Koka nën sqetull

Më duhet të nisem, nënë, tha djali gjashtëmbëdhjetëvjeçar i Fatmës, Besimi, nga fshati D nga Bosnja. Do të shkoj të marr nja tri bukë, nënë, e do të kthehem. Duhet të hamë diçka. Më kot nëna e luti të mos shkojë, se mund ta bëjnë një qull e ta kalojnë ditën, më kot i tha se kishte parë një ëndërr të keqe dhe se kishte frikë që i biri po largohej nga shtëpia.

Po djali ishte i vendosur. E ndjente përgjegjësinë për familjen që nga gjendja e mirë materiale, paramilitarët serbë i kishin grabitur dhe ua kishin marrë edhe të vetmen lopë, që u gjendej aq shumë në këtë kohë akopaliptike. Për çudi dhinë banditët s’e kishin parë sepse ajo ishte duke hëngër pas kaçubës së trëndafilave në një skaj të kopshtit. “Besim, bir, kujdes”! i tha nëna. Besimi e luajti kokën në shenjë pohimi. Dhe u nis. Ai ishte mërzitur edhepër të atin, Mehën dhe të vëllain, Talin që kishin dalë, ngase i kishte thërritur kryeplaku e ishin vonuar atje. Jo vetëm për bukë, po Besimi doli edhe pas tyre. Shkonte t’i gjejë ata e t’i kthejë në shtëpi.

E luti nëna edhe një herë të mos shkojë, kurse Besimi u kthye dhe e përqafoi duke i thënë se për disa minuta do të kthehet, se shitorja nuk ishte larg nga shtëpia e tyre. Djali u nis nëpër qetësinë shurdhuese e cila e kishte mbuluar lagjen e boshnjakëve, kurse nëna hypi në çardakun e shtëpisë së vogël boshnjake me pullaz me faqe të rrëpinjta që të mos e mbanin borën e madhe e cila binte në atë malësi ku ishin, sepse nga çardaku e kishte pamjen më të mirë nga dera e madhe. Sa doli në rrugë Besimi e futi në gojë një bonbone qi i kishte mbetur në xhep ku ta dish se prej kur, duke u munduar kështu ta zbusë keqardhjen për nënën e shkretë që e luti të mos shkonte për bukë, e lëpinte pa ndjerë ndonjë shije ëmbëlsie edhe ta qetësojë pak frikën për babain e të vëllain.

Mirëpo Besimit i vinte shumë keq edhe për motrën e vogël tetë vjeç, Shejlën, të cilën e shihte aq të uritur ngase dy ditë nuk kishin futur gjë në gojë, përveç disa gllënjkave të qumshtit të dhisë. E mundonte edhe pasiguria për të atin dhe vëllain – Talin që ishin vonuar në këtë kohë kur armiku ishte në prita. Dhe u nis. Nëna e thërriti të bijën Shejlën, kurse voglushja vrap iu afrua. Ajo e përqafoi, e shtrëngoi shumë, kurse vajza e vogël u habit. Nëna atë e donte, por kurrë nuk e kishte shtrënguar ashtu. Megjithatë nuk i tha gjë që do ta frikësonte Shejlën e vogël.

Por e pa edhe ajo se diçka e mundonte nënën, prandaj e përqafoi fort. “Bija ime”, i tha nëna, “ta presim Besimin këtu në çardak të kthehet… T’i presim edhe Talin e babain”… tha dhe e shikonte derën e madhe duke pritur që Besimi ta hapte e të hynte. Dhe, pas pak dera u hap ngadalë. Nëna lëshoi vrap shkallëve teposhtë. Po Besimi nuk ishte. Në shtëpi u kthye Tali, djali i madh, të cilin e kishte thërritur kryeplaku për t’u organizuar për mbrojtje. Ai pa u ulur, pyeti:
“A u kthye babai”?
“Jo”, tha nëna, pse pyete? A s’ishte babai me ty te kryeplaku”? pyeti nëna e shqetësuar
“Babai doli përpara nga zyra e kryeplakut dhe shkoi ta presë arrën në kopsht, se kemi mbetur pa dru. Madje kur shkoi ia lypi një sëpatë kryeplakut” iu përgjigj djali.
“Mirë qenka puna”, tha Tali.
“Pse, çka ka ndodhur”?! pyeti nëna e shqetësuar.

