Terren i përshtatshëm për luftë speciale

U bënë muaj qëkur u paraqit virusi vrasës, i cili aktualisht e ka bllokuar jetën njerëzore në nivel planetar, duke gjunjëzuar edhe superfuqi si SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Spanja… Specialistët më të mirë të Infektologjisë dhe të degëve të përafërta, të cilët e kanë kaluar jetën me studimet e sëmundjeve ngjitëse e thonë shkoqur se virusi në fjalë është shumë i rrezikshëm, ndoshta më i rrezikshmi në historinë e njerëzimit. Shi për këtë, ata preferojnë ndërmarrjen e masave serioze për ta mbajtur nën kontroll, të paktën gjer në gjetjen e një vaksine, që nuk është diçka që mund të zbulohet lehtë dhe shpejt.

Ndërkohë, përkundër faktit se as mjekët nuk i kanë plotësisht të qarta shumë gjëra: mënyrën e përhapjes së virusit, efektin e ilaçeve alternative që mund ta zbusin atë, pasojat që do të lë ai tek të infektuarit në periudhat e mëpastajme, kohëzgjatjen e këtij tmerri, shkaqet pse i sulmon njerëzit në mënyrë selektive – pse disa nuk e ndjejnë fare, disa e kalojnë me simptoma të lehta e disa i vret brenda pak ditësh…; përkundër faktit se janë më të rrezikuarit prej gjithë të tjerëve, ata (mjekët) janë vënë në vijën e parë të frontit me Covid-19, duke rrezikuar jetët e tyre në përpjekje për të shpëtuar jetët tona.

Kjo betejë për jetë a vdekje me virusin i ka bërë me të drejtë heronj të shpresës për vazhdimësinë e jetës së racës njerëzore – kësaj specie të vetëquajtur më inteligjente ndër gjitarët tjerë, që, të paktën në “shtetet” ballkanike, pranoi të jetojë sejmenshëm dhe t’ua lejojë pasurimin me vjedhje micirukëve – atyre që shkatërruan edhe sistemin shëndetësor dhe shpërblyen me dekada mundin e mjekëve me para vitresh.

Aktualisht, përveç vetëflijimit për të mirën e përgjithshme, mjekët janë edhe në vijën e parë të frontit me spekulantët e medieve të vërdhemta që e kanë gjetur momentin e relativizimit të rrezikut nga virusi, i cili, siç e shohim, ka mbushur me të vdekur morgjet e spitaleve të botës. Të tillët shkruajnë e flasin se gjoja Covid-19 nuk qenka i rrezikshëm ashtu siç pretenduakan qeveritë e shteteve të prekura, gjë që bie ndesh edhe me udhëzimet e ekspertëve të shëndetësisë, sipas të cilëve, vetëm qëndrimi në shtëpi dhe mosdalja e njerëzve pa nevojë jashtë saj mund ta zbusë tërbimin e armikut të padukshëm. Këta gjothologë e kanë gjetur stinën për luftëra speciale që e orientojnë vëmendjen e njerëzve nga virusi vrasës, drejt teorive të mëdha konspirative dhe telepative nostradamusiane, duke e shtuar kësisoj frikën dhe duke e shkërmoqur vendosmërinë e tyre për t’i rezistuar kësaj lenxhire. Ata e bartin problemin e virusit në terrene politike me pohimet se gjithçka që i ndodh njerëzimit sot, lidhet me luftën e dikujt për një rend të ri botëror, që, bën vaki është e vërtetë, po këtë duhet ta thonë njerëzit kompetentë, jo ata që e vrasin vetëdijshëm dhe me kush e di çfarë qëllimesh shpresën e shpëtimit të njerëzve. Unë kështu do t’i kuptoj gjërat për aq kohë sa i shoh se jetojnë të mbyllur në shtëpi dhe vdesin korridoreve të spitaleve, si gjithë të tjerët, edhe shtetasit e superfuqive të botës… Sepse, mos e dhëntë Zoti!, nëse vërtet Covid-19 është bombë biologjike, të cilën dikush e kurdisi për një konfigurim ndryshe të botës, atëherë puna e njerëzimit ka marë fund; sepse ky dikushi, nëse nuk e realizon projektin me këtë virus, do ta realizojë me një virus akoma më vrasës për gjithë ata që nuk do ta prodhojnë dhe nuk do ta kenë vaksinën para shpërndarjes së saj…

Prandaj them se është më mirë t’u bindemi udhëzimeve të atyre që rrezikojnë 24 orë në ditë jetët e tyre për të shpëtuar jetët tona. Pastaj, shohim e bëjmë atë që do ta bëjnë edhe të tjerët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button