fbpx

Metamorfozis me udhëzime: si të mbrohet privatësisa gjatë zbatimit të masave për përballjen me COVID-19

Në një kumtesë Fondacioni për Internet dhe Shoqëri, Metamorfozis ka dhënë disa këshilla dhe udhëzime në lidhje me zbatimin e masave për t’u përballë me virusin korona dhe sfidat që dalin për të ruajtur privatësinë e njerëzve, transmeton Portalb.mk. 

KUMTESA E PLOTË

Masat që ndërmerren për t’u përballë me COVID-19 janë në fokus të qeverive, ndërmarrjeve publike dhe private, sektorit të shoqërisë civile në të gjithë botën. Siç mund të pritet, masat dinamike në masë të madhe e prekin edhe çështjen e përpunimit të kategorive të ndryshme të të dhënave personale. Ligjet për mbrojtjen e të dhënave personale, duke përfshirë edhe Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR – General Data Protection Regulation), nuk janë pengesë për zbatimin e masave që ndërmerren për ta luftuar pandeminë dhe ato duhet të jenë mbështetje për mbrojtjen e interesave të qytetarëve.

Disa çështje që lidhen me të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale gjatë miratimit të masave të reja për përballjen me COVID-19 shkaktuan debat në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Çështja e parë ka të bëjë me monitorimin e lëvizjes së qytetarëve që janë në vetë-izolim përmes një aplikacioni celular, gjegjësisht përmes monitorimit të gjeo-lokacionit. Çështja e dytë ka të bëjë me publikimin e emrit, mbiemrit dhe adresës së vendbanimit/qëndrimit të personave që janë në vetë-izolim.

Duke i ndjekur parimet për mbrojtjen e të dhënave personale të përcaktuara në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke e përfshirë edhe Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR – General Data Protection Regulation), vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet ligjshmërisë së përpunimit të të dhënave personale. Institucionet që janë të përfshira drejtpërdrejt në miratimin dhe zbatimin e masave për ta luftuar COVID-19 përpunojnë kategori të ndryshme të të dhënave personale që janë të nevojshme për t’i mbrojtur interesat thelbësore të vendit në fushën e shëndetit publik.

Është veçanërisht e rëndësishme që në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, si rasti aktual, institucionet nuk janë të detyruara të marrin pëlqimin e qytetarëve për përpunimin e të dhënave personale. Megjithëse pëlqimi i qytetarëve nuk është kusht për përpunimin e të dhënave personale, autoritetet janë të detyruara që të dhënat personale t’i përpunojnë për qëllime specifike dhe të qarta, të jenë transparente dhe t’i informojnë qytetarët për mënyrat e përpunimit të të dhënave të tyre personale, vëllimin e të dhënave personale që përpunohen, si dhe për afatet brenda të cilave do të ruhen këto të dhëna.

Monitorimi i vendndodhjes (lokacionit) së telefonit celular

Qeveritë e disa vendeve evropiane konsiderojnë se monitorimi i vendndodhjes së telefonave celularë është një masë potencialisht e mirë për t’u përballë me COVID-19. Në bazë të rregullativa për përpunimin e të dhënave telekomunikuese, e dhëna e vendndodhjes mund të përpunohet nga operatori vetëm nëse ajo është anonimizuar ose me pëlqimin paraprak të subjektit të të dhënave personale të cilit i referohet. Mirëpo, në raste të jashtëzakonshme, përjashtimi nga ky rregull thotë se Qeveria mund të miratojë masa, të cilat, para së gjithash, do të kenë për qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë publike, duke mbajtur llogari me këtë rast për arsyetimin e nevojës, sasinë e të dhënave dhe kufizimin e afateve brenda të cilave këto të dhëna do të përpunohen.

Para se të marrë një vendim për përdorimin e masave të tilla që e cenojnë privatësinë, Qeveria duhet të bëjë një vlerësim serioz të kapaciteteve të atyre që do të përfshihen në zbatimin e tij. Ky vlerësim duhet të përgjigjet veçanërisht në pyetjet se cilat institucione do të kenë qasje në këto të dhëna, kush do të kontrollojë procesin e monitorimit, në çfarë mënyre dhe në çfarë momenti do të ndërpritet monitorimi i personave që janë shëruar ose periudha e vetë-izolimit të të cilve ka kaluar dhe a siguron shteti mbrojtje adekuate gjyqësore për personat, e drejta e të cilëve për mbrojtjen e të dhënave personale mund të shkelet gjatë zbatimit të kësaj mase.

Publikimi i emrit, mbiemrit dhe adresës së vendbanimit/qëndrimit

Në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të dhënat në lidhje me shëndetin, duke përfshirë edhe të dhënat për kujdesin e marrë shëndetësor, janë kategori e veçantë e të dhënave ose të dhëna personale të ndjeshme. Me vetë këtë, është e ndaluar të përpunohen kategori të veçanta të të dhënave personale, përveç me përjashtim, gjegjësisht nëse përpunimi është i nevojshëm për qëllime të interesit publik në fushën e shëndetit publik, siç është mbrojtja nga kërcënimet serioze ndërkufitare ndaj shëndetit ose sigurimi i standardeve të larta për cilësi dhe siguri të mbrojtjes shëndetësore. Ky përjashtim vlen për sasinë e të dhënave personale që mblidhen pa pëlqimin e qytetarëve në kohë krize, siç është përballja me COVID-19, shpërndarjen e tyre ndërmjet institucioneve, hartëzimin dhe të ngjashme. Ky përjashtim NUK vlen për publikimin e të dhënave personale në lidhje për personat e infektuar ose personat në vetë-izolim.