“Duke kaluar kah shtëpia e Dushanit, dëgjova do zhurma njerëzish”, tha. “U frikësova për babain se, e di që serbët e kanë shtëpinë e Dushanit… Deshi të thotë se e kanë bërë vend ku i vrasin boshnjakët, por s’e tha.

“E di, e di”… e ndërpreu Nëna. Asaj i shkoi ndërmend se ato “zhurma” që kishte dëgjuar Tali mund të ishin klithma, prandaj u kthye kah Tali e Shejla e i prositi që të fshiheshin se mund të kishte ndonjë sherr këtu.
“Prit, nënë, prit!” i tha Tali, por ajo tashmë u gjet te dera e nadhe. Tali e kapi Shejlën për dore dhe u fshehën prapa shtëpisë, u ulën në një cung që kishte mbetur atje dhe heshtnin. Nëna doli vrap dhe me shpejtësi prej rrufeje arriti te dera e Dushanit. I ra me shqelm derës dhe u fut në oborr. Brenda u tmerrua. U shtang kur pa pesë trupa burrash pa kokë dhe gjalun që kishte bërë vija të trasha oboriit, kurse para tyre qëndronte koka e prerë të të birit, Besimit.

“Biri i nënës, bir! Çfarë të paskan bërë këta të mallkuar, këta ushtarë të Iblisit! Biri nënës”! klithi e shkreta nënë dhe e mori kokën e të birit, damarët e të cilës ende kullonin gjak nga qafa e njomë. “Biri im, çfarë të bënë këto bisha, bir”? Pastaj e puthte në ballë e në faqe, e me njënën dorë e mbante, me tjetrën ia lëmonte flokët, kurse lotët e saj të nxehtë ia lagnin faqet e verdha. Sytë e Besimit kishin mbetur hapur dhe dukej si heronjtë e lashtësisë të cilët të gjetur në situata të tilla, të prera nga armiqtë, kërkonin ndihmë nga Olimpi.

“Lëshoje atë kokë, ti grua e fëlliqur!”, u dëgjua zëri i Dushanit, bashkëfshatarit që doli me satër, të cilën po e fshinte për pantollonet e përgjakura, herë në njerën anë, herë në tjetrën. Pastaj dolën edhe shtatë ushtarë e militarë të tjerë serbë, nga të cilët njëri i tha Dushanit.

“Dushan, hiqja rrufën kësaj shtrige, vraje! E do revolen”?
“Më keni vrarë o bisha”, ia ktheu nëna. “Po bëni çfarë të doni tash, ju ushtarët e satanait! A edhe të vrarët doni t’i vritni”?!
“Merre atë kokë e thyej qafën”! e urdhëroi Dushani. “Shko në rrotë samës boshnjake”!
“Jua ktheftë perëndia me të njëjtën masë”, tha nëna përvajshëm dhe me kokën nën sqetull vrapoi në shtëpi t’i shohë dy fëmijët tjerë dhe të shoqin. E shkreta nënë, sa hyri në oborr, i pa Talin dhe Shejlën me të shoqin që e prisnin që e prisnin në oborr. Ajo i shikoi, po pa bërë zë, njëherë iu lakuan këmbët, pastaj ra, u përplas për toke duke rënë në shpinë, po kokën e Besimit nuk e lëshoi. Buzët i kishin mbetur mbyllur në pozitëne shqiptimit të tingullit b thuajse kishte nisur ta thërriste Besimin
I ati, Meha u afrua pranë saj. U ul, ua mbylli sytë të dyve dhe i përlotur u kthye nga djemtë:
“I humbëm dy të dashurit tonë”! tha, kurse lotët i shkonin rrëke. Tali e Shejla u afruan, ranë në gjunj dhe përqafonin nënën, e cila e kishte lëshuar shpirtin me kokën e Besimit nën sqetull.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button