DITAR NË KOHË PANDEMIE (II)

21 mars. Intervistë për Alsat-M. Sfidat e kohës së vetë-izolimit. Kjo është një aritmi sociale, prishtje e ekulibrit tonë psikologjik dhe social, kur na atakohet shëndeti ynë fizik dhe ai mental.  “Një zgjidhje në këto kushte ekstreme është që të mendojmë pozitivisht, të mendojmë se do të bëhet më mirë, të ngjallim tek njerëzit optimizëm, të ngjallim tek ata  vetëbesimin, besimin tek ndryshimi i kësaj klime, besim se kjo gjendje është momentale, se do të ndryshojë situata dhe konteksti. Secili njeri duhet të mundohet njëherë të menaxhojë me vetveten, të ndryshojë perceptimin, të ndryshojë kodin mental të vetin, të ndryshojë mënyrën e komunikimit me tjetrin, të krijojë një hapësirë të tolerancës me tjetrin”. Në këto rrethana të çekuilibrit global, besimit tek Zoti, që thotë se “pas vështirësisë vjen lehtësimi”, se sprovat janë pjesë e jetës, ndihmon shumë. Lutja është terapi shpirtërore që qoftë për një çast të shkëputë nga të gjitha brengat, të qet në një planet tjetër.

23 mars. E hënë. Çaste me dëborë. Dalim pak të marrim frymë. Dhe e shohim një çift të moshës së mesme tek ecin e bisedojnë në gjuhën angleze, ndërkohë që zotëriut penjët e këpucëve i shkojnë zhag përtoke. T’ia themi  a mos përzihemi në punë të huaja? “Hajde thuaja” më thotë diçka prej brenda. Dhe duke i kërkuar falje, me disa fjalë i tregojmë. “Hahah  – na e ktheu gruaja me ca të qeshura. E ka zakon. S’i ndodh gjë. Kurrë nuk i lidhë.” Dhe vazhdojmë bisedën. Mësojmë emrin e njëri tjetrit. Erik – thotë. Lisa-prezantohet bashkëshortja. I pari nga San Antonio, nga Shtetet e Bashkuara. Lisa nga Zelanda e Re. Rrëfyen se qe katër vite jetojnë në Matkë, se merren me turizëm. M’u rrotullua bota. Ou u mendova në vete! Nga dy skaje të botës, nga dy shtete me mirëqenie kanë zgjedhur vendin tonë për të jetuar. S’mundja t’iu besoja veshëve. Vërtet? Vërtet-thanë. M’i treguan fotografitë e shtëpisë që kishin blerë këtu dhe të vilës që e kishin marrë me qera dhe që e shfrytëzonte si bujtinë-motel. Fillova që ta vlerësoj më tepër vendlindjen. E pyeta vallë a s’është më mirë në Amerikë dhe në Zelandë? M’u përgjigj se kjo panoramë s’është askund, se është parajsë në faqe të dheut; duhet pak të punohet për infrastrukturën, pak kujdes njerëzor për mjedisin, vetëdije ekologjike dhe aq. Dmth ne s’dimë t’i çmojmë vlerat tona. S’dimë se çfarë habitati, çfarë dhuntish hyjnore kemi. Dy lumenj, gryka e Matkës, tokë pjellore, popullatë dinamike rinore. Dhe vjen një i huaj na jep mësim të gjeografisë.

