Pandemia mund t’i shtyjë shumë biznese drejt dështimit, vlerësoi Banka Qendrore e Kosovës

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti përmes një konference për media, ka parashikuar pasojat në ekonominë e Kosovës të pandemisë së koronavirusit.

Guvernatori Mehmeti tha se pavarësisht se efektet e krizës sot janë vështirë të parashikueshme sepse ende ka pasiguri rreth shumë aspekteve të pandemisë, përfshirë kohëzgjatjen dhe përmasat, aktualisht në të gjitha shtetet rezultatet e reja po sugjerojnë që ekonomia do të ketë rënie.

“Duke pritur se në vitin 2020 ekonomia e Kosovës do ta ndërpresë ekspansionin ekonomik që karakterizohej me një rritje mesatare vjetore prej 3.6 përqind në dhjetë vitet e fundit. Nën supozimin se tronditjet ekonomike në ekonominë e Kosovës do të ndjehen më tepër në tremujorin e parë dhe të dytë dhe pjesërisht edhe në tremujorin e tretë të vitit, parashikimet tona preliminare sugjerojnë për një rënie ekonomike reale në intervalin -2% deri -4% për vitin 2020”, tha Mehmeti duke sugjeruar që këto parashikime janë shumë të hershme andaj edhe duhet të merren me shumë rezervë, transmeton REL.

Ai tha se Kosova po zbaton një shkallë të lartë të mbylljes duke lejuar funksionimin vetëm të atyre bizneseve që ofrojnë shërbimeve dhe që janë të domosdoshme për qytetarët.

“Kjo ka ndikuar në ndërprerjen e aktivitetit të shumë sektorëve ekonomikë duke lënë bizneset pa të hyra, përderisa detyrimet e këtyre bizneseve vazhdojnë të jenë aktive gjë që rrezikon aftësinë paguese dhe mund t’i shtyjë ato drejt dështimit”, tha Mehmeti.

Lidhur me këtë situatë, Mehmeti tha se në të njëjtën kohë, punonjësit e këtyre bizinseve, rrezikojnë që pjesërisht apo plotësisht të mbesin edhe pa pagat e tyre, dhe pa vende të punës.

Kjo sipas tij, do të ndikojë edhe në rënien e fuqisë blerëse.

I pyetur lidhur me vendimin për shtyrjen e kredive në institucionet financiare që veprojnë në Kosovë, Mehmeti tha se nuk do të ketë masa ndëshkuese për shtyrjen e këstit.

“Interesi i rregullt do të llogaritet, por më pas do të shpërndahen në proporcion në muajt në vijim kur të përfundojë kriza”, tha ai duke paralajmëruar masa të ashpra ndaj institucioneve financiare që nuk i respektojnë vendimet e Bankës Qendrore.

Më 30 mars, Qeveria e Kosovës me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.6 milionë euro, e cila parasheh disa masa dhe përfshin disa kategori të shoqërisë dhe bizneseve, në kohën kur vendi po përballet me virusin COVID-19.

Me anë të kësaj pakoje pritet të mbështeten bizneset, pensionistët, anëtarët e skemave sociale, komunat dhe pagesa shtesë për punëtorët e administratës shtetërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button