Armiku i padukshëm që sfidon globalizmin dhe rendin liberal

Shkruan: Selim Ibraimi për Portalb.mk.

Pandemitë zakonisht që nga lashtësia e deri më sot kanë shkaktuar tragjedi njerëzore dhe me tendenca të ndryshimeve drastike në organizimet politiko-shoqërore.

”Vdekja e Zezë”  e vitit 1374 apo siç njihet “The Bubonic Plague”, arriti të zhdukë një të tretën e popullsisë së Evropës. Edhe pse burimi i sëmundjes u debatua nëse ishte nga Afrika apo Kina, për evropianët, ishte një ndër pandemitë që e gjunjëzoi Evropën Mesjetare e deri në hapjen e konflikteve të brendshme për ushqim, medikamente dhe territore ku sëmundja ngjitëse nuk kishte depërtuar.

Në Greqinë e Lashtë, Athina humbi nga Sparta për shkak të përhapjes së shpejtë të sëmundjes ngjitëse në Athinë dhe kjo ishte një befasi për demokracinë athinase. Kjo sot mund të krahasohet me SHBA, e cila nëse do ta humbë betejën me KOVID-19, prestigji i zbehur kombëtar dhe ndërkombëtar i saj, do të vë në pikëpyetje shumë nisma në rolin e saj neo-liberal në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kështu, globalizimi i nisur nga SHBA, do t’i kthehej vetë asaj, si një armik që gjunjëzoi demokracitë perëndimore.

Pra, “Gripi Spanjoll”, “Zika”, “Ebola”, “Sars” dhe e fundit Covid-19, si pandemi kanë mundësi të ndryshojnë sistemin ndërkombëtar, duke i rrënuar të gjitha normat bashkëkohore dhe të globalizmit. Kërcënimet kundër njerëzimit nuk duhet shikuar vetëm nga këndi i luftërave klasike, atomike dhe të terrorizmit. Sot, e gjithë bota është e sfiduar nga armiku i padukshëm që ka arritur të ndryshojë perceptimin tonë për ekzistencën dhe si të dilet nga kaosi global.

Armët biologjike, viruset dhe bakteret, siç po shihet do të bëhen pjesë e jetës sonë në këtë shekull, me tendenca të shkatërrimit në masë të popullatës, me pasoja serioze në ekonomitë kombëtare, tregtinë botërore, fluturimet ndërkombëtare, lëvizjen e lirë dhe në politikat e brendshme dhe jashtme të shteteve.

Pandemitë nuk kursejnë asnjë shtet qofshin ato me kapacitete të forta dhe standarde të larta shëndetësore dhe më së paku shtetet e brishta. COVID-19, tregon se si shtetet demokratike përballen me mungesë të mjeteve kryesore për të luftuar sëmundjen dhe nga ana tjetër, përpjekjet e shteteve autoritare për të marrë kompetenca dhe përgjegjësi më të mëdha në ofrimin e ndihmave shteteve të prekura që Perëndimi në fillim i çrregulluar nga sëmundja, hezitoi t’ju përgjigjej.

Nuk duhet harruar se nga kaosi i krijuar, të gjitha aktorët dëshirojnë të fitojë dhe të kalojnë në avantazh ekonomik dhe gjeopolitik. Tani të përqendrohemi në Ballkan dhe në Evropën Perëndimore, ku pandemia mund të shfrytëzohet për vlime të reja gjeopolitike dhe ngritje të valencave të reja. Pasi, BE vazhdon të dobësohet, në përjashtim të Gjermanisë, Kina dhe Rusia nuk vonuan të dërgojnë ndihma qofshin ato vetëm për reklamë në Itali dhe në Serbi , duke treguar një farë mbështetje ndërkombëtare pas dështimit të BE-së për t’i ofruar ndihmë Italisë.

Ky ishte një depërtim i ri dhe më i lehtë ruso-kinez në Ballkan dhe në BE. Megjithatë, BE dhe SHBA edhe pse në situatë të rënduar brenda vetes, u detyruan ditëve të fundit të mbështesin këto vende me mjete financiare duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

Pra siç po vërehet, reagimi i demokracive liberale ishte i vonuar në krahasim me shtetet semi autoritare. Kjo duhet të jetë një rizgjim për shtetet e BE-së dhe në përgjithësi për Perëndimin, të cilët, të izoluar nga pandemia nuk po arrin të solidarizohen shpejtë me shtetet tjera që ndajnë vlera të përbashkëta.

Megjithatë, në një çrregullim pandemik, siguria apo pasiguria ushqimore si në shtetet e brishta po ashtu edhe në shtetet e zhvilluara rritet, dhe tronditjet politiko-socio-ekonomike, bëhen më të lehta dhe kjo po shihet në Ballkan, si shembull kemi rastin e Kosovës dhe më gjerë, në luftën e brendshme politike në SHBA.

Në një vakum të krijuar nga pandemia, forcat që dëshirojnë përmbysjen e rendit ndërkombëtar liberal i vendosur në Brenton-Woods (1944), janë të fokusuara në dëmtimin e vlerave demokratike duke i zëvendësuar me të rejat siç i paraqesin po këto shtete nëpërmes dezinformatave, rasti i Rusisë dhe Kinës.

KOVID-19 tashmë mund të cilësohet si një armë e re për të përmbysur gjithçka që është bërë nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Izolimi, distancimi social dhe frika e shekullit nga sëmundja e re, do të jenë sfidat e qeverive në mbarë botën për të parandaluar përhapjen e saj.

Në këtë betejë te re dhe armik të padukshëm, mbetet që sëmundja vdekjeprurëse të luftohet nga shtetet e zhvilluara dhe të izolohet duke mos shkaktuar pasoja të reja në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për më shumë, kur bota do të dalë nga izolimi, gjithçka nuk do të jetë e njëjtë.

Ndryshe, Selim Ibraimi është drejtues i Institutit të Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit( ISSDM), magjistër i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Webster University, SHBA dhe doktorant i Shkencave Politike pranë Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë (UEJL).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button