Zonja Eni!

Ka kohë që në TV Klan Shqipëri shfaqet emisioni ”Shihemi në gjyq” i udhëhequr nga Ardit Gjebrea teknikisht dhe profesionalisht nga avokatja Eni Çobani, e njohur si ”Zonja Eni”. Në këtë emision zonja Eni ushtron detyrën e ndërmjetësueses. Ndërmjetësimi është veprimtari jashtëgjyqësore, në të cilën palët kërkojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre nga një person i tretë, asnjanës, për të arritur një zgjidhje të pranueshme, por që nuk bie ndesh me ligjin. Ndërmjetësi në krahasim me gjyqtarin apo arbitrin nuk ka fuqi të urdhërojë apo detyrojë zgjidhje. Ndërmjetësimi ka për qëllim ”çlirimin” e gjyqësorit nga mosmarrëveshjet apo kontestet e ”lehta” juridike. Sidoqoftë, me ligj përcaktohen mosmarrëveshjet apo kontestet, që mund të zgjidhen nëpërmjet ndërmjetësimit.

Informacionet e marra gjatë procedurës së ndërmjetësimit nuk mund të publikohen, përveç nëse palët vendosin ndryshe, ose janë në interes të publikut, të shtetit, ose është e nevojshme sipas ligjit. Për të qenë ndërmjetës, nuk duhet vetëm të jesh njohës i mirë i ligjit dhe praktikës juridike, por edhe të kesh vlera të larta etike e morale. Gjatë ushtrimit të detyrës, duhet t`ua ruash dinjitetin, si dhe konfidencialitetin e të dhënave, palëve dhe pjesëmarrësve tjerë në procedurë.

Po t`i shikosh seancat ndërmjetësuese të ”Shihemi në gjyq”, do të tmerrohesh. Prej tyre, e kupton se çfarë mosbesimi kanë shqiptarët ndaj shtetit, sistemit të drejtësisë dhe në veçanti sistemit gjyqësor, i rrënuar nga gjyqtarë të korruptuar e partizuar. E kupton se si ndihen të pambrojtur, të pashpresë, e ç`është më tragjikja me tendenca vetëgjyqësie. E njerëzit, siç dihet, kur janë të dëshpëruar shpesh hidhen në përqafim të gabuar. Në kërkim të drejtësisë dhe zgjidhjes të mosmarrëveshjeve të tyre, ata pranojnë të dalin edhe në medie, të cilat pamëshirshëm çdo dëshpërim njerëzor e përkthejnë në teatër dhe përfitim mediatik. Në seancat ndërmjetësuese të zonjës Eni, fliten gjëra kryesisht private, gjëra për të cilat duhet patur rezervë edhe në ambiente krejtësisht private.

Pse duhet t`i dëgjoj publiku, sidomos ai televiziv, problemet private, apo mosmarrëveshjet momentale të njerëzve, e që nuk janë në interes të publikut, të shtetit, dhe-ose publikimi i tyre nuk është inevojshëm sipas ligjit?. Ata, pra palët, ndoshta pas një kohe të shkurtër do të pajtohen, po çfarë do të ndodh me fjalët dhe gjestet e tyre emocionale, të para apo të marra nga kushdo që ka parë emisionet e ”Shihemi në gjyq”, në televizion apo internet. Ata, mund të shndërrohen në objekt talljeje ose stigmatizimi. Prandaj, më së paku, shfaqja e shumicës së seancave ndërmjetësuese, cenon privatësinë dhe konfidencialitetin e të dhënave, është disproporcionale dhe jolegjitime, ngase interesi i publikut dhe shtetit është më i ulët se ai privat, dhe as nuk është i nevojshëm sipas ligjit, publikimi gjegjësisht shfaqja e tyre në medie.

Në drejtësinë penale, ekziston instituti materialo-juridik, ”parashkrimi(vjetërsimi)”, sipas të cilit, pasi të kalojë një kohë, nuk mund të ndiqet penalisht kryesi i veprës penale, ose të ekzekutohet dënimi me burg ndaj të dënuarit. Sepse, sipas parimit të ”sigurisë juridike”, askush (e) përgjithmonë nuk duhet të jetë peng i veprimeve të tija të kundërligjshme përveç në rastet kur me ato, ka kryer vepra të rënda penale, për të cilat parashihen penalizime afatgjata ose të përjetshme, dhe-ose dënime me burgim të përjetshëm.

Mediat, për shikueshmëri dhe përfitim mediatik, shkelin edhe mbi dinjitetin njerëzor, por kur këtë e ndihmojnë profesionistë si zonja Eni, është e papranueshme.

Mjaftë më zonja Eni, sepse, siç ka thënë Ciceroni, ” Drejtësia është më e shtrenjtë se çdo ari (përfitim, për këdo qoftë)! 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button