut. Banka Qendrore me uljen e normës referente të interesit si dhe me miratimin dhe plotësimin e nevojshëm ligjor për disa vendime që kanë të bëjnë me ekspozimin kreditor të qytetarëve dhe të ndërmarrjeve, ishte institucioni i parë që iu kundërpërgjigj situatës së krijuar. Banka Qendrore u dërgoi mesazh shumë të qartë, jo vetëm  bankave komerciale, por edhe autoritetit fiskal të vendit për hapa të shpejta dhe konkrete. Banka Qendrore me kapacitetin institucional edhe njëherë dëshmoi se, parametrat monetare dhe sistemi bankar (nominal) janë rezistente ndaj situatës së krijuar dhe të gatshëm të përballen me goditjet që do te vijnë ne sektorin ekonomik (real).

Jo te gjithë aktoret ekonomike te vendit duhet gjykuar ne një shportë me Bankën Qendrore, kjo u vërtetua me reagimin  patetik dhe pak si te vonuar të qeverisë teknike ne krye me ekipin ekonomik. Konfuzioni statistikor i të dhënave te paraqitura, si dhe pakoja e parë e shpëtimit, la përshtypje se ekipi ekonomik akoma është në eufori parazgjedhore dhe si duket sapo kishin filluar te kuptojnë faktin se “djalli” mund të vijë në “një mijë e një formë”.

Situatën me se miri në lëkuren e tyre  kishte filluar ta ndjeje komuniteti i biznesit, gjë qe u vërejt me reagimin e ashpër dhe të menjëhershëm drejtuar autoriteteve qeveritare, duke i rikujtuar se situata e krijuar nuk mund të luftohet me 6 milionë euro te kredisë (pa kamate) që në rolin e “shpëtimtarit” e paraqiti zv.kryeministrja për çështje ekonomike.

Dramatizimi i situatës dhe acarimi i pandemisë, akoma më shumë i zhyti aktorët ekonomik dhe sektorin real në një platformë konfrontimesh për arsyeshmërinë e propozimeve dhe justifikimin financiar të tyre. Seti I dytë I masave te propozuara dhe dekretimi i tyre, krijoi një huti shtesë te shoqëruar me një frikë te fshehur për gjendjen financiare të buxhetit.

Pohimet se performanca e buxhetit ishte/nuk ishte në kondicionin e planifikuar, njeriu një i dikasterit financiar nuk arriti ta kristalizojë para opinionit publik. Gjithashtu, tre skenarët e mundshëm për te hyrat buxhetore, deficiti buxhetor dhe financimi aktual i tij, la përshtypjen se institucioni në fjalë, është i ngadalshëm dhe jo i sigurtë me hapat që  duhet ti ndërmerr. Edhe kundrejt këtyre lëshimeve , qeveria  teknike aprovoi  17 masa anti-krize për parandalimin e pasojave të dëmshme në standardin e qytetareve dhe në sektorin real ekonomik.

Mbështetja e qeverise me setin e dytë të masave financiare është përafërsisht me vijë të njëjte me atë që bëjnë të gjitha qeveritë rajonale që janë të prekur, por injektimi prej 200 milionë euro është një ndër më të ulëtit në rajon. S’do mend, se ishte hap i domosdoshëm për t’i zvogëluar ndikimet negative shumë dimensionale të krizës, por i pamjaftueshëm. Veçanërisht shuma e ofruar, masa me 8 milionë EUR  shtese te kredisë pa kamatë, si dhe 50 milionë euro Kredi të lira nga Banka për zhvillim  për mbështetje të projekteve të reja, punësime, rritjen e likuiditetit dhe eksportin, është e ulët dhe ndër kapacitetin real buxhetor.

Dekreti i përgatitur nga Banka qendrore, Ministria e Financave dhe Asociacioni bankar i Maqedonisë për shtyrjen e kësteve dhe për përfitimet tjera qe do te lehtësojnë pagesën e kredive gjatë  kohës së krizës, ishte një relaksim dhe ndihmë që më së shumti i gëzoi qytetarët e dëshpëruar dhe ndërmarrjet. Por, me paraqitjen e parë publike te një drejtori gjeneral te një banke në emër te Asociacionit, si dhe të presidentes se Asociacionit bankar u zbeh optimizmi i qytetareve dhe ndërmarrjeve.

Sqarimi i tyre në formën, një mollë plus një mollë plus një dardhë bëjnë dy molla dhe një dardhë, s’do mend se ishte një sqarimi tipik i “bankave bashkëkohore” apo ndryshe, sqarim dhe rregull që buron nga “fuqia e parasë”. Ne kuptimin etimologjik fjala “bashkëkohor” do të thotë te jesh ne hap me kohën. Koha në të cilën u gjendën qytetarët dhe ndërmarrjet, pa fajin e tyre padyshim që është shumë e palakmueshme . Situata akoma më shumë komplikohet për shkak te faktit të kohëzgjatjes së krizës. Ne kushte të tilla, çdo ndihmë që do ta kishte lehtësuar plagën e marrë do ta kishin përmirësuar kondicionin e aktorëve te prekur.

Pezullimi i kësteve me ofertat të ndryshme të bankave prej 3-6 muaj padyshim që është një ndihmë e madhe , por jo edhe e mjaftueshme. Veçanërisht, kur e dimë se me çfarë rreziku ballafaqohen ndërmarrjet. Për këtë shkak, ri-programimi i kredive, mos llogaritja e interesit në kohë të pezullimit, si dhe lehtësirat e ndryshme qe mund te vijnë nga bankat, sado pak  do ta kishin përmirësuar gjendjen. Në të njëjtën kohë, mos të harrojnë se problemi i sotshëm i qytetarëve dhe i ndërmarrjeve, nesër mund te bëhen mollët dhe dardhat e kalbura te tyre.

Se  beteja e zhurmshme, duhet te zëvendësohet me një bashkëpunim dhe me një ” solidaritet” të të gjithë aktoreve që e përbejnë realitetin ekonomik është e patjetërsueshme. Masat e ndërmarra nga udhëheqësit dhe institucionet për ta menaxhuar krizën padyshim që do te kenë efekt historik dhe do të ngelin përgjithmonë në kujtesën tonë. Në të kundërtën dështimi i përpjekjes për ta menaxhuar shpëtimin e ekonomisë mund të na çojë në një rrëmujë që me pasojat dhe lëndimet e marra do të  merrnin shumë kohë për tu shëruar.

Në këto kushte dhe rrethana, neve nuk na ngel diçka përveç se të “qëndrojmë në shtëpi” dhe t’i lutemi Zotit për kapërcimin sa më të shpejtë të situatës. Se kriza aktuale do të tejkalohet as qe duhet te kemi dyshim, por s’do mend se ndryshimi qe ndodh do ta transformojë shoqërinë ne një epokë të re ku “solidariteti” dhe “mësimi i nxjerrë” do te jene sfida te radhës për institucionet shoqërore dhe private.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button