RMV, Kumanova në ditën e dytë të karantinës

Kumanova për të dytën ditë të fundjavës është në karantinë. Është qetë dhe rrugët janë të zbrazëta. Qytetarët u tërhoqën në shtëpi nga e premtja kur Qeveria solli vendim që të vihet ndalesë për lëvizje në qytet. Ndalesa ka të bëjë për periudhën nga e premtja prej orës 21:00 deri të hënën në orën pesë. Në rrugën shihen vetëm automjetet e policisë dhe të Shtëpisë së shëndetit ndërsa në shesh ka vetëm ekipe të gazetarëve të cilët raportojnë për situatën, njofton MIA, transmeton Portalb.mk.

Përjashtime për ndalesën për lëvizje vlejnë për policinë, armatën, punonjësit shëndetësorë. Shtabi komunal i krizës, dje informoi se në pajtim me rekomandimet e Qeverisë dhe informacionin e MPB-së të gjithë qytetarët të cilët kanë nevojë për dalje urgjente nga shtëpia gjatë orës policore (nevojë për shërbim mjekësor, angazhim në punë dhe tjetër) duhet të paraqiten në numrin 192 dhe të njoftojnë për daljen e tyre.

Komuna dje publikoi edhe listë të farmacive kujdestare dhe të disa marketeve me numra telefoni. Qeveria e angazhoi Shtabin komunal të krizave të Kumanovës të përcaktojë operatorë ekonomikë – markete prej ku do të sigurohen vetëm produktet ushqimore më të nevojshme në pajtim me kërkesat prioritare të qytetarëve gjatë ndalesës për lëvizje në rajonin e Kumanovës gjatë të shtunave dhe të dielave. Paraprakisht shtabi i krizave kërkoi që të mundësohet shpërndarja e ushqimit tek blerësit në adresat shtëpiake, ndërsa gjatë ditës së djeshme disa marketeve u paraqitën për këtë shërbim.

As gjatë orës policore nuk janë harruar kategoritë më të rrezikuara sociale të qytetarëve. Me mbështetjen e kompanive të shumta nga Kumanova dhe Shkupi dje ekipet e shtabit komunal të krizave dhe organizata komunale e Kryqit të Kuq filluan me shpërndarjen e paketave me produkte ushqimore dhe pije, mjete për mbrojtje personale, higjienë dhe dezinfektim. Donacionet prej kompanive me përgjegjësi shoqërore i siguroi këshilli socio-ekonomik. Rastet sociale më të rrezikuara për asistencë gjatë furnizimit të produkteve të domosdoshme, mund të paraqiten në numrat e telefonit:  075 207 126 dhe 077 71 94 94, bënë thirrje dje nga shtabi komunal i krizave.

Në Kumanovë sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë (e shtunë) janë edhe tetë persona të infektuar me koronavirus. Të premten janë regjistruar 85 persona prej të cilëve njëmbëdhjetë janë punonjës shëndetësorë. Qeveria në seancë konstatoi që të gjithë të punësuarit në sistemin shëndetësor të cilët janë nga Kumanova, ndërsa që punojnë në qytete të tjera në shtet të jenë në dispozicion të spitalit në Kumanovë. Dhe derisa zgjat dita e dytë e karantinës banorët e komunës më të madhe në vend me mbi 100.000 banorë në rrjetet sociale shprehin mesazhe inkurajuese, Kumanova është qytet heroik, i kemi kaluar shumë beteja do ta fitojmë edhe këtë.

Për informata më të detajuara për situatën me virusin korona, klikoni në këtë link: http://gdi.mk/corona/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button