Pas shërimit nga COVID-19, përballja me stigmën e sëmundjes

COVID-19 është një sëmundje krejt e re që prek njerëzimin. Shkencëtarët po përpiqen të mësojmë sa më shumë për koronavirusin, patogjeni që e shkakton këtë sëmundje në mënyrë që të gjejnë kura e trajtime. Sëmundja mbetet ende e paqartë për popullatën e gjerë. SIç mësojmë në materialin në vazhdim ata që e kanë kaluar këtë sëmundje ndeshen tani me paragjykime e reagime negative në komunitetet ku jetojnë, të ushqyera nga frika që shkakton kjo sëmundje në popullatë, shkruan Zëri i Amerikës.

Park Hyun ndalet shpesh se i merret fryma kur ngjit shkallët në fakultetin e inxhinierisë të Universitetit Kombëtar Pusan, ku ai jep leksione. Ai vazhdon të zgjedhë shkallët dhe jo ashensorin, megjithëse e ka të vështirë të ngjitet.

Park ishte “pacienti 47” i qytetit të Busanit si dhe një ndër afro 5000 koreano-jugorë që u infektuan dhe u shëruan nga koronavirusi.

Por megjithëse kanë kaluar afro katër javë që kur u diagnostikua negativ pasi u deklarua i shëruar, ai vazhdon betejën, këtë radhë kundër stigmës që shoqërohet me virusin.

“Një nga fqinjët po thërriste “për faj të djalit tuaj, tani do të na vdesin njerëzit”. E kuptoj se janë të shqetësuar. Prandaj ngjitem nga shkallët dhe nuk përdor ashensorin, për të mos stresuar të tjerët”.

47-vjeçari Park u mbajt për dhjetë ditë në një pavion special para se të dilte nga spitali. Më pas ai qëndroi 14 ditë në izolim dhe dhjetë ditë të tjera për t’u rikuperuar, megjithatë ai thotë se njerëzit prapë tregohen të kujdesshëm kur i afrohen.

Ai mendon se një pjesë e mirë e dyshimeve në komunitet burojnë nga fakti se një ndër vatrat e para të infeksionit ishte mes pjesëtarëve të një grupi sekret fetar në qytetin Daegu, vetëm 100 kilometra larg Busanit.

Ai thotë se vendosi të flasë për qëndrimin e komunitetit ndaj personave të infektuar në mënyrë që të luftonte stigmën dhe misterin që e rrethon këtë sëmundje. Ai i ka regjistruar peripecitë me COVID-19 përmes postimeve në Facebook që në ditën e parë.

“Duhet që dikush të flasë për përvojën vetjake, pasi mbetet shumë e paqartë për pjesën më të madhe të shoqërisë. Dua të heq paqartësinë. E vetmja mënyrë për ta realizuar këtë është duke folur haptazi, pa fshehur identitetin”.

Ritmet e përhapjes së epidemisë në Korenë e Jugut janë ngadalësuar që nga piku në shkurt dhe fillim të marsit. Në fund të marsit kishte 9786 raste ndërsa janë shëruar 5408 të infektuar.

Kolegët e zotit Park e mirëpritën kur u kthye në mjediset e universitetit, megjithëse duke ruajtur distancën fizike, pa përqafime dhe pa shtrëngime duarsh. Ai thotë se kolegët deri tani nuk kanë treguar shenja shqetësimi që gjenden në shoqërinë e tij. Ai ha drekë në të njëjtat mjedise me kolegët, por ulet në një tavolinë më vete, disa metra larg tyre. Ai dhe kolegët ndjekin tani praktika të reja.

“Ulemi larg njëri-tjetrit kur hamë drekë. Dikur bisedonim gjithë kohës, preknim tastierat e njëri-tjetrit, tani tregohemi të kujdesshëm. Mbajmë distancë nga njeri-tjetri. Pa diskutim, gjërat kanë ndryshuar”.

Zoti Park, nga ana e tij, mban maskë gjatë gjithë kohës për vetëmbrojtje.

“Ka pasur plot njerëz që kanë rezultuar pozitivë për herë të dytë pasi ishin deklaruar të shëruar nga infeksioni. Kam dëgjuar disa raste të tilla çdo ditë këtu në Korenë e Jugut. Infektimet vazhdojmë prandaj dua të tregohem i kujdesshëm”.

Qendra Koreane Jugore për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se duhen zhvilluar studime epidemiologjike për këtë fenomen.

Sapo u kthye në universitet, zoti Park iu vu punës për një projekt të ri: të bënte kuti sapuni me printer 3-dimensional, të cilat të përdoren për të dërguar sapunë në qendrat dhe shtëpitë e të moshuarve në Busan dhe qytete të tjera të prekura nga epidemia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button