25 mars. E mërkurë. Mocioni kundër qeverisë Kurti solli rrëzimin, spostimin e qeverisë, por edhe fjalime të zjarrta të “politikanit-filozof” të vetëm ndër shqiptarë dhe të një zonje të kulturuar e të ngritur si Vjosa Osmani, fjalime këto që duhet të bëhen pjesë e lëndëve si “Etika në politikë”: “Dëshiruam të tregojmë se çka konsiderojmë vlerë dhe të sjellim etikë në politikë… Është kauzë, ata kanë një kauzë sekrete, ne kemi një kauzë publike. Serbia historikisht e pranon lirinë shqiptarëve. E pranon bile bile edhe pavarësinë e tyre. Por barazinë me ata nuk e pranon kurrë. Serbia neve barazinë nuk na e pranon. Ata republikë, na autonomi. Na republikë, ata shtet, por pa na njohur. “Si patriot nuk duhet të jesh i kufizuar në kohë. Duhet tërë jetën me enë i tillë. Është gjëja më normale të luftosh për vendin tënd. S’bën t’ia teprosh fort me mburrje se ke luftuar se për vendin tënd ka qenë. …po do tash nëfarë shpërblimi se ke luftuar për vendin tënd. Kjo qasje është gabim dhe është gabim fëmijët dhe brezat e rinj t’i mësojmë me këtë qasje. Angazhimin për vend dhe komb e kemi obligim. … Kjo është qasje e gabuar sipas të cilës luftëtari për atdhe duhet të shpërblehet me ndonjë shtëpi në Marigonë, me ndonjë biznes, terminal doganor, kompani, me do hektarë tokë që i shndërron në motele a në autostradë.  Kjo është gabim. Andaj jemi aty ku jemi.  Kjo është logjikë mercenari, shkon në luftë dhe paguhet, këtu i bjen që duhet të merrni vetë sepse s’ka kush paguan. Luftëtari i vërtetë ëshët ai që nuk merr kurgjë pas lufte.” (A.K.) Sikur pandemia globale nuk mjaftonte, sot rrezikohet që në Kosovë të përhapet dhe një pandemi tjetër – ajo e dehumanizimit të shpirtit dhe e përçarjes.  Këto veprime do ta përdhosin vullnetin qytetar për ndryshim; do ta vrasin shpresën kur ata kishin më së shumti nevojë për të; do t’i mbysim buzëqeshjet që na i falët me aq ëmbëlsi në çdo tubim e në çdo takim që ne e kishim me qytetarët gjithandej Kosovës, besën e shpresën për besim, që ju qytetarë të dashur na e siguruat. …rënia e qeverisë shënjon rënien e qëndresës suaj ndaj së keqes. Tekefundit, asnjë rënie nuk është e përhershme dhe asnjë betejë e pamundur; ne kemi rënë dhe jemi ngritur, sepse e kemi mbështetur fort njëri-tjetrin. Në politikë, sikur edhe në jetë, ndonjëherë duhet ta paguash çmimin e të qenit parimor. Por, parimësia tregon udhën e vërtetë, edhe kur ajo është e mbushur përplot gjemba. Nëse mbrojtja e një qëndrimi refuzues ndaj çdo bashkëpunimi me krimin më bëka tradhtare, nëse mbajtja e secilës fjalë që unë ua kam dhënë votuesve të mi, derisa disa prej bashkëpartiakëve të mi frikësoheshin dhe të mateshin para tyre, nëqoftëse kjo më bën tradhëtare, atëherë me krenarinë më të madhe do ta mbaj këtë “vulë të tradhtisë”.  …qëndroj fort mbi shpresën e njerëzve që s’dorëzohen kurrë dhe që do ta rikthejnë këtë shpresë, të cilën ne padrejtësisht po duam t’ua vrasim sot. Për mua politika gjithnjë ka qenë dhe mbetet mision e shërbim, e asnjëherë mashtrim.” (V.O.)

27 mars. E premte. Një pamje trishtuese nga interneti: një infermier saudian (Ali Nasir Shahrani) që në kohën të Covid-19 kthehet në shtëpi. Me të hyrë nga dera e pret djali i tij i vogël (Muhamedi) që ta përqafojë, vrapon kah ai, ndërsa i jati ndalet, mban distancën. “Lā” (Jo) – i thotë. Dhe ia nisë të qajë. S’mundet ta bëjë aktin më të natyrshëm për dy të dashur organikisht, përqafimin. O çfarë gjendjeje? Sa keq. Kujdesi për shëndetin e tjetrit para së gjithash. Një profesionist, por me ndjenja prindërore si çdo njeri. Emocione dhe lotë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button