Një histori gjarpërinjsh

Shkruan: Daim Miftari.

Ishte diku fundi i muajit maj dhe ishim përpara pushimit të gjatë veror. Shumica e mësuesve i kishin përfunduar notat dhe orët kalonin më tepër me biseda dhe këshilla të përgjithshme. Sidomos për ne që mbaronin tetëvjeçaren dhe na prisnin sfida të reja sipas tyre. Pas pak do të binte zilja e orës së fundit, dhe do të gjendesha në shtëpi. Tërë kohën vrisja mendjen për gjithë çfarë më kishte ndodhur atë mëngjes. Në fakt nuk është se më kishte ndodhur kushedi se çfarë, por as ta harroja nuk mundja. Atë mëngjes, duke u bërë gati për në shkollë, sapo kisha hapur sytë, kisha parë një gjarpër që kishte ikur me shpejtësi duke u përvjedhur poshtë derës. Duke fërkuar sytë, në një gjendje as i zgjuar as i fjetur, kisha filluar të dyshoj nëse vërtetë kishte qenë një gjarpër apo më kishin bërë sytë. Nganjëherë, kufiri midis reales dhe imagjinares bëhet gati i padallueshëm, por atë moshë si ta kuptoja. Deri atëherë nuk kisha parë gjarpër me sy, as në oborr a qytet e lëre më brenda në dhomë. Më ngjante më tepër me një ëndërr mëngjesi, ndërsa mendimi për ta vërtetuar një gjë të tillë nuk më linte të qetë. U ktheva gati me vrap në shtëpi dhe u ngjita lart në dhomën time. Ngrita krevatin, librat dhe gjërat që kisha nën të, por nuk kishte asnjë gjë. Pashë gjithandej nëpër dhomë ndonjë vrimë apo vend ku mund të ishte përvijuar, por nuk gjeta asgjë që më bënte të dyshoj. Madje, dhoma ishte vetëm pjesërisht e mobiluar gjë që e bëri më të lehtë të verifikoj çdo cep të saj dhe të vij në përfundim se aty nuk kishte asnjë gjarpër. Me siguri ose do të më kishin bërë sytë ngase i kisha shumë frikë ose do kishte qenë ëndërr. Pastaj u kujtova se mbrëmjen e kaluar kisha parë në televizor të shfaqej një dokumentar me gjarpërinj, dhe e kisha ndërruar menjëherë programin, sa nga neveria aq edhe nga frika. Arrita të qetësohem plotësisht duke hequr çdo dyshim. Broçkulla thashë, madje më erdhi turp prej vetes. Pastaj u vërdallosa nëpër shtëpi për t’u siguruar nëse dikush prej anëtarëve të familjes e kishte vërejtur këtë shqetësim të panevojshëm timin, por siç tanimë e kisha vënë re, në shtëpi për fatin tim të mirë nuk kishte qenë askush. Më kishte marrë uria dhe mora të ha çfarë gjeta në kuzhinë. Një tenxhere e vetmuar ziente mbi shporet. Kishte rënë mbrëmja. Hëngra dhe u ngjita prapë në dhomën time. Më kishte zënë një gjumë i thellë, nga i cili u zgjova vetëm të nesërmen. Qëndroja shtrirë duke sjellë ndërmend gjithë atë që kishte ngjarë një ditë më parë, me gjarprin që kisha parë, ose më saktë që më ishte fanitur, frikën që më kishte mbajtur shtrënguar tërë ditën. Imagjino një ditë të bukur maji ta humbasësh kot së koti. Aq më tepër për një fëmijë të asaj moshe. Por kush e ka në dorë këtë gjë, që të kisha unë. Dyshimi dhe frika më kishin marrë përpara. Dhe tanimë kur isha i sigurte se nuk kisha parë asnjë gjarpër dhe gjithçka kishte qenë pjellë e frikës, në fakt isha zhgënjyer. Madje nuk bëhej fjalë për një gjarpër, por për disa syresh që shëtitshin nëpër shtëpi si padronë të vërtetë dhe unë thjeshtë duhet të mësohesha me ekzistencën e tyre, pavarësisht frikës dhe jetës në rrezik. Se si u shfaqen ata gjarpërinj nuk arrij ta shpjegoj saktësisht as sot e kësaj dite, dhe ç’është e vërteta as që dua t’i futem kësaj pune, por di që u mësova të jetoj me ta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button