Shqipëri, është ulur numri i rasteve të reja, 16 të prekur në 24 orët e fundit

Në Shqipëri, numri i rasteve të reja me koronavirus shënoi sot një rënie, krahasuar me rritjen e ndjeshme që u rregjistrua tre ditë më parë. Zëvendës ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli njoftoi së në 24 orët e fundit nga 175 testime të kryera ndaj personave të dyshuar, vetëm 16 prej tyre kanë rezultuar pozitiv ndaj COVID 19-ës, duke e çuar në 377 totalin e të prekurve, shkruan Zëri i Amerikës, transmeton Portalb.

Harta e të prekurve është zgjeruar në Tiranë, Durrës, Fier, Has, Berat dhe Shkodër, ku sërish janë rregjistruar 6 raste të reja. Në katër ditët e fundit në qytetin e Shkodrës janë rregjistruar 35 raste, ndërsa një grua e moshuar humbi jetën mbrëmjen e së shtunës. Në total numri i viktimave me koronavirus ka shkuar në 21 raste.

Tirana mbetet epiqendra e epidemisë, me raste që shtohen çdo ditë, duke arritur në 177 persona të prekur. Në vend të dytë tanimë është Shkodra me 44 raste, e pasuar nga Durrësi me 38 raste dhe Fieri me 26 raste.

Në të dy spitalet e Tiranës ku trajtohen pacientet me COVID 19, rezultojnë të shtruar deri mesditën e së hënës 73 persona, nga të cilët 2 janë në gjendje të rëndë (të intubuar) ndërsa 9 të tjerë në terapi intensive.

Të dhënat e fundit dëshmojnë për një rritje dhe të personave që janë shëruar. Në 24 orët e kaluara, 12 të prekur kanë rezultuar negativ në dy testet e njëpasnjëshme duke e çuar në 116 numrin e të shëruarve, një shifër që përfaqëson 30 përqind të totalit të rasteve me koronavirus.

Për informata më të detajuara për situatën me virusin korona, klikoni në këtë link: http://gdi.mk/corona/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button