Para se të merret vendimi për masa të reja për t’u përballë me COVID-19, është i nevojshëm:

Konsultim i gjerë me institucionet, Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencinë Operative Teknike, Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe organizatat relevante të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Analizë e praktikës gjyqësore, veçanërisht për faktin se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka marrë vendime që e përcaktojnë publikimin e të dhënave personale të personave të infektuar me virus si të paligjshëm.
Kryerja e një testi serioz për dëmin nga zbatimi i masave të parashikuara në kuptim të asaj se cilat të drejta do të shkeleshin në emër të mbrojtjes së interesave thelbësore të shtetit (shkelja e së drejtës për privatësi, stigmatizimi i të sëmurëve dhe i familjeve të tyre, etj.).
Analizë e përvojave nga zbatimi i masave të njëjta ose të ngjashme në vendet e tjera që mund të shërbejë si shembull dhe mësim edhe në vendin tonë.

Në konsultim me anëtarët e EDRi – European Digital Rights Initiative, prezantojmë një pjesë të përvojave të disa vendeve evropiane.

Holandë, me vendim të veçantë të qeverisë është paraparë që Ministria e Shëndetësisë, brenda 24 orëve nga marrja e një testi pozitiv të COVID-19, ta njoftojë kryetarin e komunës në të cilën jeton personi i infektuar për identitetin dhe gjendjen e tij shëndetësore. E vetmja gjë që kryetari i komunës mund ta bëjë ndaj personit të infektuar është t’i shqiptojë masë të detyrueshme për karantinë në shtëpi ose në spital, me ç’rast në çdo kohë mund ta përdorë ndihmën e policisë për të kontrolluar nëse personi e respekton masën, pa e cenuar me këtë rast privatësinë e personit të infektuar. Sipas normave aktuale ligjore në Holandë, nuk ekziston asnjë mundësi që të bëhet publikimi i të dhënave personale të personave të infektuar ose i personave në vetë-izolim.

Sllovakia publikoi një hartë të detajuar të vendndodhjes së personave të infektuar me COVID-19. Harta nuk përmbante emër dhe mbiemër, por përmbante gjininë dhe moshën, e po ashtu kishe mundësi të bëhej zmadhimi i hartës për ta parë adresën në mënyrë më të detajuar. Ekspertët nga fusha e mbrojtjes së të dhënave personale këtë zgjidhje e konsiderojnë problematike, veçanërisht zbatimin e saj për qytete dhe fshatra më të vogla, ku identiteti i individëve mund të zbulohet lehtë dhe ata të stigmatizohen. Vetëm disa ditë pas publikimit të hartës, Qeveria lëshoi një deklaratë për të kërkuar falje nga qytetarët, ku e pranon gabimin, ndërsa të dhënat në hartë u reduktuan vetëm në të dhënat për komunën dhe numrin e të sëmurëve. Përdorimi i hartës së detajuar është rreptësisht i kufizuar në institucionet kompetente për zbatimin e masave, edhe atë me një ligj të miratuar në mënyrë të posaçme për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, derisa zgjat pandemia.

Irlandë, stigmatizimi i njerëzve të infektuar me COVID-19 është një nga arsyet kryesore pse nuk lejohet publikimi i të dhënave personale. Sipas qëndrimit të autoriteteve, publikimi nuk do të rezultojë me asgjë tjetër përveç se me një numër të madh të njerëzve që do të refuzojnë të testohen, vetëm që identiteti i tyre të mos bëhet publik nëse janë të infektuar. Duke u nisur nga ky qëndrim, në zbulimin e rasteve të para, autoritetet njoftuan vetëm se bëhet fjalë për qytetarë nga pjesa lindore e vendit, pa i përmendur komunat nga të cilat vijnë personat. Kur u shfaq rasti i një punonjësi të infektuar të shkollës, u publikua emri i shkollës, kështu që interesimi i mediave për të zbuluar se kush ishte i infektuari u dënua nga ana e qytetarëve si shkelje e privatësisë.

Republika Çeke është gjithashtu e mendimit se zbulimi i të dhënave personale të personave të infektuar ose personave në vetë-izolim është i rrezikshëm për shkak të mundësisë së dhunës nga mjedisi dhe stigmatizimi i personit. Një rast e forcoi qëndrimin e autoriteteve, e ai ishte rasti kur në një vend të vogël në Republikën Çeke, një ekip punonjësish shëndetësorë erdhën për të marrë kampion për analizë nga një djalë i ri që sapo ishte kthyer nga Peru. Popullata lokale, e cila e kishte parë këtë situatë, menjëherë filluan të bëjnë presion mbi gjithë familjen që të mos dalin nga shtëpia e as të lëvizin kudo që të jetë në lagje.

Izrael përdoren dy aplikacione celulare. I pari i jep qytetarëve informacione se a kanë qenë afër ndonjë personi të infektuar me COVID-19, ndërsa i dyti se a kanë qenë afër ndonjë personi në vetë-izolim. Asnjëri aplikacion nuk e zbulon vendndodhjen ose identitetin e saktë të individëve. Për më tepër, Izraeli e përdor plotësisht infrastrukturën e sigurisë së vendit, duke përfshirë edhe masat për luftë kundër terrorizmit.

Mbi 90 vende zbatojnë masa të ngjashme për t’u përballë me COVID-19, duke e ruajtur me këtë rast ekuilibrin midis mbrojtjes së interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

***

Fondacioni Metamorfozis, përmes programit – Të drejtat e njeriut në internet, përfaqëson për të drejtat e njeriut në internet, duke u ndihmuar komuniteteve të përballen me ndryshimet e mëdha që vijnë nga ndikimi në rritje i teknologjive të reja. Metamorfozis përqendrohet në mbrojtjen e privatësisë duke i forcuar kapacitetet e qytetarëve, institucioneve dhe sektorit të biznesit për të funksionuar në një shoqëri digjitale.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close